Koleksionisti Artan Lame ka publikuar një fotografi mjaft interesante të një konteshe austriake e cila kishte ardhur për vizitë në Shqipëri në vitet 1930.
Ajo që e bën më interesante vizitën e saj është automjeti me të cilin ajo kishte përshkuar një pjesë të Shqipërisë së varfër të atyre viteve.
Në fotografinë e publikuar nga Lame, shfaqet kontesha e re austriake bashkë me shoqen e saj, ndaluar në një nga kthesat e Qafë Krrabës e përballë tyre një plak shqiptar i cili shfaq varfërinë e mjerimin e Shqipërisë së atyre viteve.
“Edhe sot, kjo do të bënte përshtypje. Marion Grafin Donhoff (1909-2002), ka qenë një konteshë austriake, nga ato gratë energjike, të mbetura pa qëllim pas fundit të “belle epoque”, që vinin vërdallë nëpër skutat e Evropës për të gjetur emocion.
Në vitin 1936, bashkë me një shoqen e saj, bën një udhëtim me makinë nëpër Shqipëri, duke u bërë një prej sensacioneve më të forta të kohës. Dy femra, vajza të reja, që udhëtonin me veturë të hapur -gjëja më moderne e kohës-, udhëve të zhavorta të Shqipërisë post’osmane.
Ngjan si temë për film. Në foto, Marion e fotografuar nga shoqja e vet, në një nga kthesat e Qafë Krrabës. Kjo foto që ka shërbyer edhe si kopertinë për librin e kujtimeve të saj, është një prej më të bukurave. E mbushur plot kontraste, kontradikta e trishtim, mes vajzës së re që sheh për së larti dhe plakut shqiptar të ngrirë përdhe në të shkuarën e vet”– shkruan studiuesi Artan Lame. /konica.al/