Më 30 maj 1778 u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare shkrimtari dhe filozofi i shquar francez Voltaire (François-Marie Arouet).
Me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të “njeriut të shekullit të XVIII”, gazeta “Le Rappel” ka botuar, të shtunën e 1 qershorit 1878, në ballinë, fjalimin historik që i është dedikuar asokohe nga shkrimtari dhe politikani i shquar francez, Victor Hugo, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Si sot njëqind vite më parë një njeri vraponte. Vdiq i pavdekshëm. U largua me vitet, veprat, përgjegjësitë më të ndritshme dhe më të frikshme, përgjegjësinë e ndërgjegjes njerëzore të paralajmëruar dhe të korrigjuar. Ai u largua i mallkuar dhe i bekuar, i mallkuar në të kaluarën, i bekuar nga e ardhmja, dhe këto janë, zotërinj, dy format e shkëlqyera të lavdisë. Ai kishte në shtratin e tij të vdekjes, në njërën anë, brohoritjen (dashamirësinë) e bashkëkohësve dhe të brezave, në anën tjetër, këtë triumf të fishkëllimës dhe urrejtjes që e kaluara e pamëshirshme u rezervon atyre që luftuan kundër saj. Ai ishte më shumë se një njeri, ishte një shekull. Ai kishte ushtruar një funksion dhe kishte përmbushur një mision. Ai ishte zgjedhur padyshim për punën që kishte bërë falë vullnetit suprem i cili manifestohet si dukshëm në ligjet e fatit (të ardhmes) ashtu edhe në ato të natyrës. Tetëdhjetë e katër vitet që ky njeri jetoi përfshijnë intervalin që ndan monarkinë në kulmin e saj nga revolucioni në agimin e tij. Kur lindi, Luigji XIV ishte ende mbret, kur vdiq, Luigji XVI mbretëronte tashmë, në këtë mënyrë djepi i tij arriti të shohë rrezet e fundit të fronit të madh dhe arkivoli i tij, dritat e para të humnerës së madhe. (Duartrokitje.)
Zotërinj, para se të shkoj më tej, le të biem dakord, për fjalën humnerë; ka humnera të mira; këto janë humnerat ku bie e keqja. (Te lumtë!)
Zotërinj, pasi u ndalova pak çaste, më mirëkuptoni që duhet të përfundoj mendimin tim. Asnjë fjalë e pakujdesshme ose djallëzore nuk do të flitet këtu. Ne jemi këtu për mbajtur një qëndrim qytetar. Ne jemi këtu për të pohuar progresin, për të mirëpritur mirëbërjen e filozofisë (filozofëve), për t’i dëshmuar shekullit të XVIII mirënjohjen e atij të XIX, për të nderuar luftëtarët madhështorë dhe shërbëtorët e mirë, për të uruar përpjekjen fisnike të popujve, industrisë, shkencës, marshimin e guximshëm përpara, punën, për të çimentuar harmoninë njerëzore, me një fjalë për të lavdëruar paqen, këtë vullnet sublim universal. Paqja është virtyt i civilizimit, lufta është krim. (Duartrokitje.) Ne jemi këtu, në këtë moment madhështor, në këtë orë solemne, për tu përulur me besim para ligjit moral dhe t’i themi botës që dëgjon Francën, këtë : Ka vetëm një fuqi, vetëdija në shërbim të drejtësisë; dhe ka vetëm një lavdi, gjenia në shërbim të së vërtetës. (Lëvizje.)
Pas kësaj, dua të vazhdoj.
Zotërinj, para Revolucionit, ndërtimi shoqëror ishte ky :
Poshtë, populli;
Mbi popullin, feja e përfaqësuar nga kleri,
Krahas fesë, drejtësia e përfaqësuar nga gjyqësori.
Dhe, në atë kohë në shoqërinë njerëzore, kush ishte populli ? Ishte injoranca (padituria). Cila ishte feja ? Ishte rreptësia (ndëshkimi). Dhe çfarë ishte drejtësia ? Ishte padrejtësia.
A po shkoj shumë larg me fjalët e mia ?
Do ta kufizoj veten duke cituar dy fakte, por vendimtare.
Në Toulouse, më 13 tetor 1762, ne gjejmë në bodrumin e një shtëpie një djalë të ri të varur. Turma u rebelua, kleri u nxeh, gjyqësori informoi.
Ishte një vetëvrasje, por e shpallën vrasje. Për cilin interes ? Në interes të fesë. Dhe kë po akuzonin ? Babain. Ishte një protestant (huguenot), dhe donte të pengonte djalin e tij që të bëhej katolik. Ekziston një lloj makabre morale dhe pamundësie materiale; broçkulla ! ky baba vrau djalin e tij, ky plak ka varur këtë djalë të ri. Drejtësia punoi, dhe doli me këtë përfundim. Më 9 Mars 1762, një burrë me flokë të bardha, Jean Calas, u soll para një sheshi publik të cilin, e zhveshën lakuriq, e shtrinë mbi një rrotë, i lidhën gjymtyrët dhe e varën me kokën poshtë. Tre burra gjendeshin aty, mbi podium, një gjykatës, i quajtur David, i ngarkuar që të kujdesej për të tortëruarin, një prift, i cili mbante kryqin dhe xhelati, me një shufër hekuri në dorë. I pandehuri, i çuditur dhe i tmerruar, nuk shikonte priftin por xhelatin. Xhelati ngre lart shufrën e hekurt dhe i thyen krahun. Viktima ulërin dhe i bie të fikët. Gjykatësi nxitohet t’i japë të dënuarit të nuhasë disa kripëra, kështu ai bëhet i vetëdijshëm; pastaj prapë një goditje tjetër me shufrën, ulërimë e re, Calas humb sërish vetëdijen; e zgjojnë dhe xhelati fillon përsëri; dhe për faktin se secila gjymtyrë duhej thyer në dy vende, ai merr dy goditje çdo herë, pra gjithsej tetë. Pas humbjes së ndjenjave për të tetën herë, prifti i ofron atij kryqin që ta puthë, Calas i kthen kokën, dhe xhelati i jep goditjen e fundit, domethënë, i shtyp gjoksin me skajin e madh të shufrës së hekurt. Kështu dha frymë Calas. Kjo zgjati dy orë. Pas vdekjes së tij, u shfaqën provat e vetëvrasjes. Por një atentat ishte kryer. Nga kush ? Nga gjykatësit. (Reagim. Duartrokitje.)
Fakt tjetër. Pas plakut, një djalë i ri. Tre vite më vonë, në 1765, në Abbeville, të nesërmen e një nate të stuhishme dhe me erëra të forta, mbledhin për tokë mbi trotuarin e një ure një kryq të vjetër, i cili për tre shekuj ishte gozhduar (vënë) mbi një parapet (mur). Kush e hodhi përtokë këtë kryq ? Kush e bëri këtë sakrilegj ? Nuk e dimë. Ndoshta një kalimtar. Ndoshta era. Kush është fajtor ? Peshkopi i Amiens lëshon një hetim fetar. Ja çfarë është hetimi fetar : është një urdhër për të gjithë besimtarët, nën dënimin e ferrit, të thonë atë që dinë ose mendojnë se dinë për këtë apo atë fakt; rendi vrastar i fanatizmit deri në injorancë. Hetimi fetar i peshkopit të Amiens funksionon, zmadhimi i thashethemeve merr përmasat e denoncimit. Drejtësia zbulon, ose pretendon se ka zbuluar, se natën kur kryqi ra përtokë, dy burra, dy oficerë, njëri me emrin Labarre, tjetri Etallonde, kaluan mbi urën e Abbeville, ndërsa ata ishin të dehur dhe këndonin një këngë rojesh ushtarake. Gjykata e Abbeville është kompetente për këtë çështje. Gjykatësit e Abbeville vlejnë një lloj si ata të Toulouse. Ata nuk janë më shumë të drejtë, kështu lëshuan dy urdhër-arreste. D’Etallonde u shpëtoi (u arratis), Labarre u kap. E çuan para hetimit gjyqësor. Ai mohon të ketë kaluar mbi urë, por pranon se ka kënduar këngën. Gjykata e Abbeville e dënoi, por ai apeloi në parlamentin e Parisit. E çojnë në Paris, por dënimi u duk i drejtë dhe e konfirmuan. E sjellin përsëri në Abbeville, të lidhur me zinxhirë. Shkurtimisht, momenti i tmerrshëm po afronte ! Fillojnë t’i bëjnë kalorësit Labarre pyetjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme me qëllim që ai të rrëfejë bashkëpunëtorët e tij; por cilët bashkëpunëtorë ? që ka kaluar një urë dhe ka kënduar një këngë; ata i thyejnë një gju gjatë torturës; rrëfyesit të tij, kur dëgjoi të thyheshin kockat, i ra të fikët; të nesërmen, 5 qershor 1766, Labarre tërhiqet zvarrë para sheshit të madh të Abbeville, ku po digjej një turrë me dru; i lexojnë vendimin e dënimit dhe pastaj i presin grushtin, dhe në vijim gjuhën me një copë hekuri, dhe më në fund, për mëshirë, i presin kokën dhe e hedhin në turrën e druve. Kështu vdiq kalorësi Labarre. Ai ishte nëntëmbëdhjetë vjeç. (Moment e gjatë dhe e thellë.)
Pra, o Voltaire, ti shqiptove një klithmë tmerri dhe do të jetë lavdia jote e përjetshme! (Duartrokitje e dyfishuar.)
Kështu ti fillove gjyqin e tmerrshëm të së kaluarës, ti mbrojte kundra tiranëve dhe mostrave çështjen humane, dhe ti ia arrite. Njeri i madh, qofsh përgjithmonë i bekuar! (Duartrokitje e re.)
Zotërinj, gjërat e tmerrshme që sapo kujtova u realizuan në mes të një shoqërie të sjellshme, jeta ishte e gëzuar dhe e lehtë, vinin dhe shkonin, nuk shikonin as lart e as poshtë vetvetes, indiferenca çoi në pakujdesi, poetë të hirshëm, Saint-Aulaire, Boufflers, Gentil-Bernard, shkruajtën vargje të bukura, oborri ishte plot me ahengje, Versaja shkëlqente, Parisi jetonte në injorancë ; dhe gjatë kësaj kohe, nga egërsia fetare, gjyqtarët vranë një plak mbi një rrotë dhe priftërinjtë shqyen gjuhën e një fëmije për një këngë. (Emocion i madh. Duartrokitje.)
Në prani të kësaj shoqërie të egër dhe të turpshme, Voltaire, i vetëm, pasi kishte para syve të tij të gjitha këto forca të bashkuara, gjykatën, fisnikërinë, financat; kjo fuqi e pavetëdijshme, turma e verbër; kjo gjykatë e frikshme, aq e rëndë për të dënuarit, aq servile ndaj të zotit, duke shtypur dhe gjunjëzuar popullin para mbretit (Bravo!), ky kler, i përzier tinëzisht mes hipokrizisë dhe fanatizmit, Voltaire, i vetëm, e përsëris, i shpalli luftë këtij koalicioni të të gjitha pabarazive shoqërore, kësaj bote të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme, dhe ai e pranoi betejën. Dhe cila qe arma e tij ? ajo që ka lehtësinë e erës dhe fuqinë e rrufesë. Një pendë. (Duartrokitje.)
Me këtë armë ai luftoi, me këtë armë ai fitoi (mundi).
Zotërinj, le ta përshëndesim këtë mëndje.
Voltaire fitoi, Voltaire bëri luftë rrezatuese, luftë e një kundër të gjithëve, domethënë luftën e madhe. Lufta e mendimit kundër materies (lëndës), luftën e arsyes kundër paragjykimeve, luftën e të drejtës kundër të padrejtës, luftën për të shtypurit kundër shtypësit, luftën e mirësisë, luftën e butësisë. Ai pati butësinë e një gruaje dhe zemërimin e një heroi. Ai ishte një mëndje e ndritur dhe një zemër e madhe. (Bravo.)
Ai luftoi (mundi) kodin dhe dogmën e vjetër. Ai mundi feudalin, gjyqtarin gotik, priftin romak. Ai e ngriti popullatën në rangun e popullit. Ai mësoi, paqësoi dhe civilizoi. Ai luftoi për Sirven dhe Montbailly si për Calas dhe Labarre; ai pranoi të gjitha kërcënimet, të gjitha zemërimet, të gjitha persekutimet, shpifjet, dëbimin në mërgim. Ai qe i palodhshëm dhe i palëkundur. Ai e mundi dhunën me buzëqeshjen, despotizmin me sarkazmën, pagabueshmërinë me ironinë, kokëfortësinë me këmbënguljen, injorancën me të vërtetën.
Thjesht thashë këtë fjalë, buzëqeshje, do të ndalem këtu. Buzëqeshja është Voltaire.
Zotërinj, le ta themi, sepse paqja është ana e shkëlqyeshme e filozofit, te Voltaire ekuilibri rivendoset gjithmonë. Pavarësisht nga zemërimi i tij i drejtë, ai kalon, dhe Voltaire i irrituar gjithmonë i lë vend atij të qetë. Pastaj, në këtë sy të thellë, shfaqet buzëqeshja.
Kjo buzëqeshje është mençuria. Kjo buzëqeshje, po e përsëris, është Voltaire. Kjo buzëqeshje ndonjëherë shkon deri në qeshje, por trishtimi filozofik e tundon (temporizon) atë. Me të fortët, ai tallet ; më të dobëtit, ai është përkëdhelës. Ajo shqetëson shtypësin dhe siguron të shtypurin. Kundër të mëdhenjve, përballjen; për të vegjlit, keqardhjen. Ah! le të jemi të ndjeshëm nga kjo buzëqeshje. Ai ka pasur ndriçime agimi. Ai ka ndriçuar të vërtetën, të drejtin, të mirën, çfarë ka të ndershme në të dobishmen. Ai ndriçoi brendësinë e bestytnive (supersticioneve); këto shëmtira janë të mira për tu parë; ai i vuri në pah. Duke qenë i zgjuar, ai ishte pjellor. Shoqëria e re, dëshira për barazi dhe koncesion, dhe ky fillim vëllazërie i cili quhet tolerancë, dashamirësia reciproke, vënia në proporcion e burrave dhe të drejtave, arsyeja e njohur si ligj suprem, fshirja e paragjykimeve dhe e mbështetjes së njërës palë, qetësia e shpirtrave, fryma e indulgjencës dhe faljes, harmonia, paqja, kjo është ajo që doli nga ajo buzëqeshje e madhe.
Padyshim që ditën kur identiteti i mençurisë dhe mëshirës do të njihet, ditën kur do të shpallet amnistia, pohoj, se atje lart në yje, Voltaire do të buzëqeshë. (Duartrokitje të trefishta. Thirrjet : Rroftë amnistia!)
Zotërinj, ekzistojnë marrëdhënie misterioze mes dy shërbëtorëve të njerëzimit të cilët janë shfaqur në një interval kohor prej1800 vitesh.
Lufta kundër « pharisaïsm-it », demaskimi i mashtrimit, rrëzimi i tiranive, uzurpimeve, paragjykimeve, gënjeshtrave, bestytnive, prishja e tempullit, dhe pse jo të rindërtohet nga fillimi, domethënë duke zëvendësuar gënjeshtrën me të vërtetën, duke sulmuar gjykatën e egër, duke sulmuar klerin e etur për gjak etj, të merret kamxhiku për të dëbuar shitësit nga vendi i shenjtë, të pretendohet trashëgimia e të privuarve, të mbrohen i dobëti, i varfëri, të vuajturit, të luftohet për të përndjekurit dhe të shtypurit ; kjo ishte lufta e Jezu-Krishit ; dhe cili është njeriu që bën këtë luftë ? Voltaire. (Bravo.)
Puna ungjillore plotësohet nga puna filozofike; fryma e butësisë ka filluar, shpirti i tolerancës ka vazhduar; le ta themi me një ndjenjë të thellë respekti, Jezusi qau, Voltaire buzëqeshi, dhe me këtë lot hyjnor dhe këtë buzëqeshje njerëzore u bë ëmbëlsia e qytetërimit të sotëm. (Duartrokitje e zgjatur.)
A ka buzëqeshur gjithmonë Voltaire ? Jo. Ai ka qenë shpesh i zemëruar (mërzitur). E keni vënë re në fjalët tona të para.
Sigurisht, zotërinj, masa (rregulli), rezerva, proporcioni, ky është ligji suprem i arsyes. Mund të themi se moderimi është vetë frymëmarrja e filozofit. Përpjekja e të mençurit duhet të grupojë (përmbledhë) një lloj sigurie të qetë, përafërsisht prej të cilës përbëhet filozofia. Por në momente të caktuara pasioni për të vërtetën lind fuqishëm dhe dhunshëm dhe është në të drejtën e tij, si erërat e mëdha që pastrojnë (marrin me vete gjithçka). Kurrë, këmbëngul, asnjë i mençur nuk do t’i lëkundë këto dy njerëz të mëdhenj mbështetës të punës sociale, drejtësisë dhe shpresës, dhe të gjithë do ta respektojnë gjyqtarin nëse ai mishëron drejtësinë, dhe të gjithë do të nderojnë priftin nëse ai përfaqëson shpresën. Por nëse magjistratura quhet torturë, nëse Kisha quhet Inkuizicion, atëherë njerëzimi i shikon ato në fytyrë dhe i thotë gjykatësit : Unë nuk e dua ligjin tënd! dhe i thotë priftit : Unë nuk e dua dogmën tënde! Unë nuk e dua turrën e drurëve tuaj në tokë dhe ferrin tuaj në qiell ! (Ndjenjë e gjallë. Duartrokitje të gjata.) Atëherë, filozofi i zemëruar ngrihet dhe e denoncon gjyqtarin para drejtësisë dhe e denoncon priftin para Zotit ! (Duartrokitjet dyfishohen.)
Këtë pra bëri Voltaire. Ai është i madh.
Kush ishte Voltaire, e thashë; cili ishte shekulli i tij, do ta them.
Zotërinj, njerëzit e mëdhenj rrallëherë janë vetëm; pemët e mëdha duken më të mëdha kur dominojnë një pyll; ato gjenden aty në shtëpinë e tyre. Ka një pyll shpirtrash (mëndjesh) rreth Voltaire; ky pyll është shekulli i tetëmbëdhjetë. Midis këtyre shpirtrave, ka disa maja (koka), Montesquieu, Buffon, Beaumarchais, dhe dy ndër të tjerat, më të lartat pas Voltaire, – Rousseau dhe Diderot. Këta mendimtarë i kanë mësuar njerëzit të arsyetojnë; arsyetimi i mirë sjell veprimin e mirë, korrektësia në mendje bëhet drejtësi në zemër. Këta punëtorë të progresit kanë punuar në mënyrë të dobishme. Buffon themeloi natyralizmin; Beaumarchais gjeti, përtej Molière, një komedi të panjohur, pothuajse një komedi shoqërore; Montesquieu bëri kërkime aq të thella në ligj sa arriti të nxjerrë në dritë drejtësinë. Sa i përket Rousseau-së dhe Diderot, le t’i përmendim këto dy emra veç e veç; Diderot, një inteligjencë e gjerë kureshtare, një zemër e butë që ndryshoi drejtësinë, dëshironte të jepte nocione të sigurta si bazë për idetë e vërteta dhe krijoi kështu Enciklopedinë; Rousseau i bëri një shërbim të admirueshëm gruas, ai e plotësoi nënën nëpërmjet foshnjes, ai vendosi njërën afër tjetrës këto dy madhështi të djepit; Rousseau, një shkrimtar elokuent dhe patetik, një ëndërrimtar i thellë oratorik, i cili shpesh herë ka zbuluar dhe shpallur të vërtetën politike; ideali i tij i përafrohet reales ; ai pati lavdinë e të qenurit i pari në Francë që u quajt qytetar; fibra qytetare lëkundet në Rousseau; ajo që lëkundet te Voltaire është fibra universale; mund të thuhet se, në këtë shekull të tetëmbëdhjetë pjellor, Rousseau përfaqëson Popullin; Voltaire, akoma më gjerë, përfaqëson Njeriun. Këta shkrimtarë të fuqishëm janë zhdukur; por ata na lanë shpirtin e tyre, Revolucionin. (Duartrokitje.)
Po, Revolucioni francez është shpirti i tyre. Ai është përhapja e tyre rrezatuese; ai vjen prej tyre; ai gjendet kudo në këtë katastrofë të bekuar dhe të shkëlqyer që mbylli të kaluarën dhe hapi të ardhmen. Në këtë transparencë e cila është specifike për revolucionet, dhe e cila përmes shkaqeve lejon të shohim efektet, dhe nëpërmjet planit të parë shohim dhe të dytin, shohim pas Diderot Danton, pas Rousseau Robespierre, dhe pas Voltaire Mirabeau. Këta i bënë ata.
Zotërinj, t’u bësh rezyme disa epokava falë emrave të njerëzve, të emërosh shekujt, t’i bësh disa prej tyre personazhe njerëzore, kjo mundësi u është dhënë vetëm tri popujve, Greqisë, Italisë, Francës. Themi shekulli i Perikliut, shekulli i Augustit, shekulli i Leon X, shekulli i Luigjit XIV, shekulli i Voltaire. Këto emra kanë një kuptim të madh. Ky privilegj, që tu vihen emra shekujve, ekskluzivisht për Greqinë, Italinë dhe Francën, është shenja më e lartë e qytetërimit. Deri te Voltaire, këto janë emra krerësh shtetesh; Voltaire është më shumë se një kryetar shteti, ai është një kryetar idesh. Me Voltaire fillon një cikël i ri. Ne e ndiejmë se tani e tutje fuqia e lartë drejtuese e njerëzimit është mendimi. Qytetërimi iu bindte forcës, tani ai do t’i bindet idealit. Është fundi i skeptrit dhe shpatës të zëvendësuar nga rrezja; domethënë, autoriteti i shndërruar në liri. Asnjë sovranitet tjetër përveç ligjit për njerëzit dhe ndërgjegjjes për individin. Për secilin nga ne, dy aspektet e progresit dalin qartë, dhe këtu ato janë : ushtrimi i së drejtës, domethënë të qënit njeri; përmbushja e detyrës, domethënë të qënit qytetar.
I tillë është kuptimi i kësaj fjale, shekulli i Voltaire; ky është kuptimi i kësaj ngjarje supreme, Revolucioni francez.
Dy shekujt e paharrueshëm që i paraprinë shekullit të tetëmbëdhjetë e kishin përgatitur; Rabelais paralajmëron për të drejtat e familjes në « Gargantua », dhe Molière paralajmëron kishën në « Tartuffe ». Urrejtja e forcës dhe respekti për ligjin (drejtësinë) janë të dukshme te këto dy mendje të shquara.
Kushdo që thotë sot : forca ka përparësi mbi ligjin, është veprim mesjetar dhe u flet njerëzve duke u kthyer mbrapa treqind vite. (Duartrokitje të përsëritura.)
Zotërinj, shekulli i nëntëmbëdhjetë lavdëron (glorifikon) shekullin e tetëmbëdhjetë. I tetëmbëdhjetë propozon, ndërsa i nëntëmbëdhjeti përfundon. Dhe fjala ime e fundit do të jetë vëzhgimi i qetë, por i patundur i progresit.
Kohët kanë ardhur. Drejtësia ka gjetur formulën e saj : federatën njerëzore.
Sot, forca quhet dhunë dhe fillon të gjykohet, lufta akuzohet, civilizimi, në bazë të ankesës së njerëzimit, bën gjyqin dhe harton dosjen e madhe kriminale të pushtuesve dhe kapitenëve. (Lëvizje.) Ky quhet dëshmitar, historia. Realiteti i ashpër paraqitet. Shkëlqimet (Rrezet) e rreme treten. Në shumë raste, heroi është një shumëllojshmëri e vrasësit. (Duartrokitje.) Njerëzit e kuptojnë se zmadhimi i një pakete (tarife) nuk mund të jetë zvogëlim, se nëse të vrasësh është krim, të vrasësh më shumë nuk mund të bëhet për rrethana lehtësuese (Të qeshura dhe brohoritje), që nëse të vjedhësh është turp, të pushtosh nuk mund të jetë një lavdi (duartrokitje të përsëritura), që « Te Deum-ët » nuk ndryshojnë asgjë, se vrasja është vrasje, se gjaku i derdhur është gjaku i derdhur, se është e kotë të quhesh Çezar apo Napoleon, dhe se në sytë e Zotit të përjetshëm ne nuk ndryshojmë fytyrën e vrasësit pavarësisht se në vend të një kapeleje, i vëmë atij mbi kokë një kurorë perandori. (Brohoritje të gjata. Një seri duartrokitjesh.)
Ah! le të shpallim të vërtetat absolute. Le ta çnderojmë luftën. Jo, lavdia e përgjakshme nuk ekziston. Jo, nuk është mirë dhe nuk është e dobishme të bëhen kufoma. Jo, jeta nuk mund të punojë për vdekjen. Jo, oh nëna që më rrethoni, lufta, kjo hajdute, nuk mund të vazhdojë të marrë fëmijët tuaj. Jo, gruaja nuk mund të rrisë fëmijën me dhembje, se njerëzit lindin, popujt punojnë dhe mbjellin, që fshatari fekondon fushat dhe punëtori qytetet, që mendimtarët meditojnë, që industria bën mrekullira, se gjeniu bën çudira, që veprimtaria e gjerë njerëzore shumëfishon në prani të qiellit me yje përpjekjet dhe krijimet, për të arritur në këtë ekspozitë të tmerrshme ndërkombëtare e cila quhet fushë beteje! (Ndjenjë e thellë. E tërë salla çohet në këmbë dhe brohoret për oratorin).
Fusha e vërtetë e betejës ja ku është. Është ky takim i kryeveprave të punës njerëzore që Parisi po i ofron botës në këtë moment.
Fitorja e vërtetë është fitorja e Parisit! (Duartrokitje.)
Fatkeqësisht, nuk mund ta fshehim, se në këtë çast, sado i denjë të jetë për admirim dhe respekt, ka akoma aspekte funerale (të zeza); ka akoma anë të errëta në horizont, tragjedia e popujve nuk ka mbaruar; lufta, lufta e rreptë, është akoma këtu, dhe ajo ka guximin të ngrejë kokën përmes kësaj feste të paqes. Princat, që prej dy vitesh, kanë vazhduar me një keqkuptim fatal, mosmarrëveshja e tyre është një pengesë për harmoninë tonë, dhe ata janë frymëzuar gabimisht që të na dënojnë mbi zbulimin e një kontrasti të tillë.
Le ta kthejë Voltaire-in ky kontrast. Përballë kërcënimeve të mundshme, le të jemi më paqësorë se kurrë. Le t’i drejtohemi këtij njeriu të madh të vdekur, kësaj qenie të madhe të gjallë, kësaj mëndje të madhe. Le të përulemi para varreve të nderuara. Le t’i kërkojmë këshilla një personi, jeta e dobishme e të cilit për njerëzit u shua njëqind vite më parë, por vepra e të cilit është e pavdekshme. Le të kërkojmë këshilla mendimtarëve të tjerë të fuqishëm, ndihmësve të këtij Voltaire-i të lavdishëm, Jean-Jacques Rousseau, Diderot, Montesquieu. Le t’u japim fjalën këtyre zërave të shkëlqyeshëm. Le të ndalojmë gjakderdhjen, Mjaft ! mjaft ! despotë, Ah ! barbarizmi vazhdon, le të protestojë filozofia. Shpata është e pamëshirshme, le të zemërohet civilizimi. Le t’i vijë në ndihmë shekulli i tetëmbëdhjetë atij të nëntëmbëdhjetë; filozofët paraardhësit tanë janë apostuj të së vërtetës; ti thërrasim këto fantazma të shquara; që, para monarkive që ëndërrojnë luftërat, ata shpallin të drejtën e njeriut për jetën, të drejtën e ndërgjegjes për lirinë, sovranitetin e arsyes, shenjtërinë e punës, mirësinë e paqes; dhe, meqë nata del nga fronet, le të dalë drita nga varret (Thirrje njëzëri e zgjatur. Thirrje : Rroftë Victor Hugo!)