Kompozitori i njohur shqiptar, Çesk Zadeja u lind më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare. Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës. Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar Patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova. Që në vegjëli në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Herët shfaqi talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Akademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, te kompozitori Umberto Semproni.
Në vitet 1946-1947 punon në Radio Shkodra si përgjegjës i departamentit muzikor, kurse pas dy viteve shërben në ushtrinë e atëhershme deri në vitin 1951. Në vitin 1949-51 e kryen shërbimin ushtarak si dirigjent në Ansamblin Artistik të Ushtrisë. Çeskun e dërgojnë në Moskë për studime muzikore – dega e kompozimit në Konservatorin Petar Iliç Çajkovski të Moskës, në klasën e profesorëve dhe kompozitorëve M.I.Cukalli, Bogatyrieff dhe Tchullaki. Me të kryer studimet, si student i dalluar kthehet në Shqipëri dhe në vitet 1957-1962 emërohet udhëheqës artistik në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, i cili sapo ishte formuar e ku Çesk Zadeja zhvilloi një aktivitet të dendur si krijues dhe organizator i jetës edhe ashtu të vobektë muzikore. Është njëri prej formuesve të shumë institucioneve muzikore si dhe drejtues i tyre, siç janë: Konservatori (sot Akademia e Arteve) ku punon si pedagog plot tri vite 1962, e më pastaj emërohet si udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit deri në vitin 1966.
Në vitet 1966-1972 është kryetar i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve) dhe në vitin 1972 është kompozitor në profesion të lirë. Prapë në vitin 1973-1979 udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit, kurse në vitin 1979-1990 del në profesion të lirë, për t’u kthyer në vitin 1993-1994 pedagog në Akademinë e Arteve ku jep kompozicionin dhe muzikologjinë. Profesor Zadeja është kompozitor që paraqet në universin tonë kombëtar figurën më të madhe krijuese që është emblemë e vërtetë kombëtare, i cili kalon në mit, sepse potenciali i tij krijues e bën këtë personalitet të shquar dhe doajen të muzikës bashkëkohore shqiptare, i cili kohërisht i takon brezit të parë të kompozitorëve tanë të shkolluar, duke i vënë bazat e muzikës klasike që merr përmasa të gjera si nga aspekti i trajtimit të materies muzikore e formës, ashtu edhe nga aspekti i melodisë, ritmit dhe stilit. Si pedagog ka dhënë vite të tëra kontribut të jashtëzakonshëm dhe shumë të çmuar.
Shumë kompozitorë që janë bartës të aktiviteteve muzikore sot në Shqipëri janë diplomuar nën drejtimin e kompozitorit Zadeja. Ata sot zhvillojnë aktivitete të shumta dhe shumë programe të shkollave shqiptare muzikore janë të punuara, të redaktuara dhe të mbikëqyrura prej tij. Nëse shohim listën e të diplomuarve, do të vërejmë se sot kreu i krijimtarisë muzikore përbëhet nga kompozitorët e diplomuar te profesor Zadeja e disa prej tyre nuk janë më në gjallë. Por kontributi i tyre ka qenë i madh, si janë, bie fjala, Tonin Harapi, Kujtim Laro, kurse sot krijojnë Thoma Gaqi, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Kozma Lara, Aleksandër Peçi, Sokol Shupo, Ali Spahiu, Arian Avrazi, Ferikal Daja, Vangjo Nova, Fatos Qerimaj, Isan Shehu dhe dhjetëra të tjerë, janë krijues që luajnë një rol të rëndësishëm në jetën muzikore sot në Shqipëri.
Influenca e krijimtarisë së Zadesë ishte e madhe te një sërë krijuesish të tjerë që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadesë në lëmin e kompozimit në tërësinë e saj ka qenë mbizotëruese, superiore dhe udhërrëfyese për brezat, të cilat i ka mësuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës. Vizitat e shpeshta të kompozitorëve tanë dhe anasjelltas na sillnin informacione të shumta për krijimtarinë muzikore, jo vetëm të Zadesë, por edhe të shumë krijuesve të tjerë, për të cilët as që kishim dëgjuar ndonjëherë.
Zadeja ka vdekur më 8 gusht 1997, në një spital të Italisë.
Veprat:
- “Suita e Veriut”,
- “Suitë korale”,
- “Skica simfonike”,
- “Poema vokale”,
- “Romanca”,
- “Simfoni”,
- “Rapsodi për violinë”
- “Hej ju male”
- “Suita” /radiokosovaelire.com /InforCulture.info