6.1 C
Pristina
Saturday, March 6, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Anastasius i Parë - Perandor i Bizantit

Anastasius i Parë – Perandor i Bizantit

NGA LORENC RABETA

I përkiste Ariadnes, të vesë së Perandorit të zgjidhte pasuesin e bashkëshortit të saj të vdekur. Por, për habinë e të gjithëve, më 11 prill të vitit 491, Ariadne la pas çdo parashikim duke ngjitur në fronin e Perandorit Flavius Anastasiusin, një administrator civil thuajse të panjohur, por njëherësh edhe shumë të suksesshëm në financat e shtetit.

Si pak zona të tjera, përgjatë shekujve, trevat ilire kanë furnizuar vazhdimisht Perandoritë Romake si atë të Perëndimit, ashtu edhe atë të Lindjes (Bizantit), me një seri të tërë perandorësh. Mes tyre, një ndër më të spikaturit është Flavius Anastasius, apo Anastasius I (për grekët Anastasi), njeriu që lindi në Durrës dhe hap pas hapi diti të ngjisë shkallët e pushtetit për t’u ulur një ditë në fronin suprem të Perandorisë Romake të Lindjes.


Një ngjitje e tillë nuk ishte aspak e lehtë dhe erdhi si pasojë e një intrige shekspiriane të zhvilluar në qarqet më të larta të oborrit të Perandorit të atëhershëm Zeno. Duke qenë se Perandori Zeno ishte izaurian, përbërja e oborrit të tij kishte një përbërje të lartë aristokratësh me origjinë nga ky vend, të cilët mbanin nën ndikimin e tyre gjithë perandorinë. Veç kësaj, Perandori kishte edhe një vëlla, Longinin, që, siç duhet të ndodhte edhe natyrshëm, mendohej t’i zinte vendin në krye të perandorisë. I përkiste Ariadnes, të vesë së Perandorit të zgjidhte pasuesin e bashkëshortit të saj të vdekur. Por, për habinë e të gjithëve, më 11 prill të vitit 491, Ariadne la pas çdo parashikim duke ngjitur në fronin e Perandorit Flavius Anastasiusin, një administrator civil thuajse të panjohur, por njëherësh edhe shumë të suksesshëm në financat e shtetit.
Një muaj pas kësaj zgjedhjeje të papritur, ajo edhe u martua me administratorin 61-vjeçar duke mënjanuar kështu çdo lloj pretendimi tjetër për fronin. Ariadnes iu desh të përballej edhe me një kundërshtim të fortë edhe nga ana e Kishës Ortodokse, pasi Patriarku i Konstantinopojës e kundërshtoi me të gjitha forcat këtë zgjedhje, duke parë se prirjet teologjike të Anastasiusit binin ndesh me të tijat. Megjithë trazirat që pasuan menjëherë pas këtij vendimi, zgjedhja e Ariadnes rezultoi tepër e zgjuar dhe me vend. Duke ngjitur Anastasiusin në fronin e Perandorit, Ariadne ia doli të shmangte gjakderdhjet pa fund që shoqëronin çaste të tilla, t’i jepte fund dominimit të izaurianëve të frikshëm, si edhe të vendoste në krye të perandorisë një njeri që diti ta drejtonte atë për 27 vite (deri ditën kur vdiq) në mënyrë shumë të suksesshme. Për t’u nënvizuar është edhe fakti se ndodhte rëndom që perandorët të vinin nga radhët e ushtrisë, mbështetja e së cilës u siguronte edhe ngjitjen në pushtet, ndërkohë që burokratët civilë luanin një rol të dorës së dytë në shkallën hierarkike të perandorisë, gjë që nuk u linte shumë shanse për pretendime të tilla.
Bashkë me ngjitjen në fronin e Perandorit, Anastasiusi, i cili njihet edhe me nofkën “Dicorus” (për shkak të syve me ngjyra të ndryshme; njëri i zi, tjetri blu), u përball me një reaksion të ashpër nga ana e izaurianëve. Për këtë arsye Perandori i lindur në Durrës e degdisi pretendentin për fron, Longinin, në Tebaid të Egjiptit ku edhe u la të vdiste nga uria. Më pas një numër i madh aristokratësh e ushtarakësh me origjinë izauriane u dëbuan nga Konstantinopoja. Këto masa provokuan një revoltë të frikshme izauriane. Megjithëse ushtria e tyre e kryesuar nga Longini i Kardalasë u mposht në mënyrë të rrufeshme në vitin 491, vetëm në vitin 498 Anastasiusi arriti të shuajë vatrat izauriane të rezistencës dhe t’i shkulte nga fortesat e tyre.


Ndërsa pozita e Anastasiusit nuk ishte ndër rangjet më të lartë në oborrin e Zenos, njohuritë e tij në çështjet fetare ishin tejet të gjëra dhe çmoheshin së tepërmi, aq sa në vitin 488 thuajse u emërua kryepeshkop i Antiokesë. Por njëherësh këto njohuri dhe aktiviteti i dendur në jetën fetare të perandorisë do të ishin edhe shkaktari kryesor i kokëçarjeve që e ndoqën gjatë gjithë periudhës së mbretërimit. Anastasius u ngjit në pushtet gjatë viteve kur Skizma (mosmarrëveshjet teologjike mes Kishës Katolike të Perëndimit e Kishës Ortodokse të Lindjes që shpunë më pas edhe në ndarjen e tyre përfundimtare) ishte në rend të ditës.


Pak vite më parë ishte mbajtur Koncili i Kalkedonisë, i cili dekretoi tezën e natyrës së dyfishtë të Krishtit (njerëzore dhe hyjnore), gjë që e kundërshtonin me të gjitha forcat Monofizitët, të cilët çirreshin se natyra e Krishtit ishte një e vetme dhe hyjnore. Paraardhësi i tij, Perandori Zeno kishte dashur t’i zbuste këto debate që shpesh degjeneronin në përplasje të armatosura, duke shpallur Henotikonin, doktrinë që përmes një formule disi të paqartë përpiqej të kënaqte të dyja palët. Duke u shprehur me shumë kujdes mbi dynatyrshmërinë e Krishtit, Perandori izaurian përpiqej të qetësonte edhe shpirtërat e ndezur të monofizitëve.


Në të vërtetë Henotikoni nuk kënaqi asnjërën palë, përkundrazi, i ndezi edhe më shumë gjakrat. Në një Sinod të mbajtur në Romë ku u thirrën 484 peshkopë, Papa Feliksi III shkishëroi Akacuisin, Patriarkun e Konstantinopojës dhe gjithë pasuesit e tij që mbështesnin Henotikonin. Akacius u përgjigj duke hequr emrin e Papës nga librat e lutjeve dhe duke persekutuar katolikët e Konstantinopojës. Në çastin që u ngjit në pushtet, Anastasiusi e gjeti konfliktin më të ndezur se kurrë më parë, gjë që e bëri t’i hidhte hapat me shumë kujdes.
Megjithëse me prirje të forta monofizite, fillimisht Perandori la në krye të Patriarkanës së Konstantinopojës dy Patriarkë Kalkedonianë, Eufemin dhe Maqedonin, të cilët njëri pas tjetrit u dëbuan për t’u zëvendësuar në vitin 512 nga monofiziti Severi. Vendosja e Patriarkut monofizit në krye të Kishës Ortodokse u shoqërua menjëherë nga revolta të ashpra në kryeqytet. Gjithashtu, një situatë e tillë u shfrytëzua dhe nga një ushtarak i rangjeve të lartë i quajtur Vitalian, magister militum (guvernator ushtarak) i provincës së Thrakës, i cili, i mbështetur nga Papa, marshoi drejt kryeqytetit nën pretekstin e kthimit në fuqi të Dekretit të Kalkedonisë. Pas vështirësish të shumta, Vitaliani u mund në vitin 515 dhe u fsheh menjëherë pas kësaj.
Përpjekjet e Anastasiusit për të vendosur edhe në Jeruzalem një Patriark monofizit provokuan revolta masive dhe Perandori e pa të drejtë të mos ngulmonte e të tregohej i kujdesshëm. Ndërkohë që tentativat e dobta për një bashkim me Kishën e Romës nuk dhanë fryte. Roma pranonte ta tërhiqte shkishërimin ndaj Patriarkanës së Konstantinopojës vetëm nëse Perandori dorëzohej dhe pranonte dekretin e Kalcedonisë. Përmes korrespondencës që mbajti personalisht me Anastasiusin, Papa Gelazi vinte theksin mbi raportin Shtet-Kishë dhe supremacinë që Kisha Katolike duhet të kishte mbi Kishën Ortodokse. Gelasius shtonte se Bota qeverisej nga dy fuqi; nga autoriteti i shenjtëruar i njerëzve të fesë dhe nga pushteti i sundimtarëve, ku pa dyshim dominues duhet të ishte autoriteti i njerëzve të fesë si barinj dhe kujdestarë të mirëqenies shpirtërore të popujve. Më pas, përmes një formule të famshme, Papa nënvizonte se roli i Perandorit ishte ta mësonte vetë fenë, jo t’ua mësonte atë të tjerëve.

Ngjitja e Anastasiusit në fronin e Perandorisë së Lindjes përkon me fillimet e dyndjes sllave drejt Gadishullit Ballkanik (vitet 500-700). Për të mbrojtur Perandorinë nga ky rrezik, në vitin 512, Anastasiusi urdhëroi ndërtimin e një muri që shtrihej nga Deti i Zi në Detin e Marmarasë. Qyteti i tij i lindjes, Durrësi, i cili disa vite më parë thuajse ishte rrënuar nga një tërmet i fuqishëm, u rindërtua bashkë me muret mbrojtës. Një e dhënë mbi këtë fakt na vjen nga Ana Komnena, e cila shkruan se, pas rindërtimit muret e qytetit ishin aq të gjerë, sa mbi ta mund të ecnin krah për krah katër kalorës.
Ky shpenzim i përmasave vigane u bë i mundur vetëm pas zhdukjes së kërcënimit Ostrogot që qëndronte pezull mbi Perandorinë e Lindjes që në kohën e mbretërimit të Zenos. Mbreti i tyre, Teodoriku, shfaqte hapur synimin për t’u vendosur në Gadishullin Ballkanik. Por për fat të mirë rreziku Ostrogot u shty drejt brigjeve të Italisë, ku Teodoriku ngriti edhe mbretërinë e tij. Si edhe paraardhësit e tij, Odoakeri e Alariku, Teodoriku ishte njëherësh Magister Millitum dhe Mbret.


Në bazë të marrëveshjes që kishte bërë me Anastasiusin, ai mbetej mbret i Italisë, por nën vasalitetin e Perandorit Ilir. E drejta ligjvënëse i mbetej ekskluzivisht Anastasiusit, ndërkohë që në të gjithë aspektet praktikë Teodoriku mbretëronte i pavarur. Megjithatë një konflikt u ndez mes tyre në vitet 505-510 për shkak të Panonisë. Në vitin 502 shpërtheu një konflikt i ashpër me Persinë, ndërsa Anastasiusi refuzoi të paguante një pjesë të shpenzimeve për ndërtimin e një muri mbrojtës në Portat Kaukaziane, një zonë përmes së cilës shumë shpesh popujt nomadë sulmonin Persinë e Bizantin. Fillimisht, ushtria e tij pësoi një numër disfatash të vogla, por më pas kori disa suksese radhazi duke arritur t’i impononte Persisë një paqe të qëndrueshme, e cila u shoqërua nga ndërtime të shumta fortifikuese në kufirin mes dy perandorive.


Por suksesin e vërtetë Perandori Ilir e arriti në fushën e administrimit dhe financave të shtetit. Personalisht qe nismëtar i heqjes së chrysargyronit (taksë që paguhej çdo katër vjet në flori apo argjend), një taksë që rëndonte ndjeshëm mbi gjendjen ekonomike të popullsisë. Anastasiusi është bërë shumë i njohur për krijimin e një lloji të re monedhe bronxi që shënon edhe fundin e përdorimit të monedhave romake dhe fillimin e përdorimit të atyre bizantine. Në vend të monedhave shumë të mëdha, të cilat përdoreshin që në kohën e Dioklecianit, ai prodhoi një sasi të konsiderueshme monedhash të vogla bronxi, ku përmes një numri grek (M=40) tregohej edhe vlera e tyre. Kjo prerje u përdor si monedhë zyrtare në botën Bizantine për më shumë se tre shekuj.
Në vitin 498 Anastasius hoqi edhe collatio lustralis, një taksë mbi artizanët, si dhe uli numrin e ratave të taksës mbi tokën. Heqja e këtyre taksave u shoqërua me masa administrative që shtuan ndjeshëm eficiencën në mbledhjen e taksave të tjera. Këto masa i dhanë një hov ekonomisë dhe sollën një fuqizim të paparë të financave të shtetit. Në fund të mbretërimit, Anastasius kishte mbledhur në arkat e shtetit sasinë e pabesueshme për kohën prej 320.000 livrash flori.


Perandori Ilir i Bizantit vdiq në vitin 518 dhe u varros bashkë me Ariadnen në Kishën e Apostujve të Shenjtë në Konstantinopojë. Për fat të keq, duke qenë se martesa e tyre u bë kur të dy ishin në moshë të thyer, ata nuk mundën të kenë fëmijë, për rrjedhojë nuk lanë një trashëgimtar për Fronin. Ishte radha e një tjetër njeriu të lindur në trevat ilire të ngjitej në Fronin Suprem të Perandorisë së Lindjes. Justini, pasardhësi i Perandorit Anastasius, që njëherësh ishte edhe nipi i tij, e mori në dorë shtetin me një administratë të shëndetshme, me financa të shkëlqyera, me një ushtri të fortë dhe me një arkë të mbushur si kurrë më parë, arritje që e bëjnë Perandorin e lindur në Dyrrah një ndër më të suksesshmit në historinë e Bizantit. /InforCulture.info


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Vendi i parë në Evropë që lejon hyrjen e pasagjerëve të pavaksinuar

Numri i rasteve të regjistruara rishtas është krejt i vogël, dhe njerëzit e vaksinuar, si dhe ata që janë rikuperuar nga koronavirusi...

Historia e një greku që u vra për Shqipërinë(Video)

Histori e jashtzakonshme e një njeriu që dha jetën për Shqipërinë,ësht ajo e Lefter Talos nga zona  Vurgut që i përkiste minoritetit...

Ishulli grek pa Covid-19, të gjithë banorët të vaksinuar

Vendi i parë pa Covid-19 në Evropë është ishulli Kastelorizo në Greqi, ku të gjithë banorët janë vaksinuar.Një...

Pse Cezari tha frazën e njohur: “Erdha, pashë, fitova”?

Pse i konsideroi banorët e Britanisë, “hordhi barbarësh që shkëmbejnë gratë dhe torturojnë pulat”.Fraza e famshme e Jul Cezarit përmbledh fitoren e...

Recent Comments