Në vitin 1831 në qytetin e Shkodrës hynë në funksion spitali i parë shqiptar. Ky spital fillimisht ishte në shërbim të ushtrisë turke, dhe ishte spitali i parë në Shkodër por edhe në gjithë Shqipërinë.
Spitali ndodhej në lagjen Ajasma, dhe kishte një kapacitet prej 80 shtretërish të vendosur në dy salla.
Më vonë në vitet 1850-1860 spitali u transferua në lagjen Partizani.
Ndërtesa e re e spitalit ishte shumë e madhe dy katëshe, në katin e parë ishte ambulanca, farmacia, drejtoria dhe administrata, në të dytin dhoma për të sëmurë, ku normalisht ishin vendosur 200 shtretër, kapacitet që erdhi gjithnjë duke u rritur aq sa në dhjetë vjeçarin e parë të shekullit tonë kapaciteti i tij arriti në 300 shtretër.
Ka qenë i pajisur me sallë operacioni, ku kryheshin të gjitha llojet e operacioneve, kishte autoklavë, sterilizator. Spitali pati jetë deri në 1916, ku pasi e dëmtuan serbët, austro-hungarezët e kthyen në magazinë.