Shekujt 18-të e 19-të ishte koha kur krijuesit në Evropë kishin shfaqur një interesim të shtuar për shqiptarët, sepse ata që ishin konsideruar si skithët e Perandorisë, tashmë kishin intensifikuar luftën kundër saj dhe kërkonin më shumë autonomi për pashallëqet e tyre.

Personalitetet e njohur nga radhët e shqiptarëve u bënë personazhe romanesh, si Halil Patrona e Ali Pashë Tepelena  në romanet e njohura të shkrimtarit hungarez, Joki Mor dhe objekte portretesh  të piktorëve më në zë të kohës. si: Jean-Baptiste van Mour, Cornelis Calkoen, Eugene Delacroix, Edward Leer e shumë të tjerë, të cilët  me pikturat dhe tablotë e tyre kishin mahnitur shikuesit evropianë dhe kishin nxjerrë në dritë pamjet madhështore të personazheve shqiptare, portrete trimash e trimëreshash, tablo nga jeta e shqiptarëve në Ballkan e më gjerë  Në gjysmën e dytë të shekullit 19-të në botën e pikturës ballkanike dhe evropiane veçohet piktori i famshëm me origjinë serbe, Paja Jovanoviq, i cili me imagjinatën e tij dhe mjeshtërinë e artistit  i dha një dimension realist pamjeve e tablove të  jetës shqiptare në Ballkan.

Piktori dhe portretisti  serb, Paja Jovanoviq, ( në Austri i njohur si Pol Jaonoviq) ishte  njëri ndër artistët më të mëdhenj të artit figurativ të kohës së tij, ndërsa pa dyshim më i madhi ndër serbët. Është i njohur sidomos me tablotë e tij të pasura të pasqyrimit në koloritit të popujve të Ballkanit e veçmas të shqiptarëve. Disa nga tablotë e tij janë kryevepra të artit figurativ.

U lind në qytetin e Vërshacit, në Serbi, në vitin 1859. Ishte djali i parë i fotografit të njohur të qytetit, Stefan Jovanoviq dhe nënës Ernestina, nga Temishvari me origjinë franceze. Qysh i ri i vdes nëna ndërsa babai martohet me italianen, Maria di Ponti.

Në fëmijëri shfaq interesim për të vizatuar, që ishte e kuptueshme për faktin se babanë e kishte fotograf. Vizatonte tinës, duke kopjuar vizatimet kishtare, të cilat kishin ushtruar ndikim në angazhimin e tij të mëtejmë. Në moshën 14-vjeçare zbulohet befas talenti i tij dhe dërgohet në Vjenë, për t’u regjistruar në Akademinë e Pikturës. Meqë ishte i ri në moshë dhe nuk e kishte kryer shkollimin e duhur paraprak, i duhet të kryejë shkollën e vizatimit te profesori austriak, Maholc. Përnjëherë dallohet në mësime si nxënësi më i mirë i kësaj shkolle.

Në vitin 1877 regjistrohet në Shkollën e përgjithshme të Akademisë së Vjenës  dhe qysh në tetor të atij viti fiton të drejtën e studentit të rregullt. Vazhdon studimet te pedagogu i njohur pikturës, Kristian Gripenkel ( 1839-1916). Studimet e rregullta në pikturë i ka kryer në vitin 1880. Më pas kryen edhe studimet speciale për pikturën historike, në klasën e mjeshtërve te profesori, Leopold Karl Muller, i njohur me pikturat e tij të motiveve orientale, sidomos të Egjiptit. Paja Jovanoviq, asokohe ishte studenti më i dalluar i tij.

Si student i Akademisë së Vjenës i jepet mundësia edhe të vizitojë vende të ndryshme në Ballkan, si në Bosnje e Hercegovinë, në trojet e Shqipërisë, në Mal të Zi e Serbi. Nëpër këto vende ka bërë edhe pikturat e para të shquara me motive nga jete e përditshme, nga tradita dokesore e popujve, kënga, vallëzimi, veshjet, armët e reliktet e ndryshme.

Janë të njohura pikturat dhe tablotë e tij të shumta nga jeta e shqiptarëve, e sidomos piktura e mirënjohur “Shqiptari” (Arnaut). Shqiptari me çibuk, Shqiptarët akuzojnë tradhtarin, Tradhtari, Loja e gjelave, Pajtimi i gjaqeve,  Prita, Shpërngulja e serbëve dhe shumë e shumë piktura të tjera.

Thuhet se gjatë jetës së tij të gjatë, gati një shekull, Paja Jovanoviq ka pikturuar rreth 4000 tablo e piktura, nga to deri tani janë zbuluar vetëm disa qindra. Ishte përfaqësues tipik i realizmit akademik në krijimtari.

Me të drejtë mund të dyshohet se një pjesë e pikturave të tij fshihen në Serbi, apo në Galerinë e Vjenës dhe nuk i jepen opinionit, pikërisht  për shkak të motiveve të shumta të jetës shqiptare, motive këto që mbizotërojnë  në pjesën më artistike të krijimtarisë së tij. Është i njohur fakti se zyrtarët serbë në Beograd kishin fshehur fotografitë e fotografit hungarez, Jozef Sekelj të cilat pesë vjet  më parë i kishte zbuluar historiani i mirënjohur Robert Elsi, tani i ndjerë.

Një shembull konkret është shfaqur në retushimin e tablosë historike “Shpërngulja e serbëve” ku piktura origjinale e Paja Jovanoviqit  është serbizuar, duke u retushuar. Po të vendosen të dyja pikturat përballë shihet se retushuesit e kanë serbizuar tablonë duke hequr shumë nga kësulat e shqiptarëve, madje edhe uniformat e ushtarëve austriakë dalin të jenë retushuara në uniforma të kozakëve e ushtarëve sllavë.

Janë të shumta përpjekjet e studiuesve e gazetarëve serbë, për ta mohuar përkatësinë e motiveve shqiptare të Paja Jovanoviqit me arsyetim se veshja me tirq, kapelë të bardhë, shokë, xhurdi, armë e opinga paskan qenë veshje ballkanike me elemente vllahe, shqiptare e greke. Realisht edhe mund të ketë pasur një përzierje të disa elementeve të veshjeve, por veshja tradicionale e shqiptarëve është evidentuar qysh në mesjetën e hershme dhe si e tillë ajo u ka shërbyer model veshjeve të popujve të Ballkanit e më gjerë. Tirqit me material të leshit të përpunuar i njohur si zhgun, pastaj të qëndisura me gajtanë kontrasti, tirq të bardhë e gajtanë të zi, apo tirq galanë me gajtanë ngjyrë kafe, kapela e bardhë, ( plisi) shalli mbi kapelë, shoka e kuqe,  kanë mbijetuar deri në ditët tona në të gjitha viset shqiptare sidomos të Shqipërisë së mesme veriore e verilindore.

Paja Jovanoviqi, nëse gjykojmë sipas krijimtarisë së tij  nuk duket të ketë qenë fare i rënduar me shovinizëm, as duket të ketë qenë ndonjë urrejtës i shqiptarëve si shumë e shumë bashkatdhetarë të tij. Ai thjesht ishte një artist  i madh, për mendimin tim piktori më i madh dhe më i njohur i Ballkanit, i kohës, i cili në tablotë e tij më shumë se asnjë piktor tjetër paraqiti dhe bëri të pavdekshëm koloritin ballkanik, me tablo e motive shumë të pasura të të gjithë popujve të Ballkanit, edhe pse duhet pranuar hapur se motivet e tij më të preferuara kanë qenë motivet shqiptare, veshja, doket, Besa, Besëprerja, ndëshkimi i tradhtisë, karakteri luftarak i shqiptarit, shpirti i sakrificës e të tjera. Të gjitha këto elemente i gjejmë të pasqyruara në tablotë e pikturat e tij, ashtu sikur gjenden edhe sa e sa motive nga historia serbe, nga mitologjia serbe, por edhe nga ajo malazeze, hercegovase etj.

Janë shumë të njohura tablotë nga historia e Serbisë si: Kurorëzimi i Dushanit, Mihailo Pupin,  Stefan Deçani, Mbreti Millutin, Aleksander Karagjorgjeviq,  Josip Broz Tito, etj.

Tabloja  “Shpërngulja e serbëve” dhe retushimi i saj i mëvonshëm

Kjo tablo është motivuar nga shpërngulja e të krishterëve nga viset e Kosovës së sotme, pas vitit 1690, kur forcat austriake të ndihmuara nga forcat vendore shqiptare, serbe vllahe e të tjerë  në krye me gjeneralin austriak,  Pikolomini kishin humbur betejën  në Shkup e në Kaçanik dhe nga frika e represionit turk ishin nisur drejt veriut të Ballkanit

Analiza e dy portreteve të shqiptarëve

Piktura “Shqiptari”, në origjinal “Arnaut” e pikturuar me  një realizëm të jashtëzakonshëm, nga Paja Jovanoviq ka nxjerrë në dritë karakterin luftarak dhe stoik të shqiptarit, ka nxjerrë karakterin dhe psikologjinë e tij në fund të shekullit 19-të. Ai ishte shqiptari tipik i kohës sikur,  Mic Sokolit, Sefë Koshares, Sylejman Vokshit, Ali Ibrës, Jakup Ferrit e shumë të tjerë.  Tiparet e tij, fiziku i lidhur sikur i personazheve antike të Homerit,  armët në brez dhe gatishmëria për sakrificë janë tërësia e derdhur me mjeshtërinë e ngjyrave e të brushës, por edhe imagjinata kreative, realiste për të bërë të pavdekshme një epokë.

Portreti i shqiptarit të vjetër, është po ashtu një krijim autentik, origjinal, i cili pasqyron stoicizmin shekullor shqiptar, qëndresën, fizikun i cili bëhet një me gurin dhe duket sikur njeri prej guri, gjithnjë i gatshëm për të sulmuar armikun atje nuk e priste. Ai ka në dorë  pushkën e gjatë, pushkën arnaute, hutën e preferuar, pastaj në brez shpatën, patllaken, secilën për masë të vet.

Pa pikturat e tablotë artistike të këtij piktori të madh, perceptimi dhe imagjinata jonë për ta pasqyruar të kaluarën do të kishte qenë edhe më e varfër sesa është. Brushat dhe ngjyrat e piktorëve asokohe kanë qenë ashtu si aparati fotografik apo kamera e sotme. Pa veprat e tyre nuk do të mund të ktheheshim lehtë në pasqyrimin artistik e realist të kohëve të kaluara.

Ahmet Qeriqi,  Shkurt 2015 /radiokosovaelire.com /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here