Gati një vit të shkuar nga Arkivi i Topkapi Sarajit në Stamboll erdhi më në fund përgjigjja se dokumenti E9695 që kisha kërkuar prej kohësh ishte miratuar për botim.
I përmendur për herë të pare nga studiuesi turk Tahsin Öz në një shkrim mbi periudhën e Sulltan Mehmetit të II-të fatkeqësisht ky dokument Persian nuk ishte i përkthyer asnjëherë.
Dr. Oz përmend se në dokument kishte mundur të dallonte fjalen Akhisar por pa shtjelluar më asnjë shpjegim. Ishte kjo e dhënë që na bëri të besojmë se ky dokument mund të kishte lidhje me Krujën e Skënderbeut .
Dokumenti i ardhur nga Stambolli i cili sot botohet nga DITA për herë të pare është i shkruar në persishten e vjetër dhe deri më sot nuk ishte përkthyer nga asnjë studiues i fushës. Interesant është fakti se për arsye të ndryshme dokumenti i ka shpëtuar vëmendjes së historianëve të periudhës së Sulltan Mehmetit të II-të si dhe marrdhënieve të tij me Venecian, veçanërisht në lidhje me territoret shqiptare.
Në rrugën e gjatë të përkthimit të këtij dokumenti janë përfshirë një sërë orientalistësh të disa prej universiteteve më të mira në Amerikë. Duke filluar nga miku im i vjetër, Viktor Freedman nga Instituti i Studimeve Orientale në Universitetin e Çikagos, i cili rekomandoi një sërë studiuesish të fushës, e deri tek disa profesorë iranianë të Universitetit të Kalifornias. Fatkeqësisht, të gjithë u dorëzuan nga stili i vështirë i këtij dokumenti të pazakontë.
Kërkesa për ndihmë nga Ambasada e Iranit në Tiranë nuk dha fryte dhe ndoshta lutja për përkthimin e një dokumenti nga persishtja mesjetare mund të ketë humbur në kanalet e burokracisë iraniane. Mbas 8 muajsh përpjekjesh, rastësisht kërkesës sime për ndihmë iu përgjigj një emër totalisht i pa njohur për mua, por një ndër emrat më të rëndësishëm botërorë të studimeve orientale, Prof.Wheeler Thackston nga Universiteti i Harvardit, i njohur veçanërisht për veprat monumentale të përkthimit në Farsi, Arabishten Klasike si dhe kujtimet e Perandorëve Mugale të njohura si Babur Name dhe Jahangir Name.
Njohuritë e thella në Arabishten Levantine, Ottomanisht, Uzbek dhe Kurdish i kanë dhënë atij një famë të madhe në lëmin e orientalizmit. E megjithatë edhe Prof. Thackston e kishte të vështirë si fillim përkthimin e këtij dokumenti të rrallë. Për disa javë me rradhë kemi komunikuar në përgjithësi natën deri në mëngjes pasi profesori, me sa dukej ulej të punonte në pasditen e vonë që i binte gati mëngjes në Tiranë.
-“Auron – shkruante Profesori – kaligrafia e këtij dokumenti i quajtur Nasta’liq është një formë e shkrimit mesjetar Persian, por ky dokument është ajo kaligrafi që ne e quajmë Ta’liq, një formë djallëzore e të shkruajturës persisht. Në mënyrë të përsëritur, shkronjësit e vjetër vendosnin pika të cilat ti nuk do ti lexosh dhe lënë jashtë ato pika të cilat ti duhet ti lexosh”
Në fakt përcaktimi i këtij dokumenti nga Prof. Wheeler si dokument i shkruar në kaligrafinë persiane Ta’liq ishte një hap i rëndësishëm për të përcaktuar vërtetësinë e tij si një dokument i dalë nga shkruesit mbretërorë të Sulltanit. Kjo kaligrafi e persishtes mesjetare përdorej kryesisht në korespondenca zyrtare të Portes së Lartë në fillimet e shtetit Otoman.
*****
Dokumenti E9695 përbëhet nga 22 vargje të shkruara në mënyrën më elegante të mundshme. Në krye duhet të ketë pasur Tugren (vulën) sulltanore e cila mungon si dhe emrin e Sundimtarit të cilit ky dokument duhet t’i jetë drejtuar. Ka disa ide të ndryshme se kujt personazhi mund ti jetë drejtuar ky dokument . Në fillimin e punës për përkthimin e këtij dokumenti Prof. Thackston dalloi se bëhej fjalëpër pushtimin e një Kështjelle të quajtur Akhisar.
“Në vështrimin e parë mendoj se është një mënyrë e retorikës së lartë Persiane për të thënë gati asgjë përveç faktit se një Fortesë e fuqishme është pushtuar. Dalloj fjalën Aqcha Hisar dhe Mevlana Murad Celebi ” – shkruante Profesori.
Në fakt, të dhënat e para nga Prof. Thackston ishin me shumë interes, pasi Akhisar apo Kështjella e Bardhë ishte emri me të cilin otomanet quanin fortesën e fuqishme të Krujës, e cila me rezistencën e saj kishte lënë gjurmë të thella në Oborrin Sulltanor.
Ndërkohë Mevlana Murad Celebi është një emër tejet intrigues, pasi mund të kemi një të dhënë të rëndësishme historike për pjesmarrjen e një pasardhësi të familjes së Xhelaledin Rumit në rrethimin e Krujës. Titulli Mevlana, në përgjithësi, mbahej nga pasardhësit e Rumit. Nga konsultimi me burimet e kohës mendojmë se dokumenti ynë duhet ti referohet Karaman Mehmed Pashës një pasardhës i Xhelaledin Rumit i ngjitur deri në shkallën e Vezirit të Madh gjatë periudhës së Mehmetit të II.
Sipas Dr. Mehmet Tutuncu, specialist i Otomanishtes së vjetër, dokumenti është datuar sipas sistemit Arab 4 Rebiul Sani (5 korrik) por pa dhënë një vit specifik. Por nga përmbajtja e dokumentit (rënia e Krujës) mund të nxjerrim përfundimin se ai është shkruar në Hixher 883 apo në kalendarin gregorian 1478. Dokumenti Persian mund tëthemi se mban datën e 5 Korrikut 1478.
Më poshtë po japim një përkthim të përafërt me transkriptimin e bërë nga Prof. Thackston Wheler i Universitetit të Harvardit. /njekomb.org /InforCulture.info