MJESHTRI I TRAGJEDIVE TË LASHTA GREKE…
Sofokliu, ishte një dramaturg që jetoi në Greqinë e Lashtë gjatë shekullit V-të Para Krishtit. Ai është një nga 3 shkrimtarët grekë të tragjedisë (dy të tjerët janë Eskili dhe Euripidi), veprat e të cilëve kanë mbijetuar deri në ditët e sotme.
Ai shkroi në total 123 drama, nga të cilat vetëm 7 kanë mbijetuar të plota:”Ajaksi”, “Antigona”, “Gratë e Trakisë”, “Edipi Mbret”, “Elektra”, “Filoktetët” dhe “Edipi në Kolonë”. Si shumë emra të tjerë të lashtë grekë, emri “Sofokli” ka një kuptim të veçantë. Ai është një kombinim i dy fjalëve greke ‘sophos’ dhe ‘kleos’, që do të thotë përkatësisht “i mençur” dhe “i famshëm”.
Pra emri i këtij dramaturgu të lashtë grek, mund të përkthehet si “i famshëm për mençurinë”.
Për jetën e tij dihen pak gjëra, dhe shumë detaje kanë humbur përgjatë historisë. Për shembull thuhet që ai lindi disa vjet para Betejës së Maratonës (viti 490 Para Krishtit).
Viti i saktë i lindjes mbetet i panjohur, edhe pse janë sugjeruar vitet 497 ose 496. Sofokliu lindi në Kolonus Hipius, një zonë rurale në veri-perëndim të Athinës. Babai i tij Sofilusi, thuhet se ishte marangoz. Por burime të tjera pretendojnë se ai ishte një hekurpunues.
Gjithashtu, është sugjeruar se ai mund të ketë qenë një fisnik i pasur, që kishte skllevër marangozë dhe hekurupunues. Sidoqoftë e vërteta, familja e Sofokliut i kishte mjetet financiare për t’i siguruar atij një arsimim të mirë.
Edhe pse vlerësohet si dramaturg, ai ka pasur një jetë publike shumë aktive. Sipas disa dëshmive, kur ishte i ri Sofokliu shkëlqeu në sportin e mundjes dhe në muzikë. Në vitin 480, grekët mundën ushtrinë e madhe perse në Betejën e Salaminës. Gjatë festës së fitores, Sofokli u përzgjodh që të udhëhiqte korin.
Ne vitet 443-442 Para Krishtit, Sofokliu shërbeu si një nga hellenotamiae. Ky ishte një grup prej 10 arkëtarësh (një përfaqësues për secilin nga 10 fiset athinase), që administronin thesarin e Lidhjen Deliane. Dhe në vitet 441-440, ai u zgjodh si një nga dhjetë strategët (gjeneralët).
Në atë kohë, Athina ishte në luftë me qytet-shtetin e Samosit, dhe Sofokliu si gjeneral, do të kontribuonte në fitoren e Athinës. Sofokliu mund të ketë shërbyer si strateg edhe në 2 raste të tjera. Në vitin 413 Para Krishtit, kur ishte rreth 80 vjeç, ai u emërua si ‘provoulos’, një pozicion që u krijua në vijim të Ekspeditës Siçiliane, e cila u nis nga Athina gjatë Luftës së Peloponezit.
Sofokliu ishte një nga 10 komisionerët, të cilëve iu ngarkua detyra e organizimit të rimëkëmbjes së brendshme dhe financiare të qytet-shtetit pas asaj ekspedite katastrofike. Akti i fundit i njohur i Sofoklesit, ishte drejtimit i korit gjatë homazheve me rastin e vdekjes së Euripidit.
Në një moment, Sofokliu shërbeu edhe si prift i Halonit, dhe iu besua futja e statujës së Perëndisë Asklepius në Athinë. Pretendohet se kjo Perëndi i dha Sofokliut shëndet dhe energji në vitet e fundit të pleqërisë së tij. Ndërkohë, kanë mbijetuar edhe disa informacione të tjera rreth familjes së Sofokliut.
Ai kishte të paktën 2 djem, Iofoni, nëna e të cilit ishte një grua athinase me emrin Nikostrat, dhe Aristoni, nëna e të cilit ishte Teorisi nga Sikioni. Iofoni u bë i njohur si një poet tragjik, ndërsa Aristoni pati një djalë, të quajtur gjithashtu Sofokli, i cili u bë i famshëm për tragjeditë e tij.
Më vonë, Sofokliu i ri u përfshi në vënien në skenë të shfaqjeve të gjyshit të tij. Historiani grek Plutarku shkruan në librin e tij “Moralia” të shekullit I të Erës Sonë, mbi një konflikt familjar mes Sofokliu dhe djalit të tij Iofonit. Plutarku raporton se Sofokli u nxorr në gjyq nga Iofoni me akuzën e çmendurisë.
Sidoqoftë, Sofokli i moshuar e mbrojti shkëlqyer veten e tij, duke recituar me zë të lartë këngën hyrëse të korit në veprën e tij “Edipi në Kolonë”. Në fund të shfaqjes, “kënga ngjalli një admirim të atillë, saqë u duartrokit nga gjykata si të ishte në teatër, shoqëruar nga duartrokitjet dhe brohorimat e të pranishmëve”.
Po si vdiq Sofokliu? Ai mendohet se ka vdekur në vitin 406 ose 405 Para Krishtit, jo shumë kohë pas Euripidit. Mbi mënyrën e vdekjes së tij ka disa histori. Njëri prej tyre, pohon se dramaturgu vdiq pasi u mbyt aksidentalisht në një fucoi të madhe të mbushur me lëng rrushi.
Sipas varianteve të tjera, ai ndërroi jetë teksa po recitonte publikisht “Antigonën”, apo si rezultat i gëzimit të tepërt pas një fitore dramatike të Athinës. Gjithsesi, në kohën e vdekjes së Sofokliut, Athina ishte ende e angazhuar në Luftën e Peloponezit, dhe u sulmua nga Sparta.
Sipas legjendës, perëndia Dionis iu shfaq në mënyrë të përsëritur në ëndërr gjeneralit spartan që po sulmonte qytetin. Për pasojë, ai pranoi armëpushimin, në mënyrë që dramaturgu i famshëm të mund të varrosej në varrezat e familjes së tij jashtë qytetit.
Sofokliu u adhurua si hero pas vdekjes së tij, dhe çdo vit në nderim të tij sakrifikoheshin kafshë. Sofokliu ishte jo vetëm një dramaturg i mirëfilltë, por edhe shumë popullor dhe i suksesshëm. Tragjedia e lashtë greke, i ka rrënjët në “këngët korale të kënduara për heronjtë dhe hyjnitë greke”.
Duke shtuar aktorët, grekët e lashtë i shndërruan këngët korale në një formë të re arti: tragjedinë. Besohet se ky ndryshim ndodhi gjatë shekullit të VI Para Krishtit, edhe pse vepra më e hershme tragjike që ka mbijetuar, “Persianët” e Eskilit, daton në vitin 472 Para Krishtit. Tragjedia e lashtë greke, nuk ishte vetëm një formë argëtimi, por edhe një mënyrë përmes së cilës mund të trajtoheshin çështjet politike dhe sociale të ditës.
Dhe kjo dëshmohet më së miri tek tragjeditë që shkroi Sofokliu. Gara midis dramaturgëve në Qytetin Dionisia përfshinte 3 të tillë, ku secili shkruante dhe vinte ne skenë 3 tragjedi, bazuar mbi një temë të vetme. Përveç 3 tragjedive, çdo dramaturgu i kërkohej të shkruante edhe një dramë satirë, një tragjikomedi që trajtonte me humor një personazh heroik.
Anëtarët e jurisë caktoheshin me short, dhe dramaturgu më i mirë fitonte një çmim. Duke pasur parasysh se Sofokliu shkroi 123 drama, mund të supozohet se ai mori pjesë në të paktën 30 konkurse të tilla. Thuhet se ai fitoi rreth 20 herë vendin e parë në Dionisia, me herën e parë në vitin 468 Para Krishtit, kur mundi Eskilin.
Edhe në garat ku nuk fitoi çmimin e parë, Sofokliu u rendit i dyti. Nga 7 dramat e mbijetuara deri në ditët tona, Edipi Mbret konsiderohet si vepra e tij më e mirë. Kjo tragjedi u shkrua rreth vitit 425 Para Krishtit, dhe u rendit e dyta në garën e dramaturgjisë në Qytetin Dionisia. Çmimin e parë, e mori atë vit nipi i Sofokliut, Filoklesi.
“Edipi Mbret” flet mbi personazhin mitik të Edipit, djalin e mbretit Laius të Tebës dhe gruas së tij, Jokasta. Sipas një profecie Edipi do të vriste të atin, dhe do të martohej me nënën e tij. Për të shmangur përmbushjen e saj, ai u braktis që foshnje në mal, që ta vrisnin kafshët e egra.
Por foshnja u shpëtua nga një bari, dhe u rrit në oborrin e mbretit Polib të Korintit dhe gruas së tij. Kur Edipi e dëgjoi profecinë, vendos të largohet nga Korinti, duke besuar se mbreti dhe mbretëresha ishin prindërit e tij të vërtetë. Rrugës ndesh rastësisht Laisuin të cilin e vret.
Më vonë, mbërrin në Tebë, e shpëton qytetin nga Sfinksi duke iu përgjigjur saktë enigmës së tij, dhe shpërblehet me fronin e mbretërisë, dhe bashkimin në martesë me Jokastën.
Të gjitha këto ndodhën në një kohë, kur Edipi nuk e dinte se po përmbushte në fakt profecinë e shkruar mbi të. Drama e Sofokliut nis pikërisht në atë moment, dhe fillon me Tebën e prekur nga një epidemi. Ajo u shkaktua nga Zotat, që u zemëruan nga vrasja e babait nga Edipi dhe martesa incestuoze me të ëmën.
Profeti i verbër, Tirezias, i thotë Edipit se është ai shkaktari i sëmundjes. Por mbreti nuk e kupton, duke besuar se Terezias po komploton kundër tij me Kreonin, vëllain e Jokastës, për ta rrëzuar nga froni. Ndërsa Edipi heton shkakun e murtajës, e vërteta zbulohet dalëngadalë. Në fillim, një ish-shërbëtor i Laiusit, i vetmi dëshmitar i mbijetuar i vrasjes, thirret nga Edipi.
Më pas, mbërrin një lajmëtar nga Korinti, që njofton për vdekjen e Polibit. Vetëm atëherë Edipi mëson se ai kishte qenë i birësuar nga mbreti dhe mbretëresha e Korintit.
Në diskutimet pasuese midis Edipit, Jokastës, shërbëtorit dhe të dërguarit, zbulohet e vërteta, pas së cilës Jokasta del nga skena. Pak më vonë, Edipi e kupton atë që po ndodhte, dhe del edhe ai nga skena. Nga kori, mësojmë se Jokasta kishte varur veten, ndërsa kur zbuloi trupin e saj Edipi e vetëverbua me spilat e fustanit të saj.
Fëmijët e Edipit dhe të Jokastës, lihen nën kujdestarinë e Kreonit, ndërsa mbreti dëbohet. Tematikat e trajtuara nga Sofokliu tek “Edipi Mbret”, vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot. Teknika dramatike e përdorur, pra ndryshimi midis ndërgjegjes së audiencës mbi ngjarjet dhe ato të personazheve, përdoret akoma në kohët moderne, për të krijuar gjendjen e pezullimit. Çështjet e eksploruara tek kjo drama rezonojnë ende sot. Këtu përfshihet injoranca si një kufizim universal njerëzor, dhe pashmangshmëria e fatit. Pra edhe pse u shkruan më shumë se 2 mijë vjet më parë, dramat e Sofokliut mbeten edhe sot të rëndësishme, edhe pse specifikat mund të kenë ndryshuar. /konica.al /InforCulture.info