Shkruan: Haxhi Mehmetaj
Lidhur më varret e krushqive, te popullata shqiptare e Kosovës qarkullon një gojëdhënë unike, sipas të cilës dy palë krushqish takohen në rrugë, asnjëra palë nuk i lëshon rrugë tjetrës. Për pasojë behet hataja. Vriten të gjithë krushqit dhe nuset. Kush ishin krushqit, ku i morën nuset, gojëdhëna nuk e thotë. Si jehonë e legjendës së lashtë edhe sot e kësaj dite të shqiptarët ka mbetur zakon që krushqit në kthim pasi që marrin nusen “ thyejnë” rrugë, për të mos kaluar rrugës së njëjtë. Varreza më emrin Vorret e Krushqive hasen në Kosovë, Shqipëri të veriut dhe në Bosnje.
Me emrin Vorret e Krushqive quhet varreza e vjetër në lagjen e Berishëve të fshatit Saradran të Komunës së Istogut. Varreza ndodhet pranë krahut të majtë të rrugës Saradran – Banjë e Pejës, në një vend të pyllëzuar më lisa shumëvjeçar. Përfshinë sipërfaqe rreth 5 arësh. Varreza tash numëron afro 20 varre, të orientuara lindje – perëndim, të cilët ngriheshin më rrasa gurësh të gdhendur të brekçes dhe llojeve të gurëve të tjerë. Nga ana tipologjike vrojtohen tri lloj varresh: a) varre të ndërtuara me nga dy rrasa gurësh të vendosura vertikalisht në tokë, njëra të koka dhe tjetra të këmbët, b) varre të ngritura me rrasa gurësh në trajtë të arkës drejtkëndore dhe c) varre në trajtë të arkës ovale. Gjatësia e vareve sillet nga 1.75 – 3.40m.
Rrasat e varreve janë kryesisht drejtkëndore, dimensionesh 80 x 65 x 18cm deri në 90 x 74 x 12cm.Vetem dy rrasa të një varri, njëherazi varrit më monumental, janë stilizuar në formë të trupit të njeriut, në anën e sipërme në trajtë të rrumbullaket, kurse në anën e poshtme në trajtë drejtkëndore.
Rrasa të ngjashme varresh në trajtë të trupit të stilizuar të njeriut kemi hasur në varrezat e fshatit Zallç të Komunës së Istogut dhe në fshatin Jagodë të komunës së Klinës. Varret sipas mënyrës se varrimit dhe tipologjisë së varreve do t’i kenë takuar periudhës së vonë mesjetare.
Lidhur më varret e krushqive, te popullata shqiptare e Kosovës qarkullon një gojëdhënë unike, sipas të cilës dy palë krushqish takohen në rrugë, asnjëra palë nuk i lëshon rrugë tjetrës. Për pasojë behet hataja. Vriten të gjithë krushqit dhe nuset. Kush ishin krushqit, ku i morën nuset, gojëdhëna nuk e thotë. Si jehonë e legjendës së lashtë edhe sot e kësaj dite të shqiptarët ka mbetur zakon që krushqit në kthim pasi që marrin nusen “ thyejnë” rrugë, për të mos kaluar rrugës së njëjtë. Varreza më emrin Vorret e Krushqive hasen në Kosovë, Shqipëri të veriut dhe në Bosnje. ( Nga libri, H. Mehmetaj, Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut, Prishtinë 2016,f. 71 – 72).
📷 Saradranë, Vorret e Krushqive
(foto dhe dizajni: Dukagjin Mehmetaj) /InforCulture.info