Fenomeni i emigracionit masiv ka qenë një fenomen që e ka shoqëruar gjithnjë shoqërinë shqiptare, sidomos në periudha tensionesh të forta apo luftërash ndërsa procesi i emigracionit për arsye ekonomike ka qenë një proces i vazhdueshëm. Në këtë proces nuk kanë munguar as përpjekjet për të ndikuar në zbutjen e këtij fenomeni, qoftë edhe me masa ek stremi si kufizimi i lirisë për të dalë jashtë vendit.

Një nga përpjekjet më interesante është ajo e vitin 1937 kur qeveria e kohës publikoi një urdhëresë të veçantë që synonte të frenonte emigracionin familjar.

Kjo mund të konsiderohet si një periudhe stabiliteti për Shqipërinë edhe pse në këtë vit po ndjeheshin me vonesë pasojat e kr izës ekonomike botërore të vitit 1933.

Në vitin 1937, ministria e Brendshme shqiptare propozoi një projektligj për ndalimin e emigrimit familjar. Shkak për nxjerrjen e këtij projektligji ishte bërë tendenca e shumë fshatarëve që shisnin tokën dhe çdo pasuri që kishin me qëllim që të shpërnguleshin në Rumani. Ky fenomen vlerësohej se po krijonte problematika serioze për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri për faktin se toka nuk punohej në një kohë kur ky ishte aktiviteti kryesor në vend.

Në relacionin e projektligjit pranohet se autoritetet administrative të mbretërisë kishin konstatuar se shumë familje shqiptare mbasi e shisnin pasurinë e tyre të tundshme e të patundshme që kishin në Shqipëri, aplikonin për pasaporta për të dalë jashtë shtetit me qëllim instalimin përfundimtar në një shtet të huaj.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka informata se të tilla veprime janë efekti i propagandës që zhvillohet në nji vend a nji tjetër si përshembull shënojmë këtu se në popullsinë kuço-vllahe të qarkut të korçës është përhapë mendimi për t’emigrue familjarisht në Rumani me qëllim instalimin definitiv atje si bujq.

Tuj marrë parasyshë se me këtë mënyrë largohen nga atdheu definitivisht familje bujq qi janë të vlefshme për ekonominë tonë Këshilli Ministruer me vendimin e tij 13.10 1937 ka urdhnue ndalimin e lëshimit të pasaportave atyne qi kuptohet se largohen familjarisht me qëllim emigrimi dhe njiherit autorizon Ministrin e Punëve të Brendshme për me përgatit projektligjin e duhur për këtë qëllim” shkruhej në relacionin e nismës.

Me 27 janar të vitit 1938 projektligji mori formë zyrtare e mbante firmën e kryeministrit dhe të një seri ministrash, mes të cilëve atij të Financave, të Ekonomisë, të Punëve të Jashtme, Arsimit dhe të ministrit të Brendshëm.

Ligji për ndalimin e emigrimit familjar parashikonte se “Ndalohet emigrimi familjarisht jashtë shtetit” dhe se kur një kryetar familje kërkon pasaportë për vetë dhe për familjen e tij autoritetet administrative duhet më parë të hetonin nëse kishte qëllim emigrimi. Në rast se rezultonte se aplikimi për pasaportë kishte si qëllim emigracionin, atëhere autoritetet ndalonin lëshimin e saj.

Megjithatë, kjo urdhëresë duket se ka pasur kohëzgjatje të paktë për faktin se në vitin 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia e çështja e emigracionit mori një drejtim e përmasë tjetër. Veç emigracionit për motive politike, në këtë periudhë nuk konstatohet një valë e madhe emigrimi.

Në Shqipëri nis në këtë periudhë një seri investimesh publike që në fakt angazhojnë pjesën më të madhe të krahut të punës që ishte në Shqipëri, madje duke krijuar probleme në sektorin bujqësor pasi angazhimit në ndërtimin e rrugëve dhe godinave në vend do të linte tokat bujqësore pa punuar.

Në këtë periudhë vendi njeh më shumë emigracionin e anasjelltë, ku janë italianët ata që vijnë masivisht për të punuar në Shqipëri me kompanitë e krijuara për shfrytëzimin e pasurive natyrore apo për realizimin e veprave infrastrukturore./Kreshnik Kucaj/Scan-tv.com/InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here