Perdet janë një aksesor shumë i rëndësishëm i shtëpisë suaj. Ato ndryshojnë totalisht dhomën ndaj duhet të bëni shumë kujdes në zgjedhjen e tyre duke marrë në konsideratë copën, ngjyrën dhe gjatësinë në varësi të ambientit ku do i përdorni. Por jo vetëm kaq, një tjetër detaji të cilit duhet t’i jepni rëndësinë e duhur është larja. Perdet janë në kontakt të vazhdueshëm me diellin, erën e gatimit, pluhurin dhe në rastin më të keq edhe me erën e rëndë të duhanit. Për këtë arsye duhen larë vazhdimisht pasi mbledhin mikrobe dhe dëmtojnë shëndetin. Mos u trembni aspak nga gjatësia e tyre, truket e mëposhtme do i japin zgjidhje çdo lloj problemi dhe ç’është më e rëndësishmja nuk do të dëmtojnë aspak perdet tuaja.
1.Një ndër problemet kryesore të perdeve të bardha apo të atyre që janë në ngjyra të lehta është pikërisht zverdhja e krijuar si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm në diell. Por zgjidhja është shumë e thjeshtë. Futini fillimisht në ujë të ftohtë dhe lërini aty për disa orë, më pas vendosini në lavatriçe. Në vend të detergjentit të zakonshëm përdorni një pako sodë buke dhe lëng limoni. Perdet do të duken si të reja, kurse njollat do të zhduken plotësisht.
2. Perdet me ngjyrë apo me motive floreale nuk janë aq të lehta për t’u pastruar. Ndryshe nga cohat e bardha të mësipërme, në këto lloj pëlhurash njollat e diellit dhe të vajit janë akoma më të dukshme. Mënyra më e mirë për t’i larë është duke spërkatur fillimisht pjesën e njollave me ujë të oksigjenuar dhe më pas lajini me dorë ose në lavatriçe pa kurrfarë detergjenti, vetëm me uthull molle.
3.Vendet ku varen perdet ndonjëherë mund të zënë ndryshk dhe kjo gjë mund t’i bëjë pis copat. Vendosni një enë me ujë ne zjarr dhe lëreni të valojë. Mbajeni njollën sipër avullit që nxjerr uji derisa te laget. Më pas shtoni sipër saj kripë me limon dhe futni perdet në lavatriçe.