Nga Gregg Herken “Washington Post”

Në 6 gusht të vitit 1945, Shtetet e Bashkuara hodhën bombën atomike në qytetin japonez të Hiroshimas. Një tjetër bombë, shkatërroi në 9 gusht Nagasakin. Dekada më vonë, polemika dhe informacione të rreme rrethojnë ende vendimin për të përdorur armët bërthamore, gjatë Luftës së Dytë Botërore. 70 vjetori i kësaj ngjarje tragjike, paraqet mundësinë për të sqaruar drejt 5 mitet e njohura gjerësisht, rreth domosdoshmërisë së përdorimit të këtyre bombave.

1. Bomba i dha fund luftës.Ju pëlqen!

Ideja se bomba atomike, shkaktoi dorëzimin e Japonisë në 15 gusht 1945, ka qenë për shumë amerikanë dhe jo vetëm në të gjitha tekstet e historisë, shpjegimi i parapreferuar si dhe pse përfundoi lufta. Por procesverbalet e mbledhjeve të qeverisë japoneze, dëshmojnë për ekzistencën
e një historie shumë më komplekse.
Libri më i fundit dhe më cilësor mbi kapitullimin, bazuar në të dhënat japoneze, arrin në përfundimin se hyrja e papritur e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë në datën 8 gusht, përbënte ndoshta një tronditje edhe më të madhe për Tokion, sesa bombardimi atomik i Hiroshimës dy ditë më herët.
Deri atëherë, japonezët kishin shpresuar se rusët – me të cilët patën nënshkruar më parë një pakt mossulmimi – mund të ishin ndërmjetës në negocimin e dhënies fund të luftës. Sikurse vëren historiani Tsujoshi Hasegava në librin e tij “Duke konkurruar armikun”:Në fakt, sulmi sovjetik, dhe jo bomba e Hiroshimas, i bindi udhëheqësit politikë që t’i japin fund luftës”. Dy ngjarje të mbledhura së bashku – plus hedhja e bombës së dytë atomike në 9 gusht në Nagasaki – ishin vendimtare në dorëzimin e japonezëve.

2. Bomba i kurseu jetën gjysmë milionë amerikanëve.

Në kujtimet e tij të pasluftës, ish-presidenti amerikan Herri Truman, kujton sesi udhëheqësit ushtarakë i kishin thënë se të paktën gjysmë milionë amerikanë, mund të vriteshin gjatë një pushtimi tokësor të Japonisë. Kjo shifër është bërë kanonike, në mesin e atyre që kërkojnë të justifikojnë hedhjen e bombave bërthamore.
Por kjo nuk mbështetet nga vlerësimet ushtarake të kohës. Siç ka vërejtur historiani i Universitetit të Stenfordit, Barton Bernshtajn, Komiteti i Përbashkët amerikan i Planfikimit të Luftës, parashikoi në mes të qershorit 1945, se pushtimi i Japonisë, i vendosur për të filluar në datën 1 nëntor të atij viti, do të shkaktonte rreth 193 mijë humbje në rradhët e ushtrisë amerikane, duke përfshirë 40 mijë të vdekur.
Por, sikurse vinte në dukje Truman pas luftës, nëse ai nuk do të kishte përdorur bombën atomike kur ajo ishte gati, dhe trupat amerikane do të masakroheshin në brigjet japoneze gjatë pushtimit, ai do të përballej me siguri me zemërimin e drejtë të popullit amerikan.

3. Alternativa e vetme ndaj bombës, ishte pushtimi i Japonisë.

Vendimi për të përdorur armën bërthamore, paraqitet zakonisht në formën e dilemës:ose bombardim ose zbarkim tokësor në brigje. Por përtej kësaj analize të thjeshtëzuar, vazhdimi i bombardimeve konvencionale dhe bllokadës detare ndaj Japonisë, qenë dy opsione të tjera të njohura në atë
kohë.
Në fillim, ishte menduar një përdorim demonstrativ i fuqisë së bombës atomike, para përdorimit të saj ushtarak:shpërthimin e bombës në një ishull të pabanuar apo në shkretëtirë, përballë vëzhguesve të ftuar nga Japonia dhe vende të tjera; ose duke e shpërthyer atë në majën e malit Fuxhi, jashtë Tokios.
Por kjo alternativë u refuzua për arsye praktike. Në gusht të vitit 1945, ishin në dispozicion vetëm 2 bomba atomike, ndaj hedhja e njërës prej tyre thjesht sa për demonstrim force, mund të shndërrohej në diçka krejt pa vlerë. Alternativa e dytë, ishte të pranohej një dorëzim i kushtëzuar nga
Japonia.
Shtetet e Bashkuara e dinin nga komunikimet e përgjuara, se japonezët ishin më të shqetësuar se mos Perandori Hirohito trajtohej si një kriminel lufte. “Klauzola e Perandorit”, ishte pengesa e fundit për kapitullimin e Japonisë. (Presidenti Frenklin Ruzvelt kishte insistuar në dorëzimin pa kushte, dhe Trumani e përsëriti këtë kërkesë, pas vdekjes së Ruzveltit në mesin e prillit 1945).
Edhe pse në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara e morën dorëzimin pa kushte të Japonisë, “klauzola e perandorit” ishte në fakt e dhënë pas fakteve. “Unë nuk kam asnjë dëshirë të poshtëroj Hirohiton
në sytë e popullit të tij”- i siguroi pas dorëzimit diplomatët e Tokios gjenerali Dagllas Mekartur, komandanti suprem i fuqive aleate në Japoni pas luftës.

4. Japonezët ishin paralajmëruar para hedhjes së bombës.

Shtetet e Bashkuara shpërndanë nga ajri fletëpalosje mbi shumë qytete japoneze, duke u bërë thirrje civilëve të largohen, para se t’i godisnin ato me bomba konvencionale. Pas Deklaratës së Potsdamit të 26 korrikut 1945, e cila i bënte thirrje japonezëve të dorëzoheshin, fletëpalosja paralajmëronte për
një “shkatërrim të shpejtë dhe të plotë”, në rast se Japonia e kundërshtonte ultimatumin. Përmes një fjalimi në radio, Trumani foli gjithashtu për një “shi shkatërrues nga ajri, i një lloji që nuk ishtë parë kurrë më herët në botë”. Këto veprime, bënë që shumë njerëz të besonin se popullata civile në qytetet japoneze, ishte paralajmëruar mbi sulmin e afërt bërthamor.
Në fakt, një refren i zakonshëm në debatet mbi bombën është:”Japonezët ishin paralajmëruar”. Por nuk pati kurrë ndonjë paralajmërim specifik, për qytetet që ishin zgjedhur si objektiva të përdorimit të parë të bombës atomike. Mosveprim i qëllimshëm:Shtetet e Bashkuara kishin frikë se duke u paralajmëruar, japonezët do ta rrëzonin avionin që transportonte bombën. Dhe meqë qytetet japoneze tashmë ishin duke u shkatërruar nga bombat ndezëse – rreth 100.000 njerëz ishin vrarë nga bombardimet e marsit të atij vitit në Tokio – nuk kishte asnjë arsye për të besuar se Deklarata e Potsdamit apo fjalimi i Trumanit, do të përbënin një njoftim të veçantë.

5. Bomba u hodh në kohën e duhur, për të fituar një avantazh diplomatik ndaj Rusisë, dhe u dëshmuan si një “as nën mëngë”, në politikën e hershme të Luftës së Ftohtë.

Ky pohim, ka qenë një element kryesor i historiografisë revizioniste, e cila argumenton se politikëbërësit amerikanë, shpresonin se bomba mund t’i jepte fund luftës kundër Japonisë, para se futja në konflikt e Bashkimit Sovjetik, t’u jepte rusëve një rol të rëndësishëm në një zgjidhjeje paqësore pas luftës.
Për më tepër, përdorimi i bombës do t’u krijonte sovjetikëve përshtypjen e fuqisë së armës së re,
të cilën e kishin vetëm Shtetet e Bashkuara. Në realitet, planifikimi ushtarak, dhe jo avantazhi diplomatik, diktoi kohën e sulmit atomik. U urdhërua që bombat të hidheshin “shpejt dhe sapo ato
të ishin gati”.
Konsideratat politike të pasluftës, ndikuan në zgjedhjen e objektivave për bombat atomike. Sekretari i Luftës, Henri Stimson urdhëroi që qyteti historikisht dhe kulturalisht i rëndësishëm i Kiotos të hiqej nga lista. (Stimson kishte qenë vetë në Kioto, pasi bashkë më gruan kishte kaluar dikur një pjesë të muajit të mjaltit).
Truman ra dakord, sipas Stimsonit, me arsyetimin se “hidhërimi që do të shkaktohej nga një akt i tillë i papërligjur, mund ta bëjë më të pamundur sesa me rusët pajtimin e japonezëve me ne, gjatë periudhës së gjatë të pasluftës”.
Si Stimsoni, edhe sekretari i shtetit, Xhejms Bajrnes, shpresonte se bomba mund të dëshmohej si një “as nën mëngë” në marrëdhëniet e mëvonshme diplomatike me Bashkimin Sovjetik – por të dy u zhgënjyen. Në shtator të po atij viti, Bajrnes u kthye nga takimi i parë i pasluftës në rang ministrash të jashtëm në Londër, duke u ankuar se rusët ishin “kokëfortë, të pagdhendur dhe që nuk trembeshin”.

Shënim:Gregg Herken është profesor i historisë diplomatike amerikane në Universitetin e Kalifornisë, dhe autor i librit “Armët fituese:Bomba atomike gjatë Luftës së Ftohtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here