Arsimi shqip, 7 marsin e njeh si ditëlindje të veten, datë kjo që i referohet Mësonjëtores së Korçës së vitit 1887.
Por e vërteta për zanafillën e arsimit shqip, sipas shumë shpjegimeve dhe të dhënave historiografike,
mund të jetë më ndryshe. Megjithatë, kjo datë ka rëndësinë e vet të madhe historike.
Studiues të ndryshëm thonë se themelet e arsimit shqip, duhet kërkuar me thellë në histori.
Përshembull, studiuesi arbëresh, Francesko Altimari, në një ligjëratë që mbajti para disa vitesh në
Prishtinë, kërkoi që zanafillën e arsimit shqip ta kërkojmë shumë më herët, duke përmendë këtu
edhe shkollat te arbëreshët e Italisë. Ndër të tjera, ai tha se shkolla shqipe, ka më shumë se një
shekull histori para shkollës së 7 marsit 1887. Nëse mendimin e Altimarit e analizojmë në përkim me
historinë e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai ka plotësisht të drejtë.
Po ashtu, At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Drites” më 1935, flet për një
sërë shkollash që ekzistonin përgjatë shek. XVII në Shqipërinë Veriore, Mirditë e Shkodër.
Sidoqoftë, të dhënat historiografike tregojnë se arsimi shqip, ka kaluar nëpër peripeci e sfida të
jashtëzakonshme, dhe rruga e tij, ka qenë një rrugë kalvari: e hidhur, me ndalesa, përndjekje,
persekutime, arrestime dhe vrasje.
Të kujtojmë vetëm faktin trishtues: Perandoria Osmane, në krye me sulltan Abdyl Hamitin, me
1779, lëshoi një dekret, me të cilin qe ndaluar dhe penguar gjuha, kultura dhe shkollimi shqip. Histori
të tilla të reprezaljes dhe terrorit ndaj arsimit shqip, kemi pasë gjatë gjithë sundimit osman, por edhe
në shekullin XX, sidomos në fund të këtij shekulli, kur Serbia hegjemoniste, dëboi shqiptarët nga
objektet e tyre shkollore. Kjo periudhë, ka lanë plagë të thella në Kosovë.
Sot, kur kremtojmë këtë evidencë domethënëse- për ne dhe kulturën tonë – më shumë se kurrë
kemi nevojë ta rikthejmë besimin te arsimi, si e vetmja armë që mund t’ na shpie përpara, si dritë që
na ndihmon ta largojmë errësirën e madhe të padijes që mbizotëron mes nesh. Ashtu siç vepronin
pishtarët e arsimit shqip, në Shkodër, Korçë, Stubëll, e gjetiu hapësirave shqiptare.
Pa dyshim, ne kemi nevojë për një shkollë të re të jetës- një shkollë të dashurisë dhe të kulturës së
respektit për shtetin e kombin, për vlerat dhe civilizimin. Dhe, këtë, më së miri e ngjizim në shkollë.
Te nxënësit. Me libra të mirë dhe kulturë jete e dashurie. Duhet të jemi të vetëdijshëm: pa arsimin të
shëndoshë, nuk ka shoqërisë të shëndoshë. Sepse, arsimi është fizionomia e një vendi, dhe, burimi
themelor prej ku formohet shoqëria humane. Prandaj, duhet të këndellemi, por pa e luajtë rolin e
qaramanëve dhe as të atyre që bëjnë shfajësime banale.
Degradimi i arsimit, në kushte te sotme, kur jemi të lirë plotësisht, është përgjegjësi vetëm e jona,
dhe për këtë, do t’na gjykojë historia. Për çdo ditë, duhet të mendojmë te parimi i mirënjohur: çka të
mbjellim sot, korrim nesër. Unë, sot dhe përgjithmonë, ndihem krenar që i përkas Stubllës, vendit ku
u legalizua Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë, e vitit 1905; shkollë kjo që, sipas shumë të dhënave
dhe dëshmive, ka ekzistuar edhe më parë.
Si fëmijë dhe i ri, jam rritë me rrëfime të shumta për këtë shkollë dhe historinë e saj. Dhe,
këto rrëfime, secili në mënyrën e vet, kanë ngjallë në mua ndjenja krenarie e përgjegjësie,
dhe kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në formimin tim.
/Marrë nga Ndue Ukaj/InforCulture.info