Ka ferman, ka fetva për prishjen e kishës? Ka mazbata?
-Ka vendim prishjeje? Ka dekret-ligj?
-Ka defter-ligj?

Një fshat i lidhur me Luftën Nac.Çl., me dëshmorë, me një besim të konsoliduar në shekuj dhe besimtarë kompakt, kjo ishte Vokopola e Urës Berat më 1967, me një kishë të bardhë, të hijshme dhe hijerëndë. Si ta mbyllje, si ta prishje këtë kishë?
Mbylljen nuk e shmangie dot, por prishjen, atje ku i ishe falur Zotit, si mund ta duroje, o Zot?!

Koçi Mita, kryetar i këshillit popullor Vokopolë, njofton fshatin:
-Nesër vijnë qerret që të marrin gurët e kishës se në fshatin fqinj do të ndërtohet një vatër kulture(!)

Besimtarët, të gjithë janë kundër, por si ta mbronin, si ta shpëtonin kishën nga prishja, nga të prishurit mendsh?
Më të moshuarit i thanë kryetarit të këshillit se, në qoftë se nuk ka dalë vendim qeverie, ata nuk e prishin dot kishën, nuk ka vendim pushteti, nuk ka çfarë bëjnë qerret… Ka qerrexhi, por ka edhe qeveri!

Vijnë qerret , qerrexhinjtë e fshatit fqinj me hostenët e gjatë ndër duar dhe qëndrojnë në sheshin e kishës, në atë shesh, ku për qindra vjet ndahej për shpirtin e të vdekurve… Ballë për ballë… Qerre e qerrexhinj nga njëra anë dhe populli i Vokoplës nga ana tjetër: pleq, plaka, burra, gra, të rinj, të reja, fëmijë…
Vetë kryetari i këshillit iu drejtohet qerrexhinjve:
-Më tregoni vendimin e qeverisë për prishjen e kishës! Ku e keni vendimin, ku e keni dekret-ligjin, se mua nuk më ka ardhur gjë…
-Jo, po, jo, po e bën rinia, nuk ka vendim, por është aksion rinie që prish kishat…
Atëhere hidhen në sulm ata 3-4 pleq, 80-90 vjeçarë, me një shqipe të vjetër shumë:
-Ka ferman, ka fetva nga dovleti? Ka defter-ligj? Ka mazbata? Ka bazmata?
Qerrexhinjtë hutohen dhe ngrejnë hostenët e gjatë si shigjeta luftrash të vjetra dhe u drejtohen qeve, qerreve dhe kthehen mbrapsht…

Kështu shpëtoi kisha e Vokopolës së Urës… Duke arsyetur për gjëra të ligjshme dhe jo për gjëra të ligshme…

(Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here