Ndër principatat e pavarura shqiptare, që lulëzuan pas mesit të shek. XIV, më e rëndësishmja ishte ajo e familjes Balsha me origjinë nga qyteza e Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, emri i kësaj familjeje mbetet në errësirë. Megjithatë ka arsye të mendohet se Balshajt qenë një ndër dyert e shumta fisnike shqiptare, të shpronësuara dhe të keqtrajtuara të kësaj treve, për të cilat flet më 1331 kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi i Adës. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, GjergjiI dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit.
Me shthurjen e Perandorisë së tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria serbe. Për këtë qëllim, ata prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshit, i cili i konsideronte Balshajt « rebelë » dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm të tij. Kundër sundimtarëve shqiptarë të Gentës, ai u përpoq të nxiste sundimtarët sllavë si dhe Republikën e Venedikut, e cila i druhej fuqizimit të Balshajve dhe sidomos kthimit të principatës së tyre në një principatë detare. Me zotërimin e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës dhe të skelës së Shirgjit, si dhe me shtënien në dorë përfundimisht të Buduës më 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregtare nëpër Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të Kosovës. Gjithë pushtetin e Balshajve në këto treva nxitoi ta shfrytëzonte në të mirë të tregtisë së vet Republika e Raguzës, e cila më 1361 u dha tre vëllezërve sundimtarë qytetarinë raguzane. Të njëjtin hap e kreu një vit më vonë edhe Republika e Venedikut, e cila Strazimirin, Gjergjin I dhe Balshën II i pranoi si qytetarë të vet. Megjithatë, Republika e Shën Markut vazhdoi të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte, fshehurazi, një grupim kundërshtar të Balshajve, me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Gjithashtu, Venediku nxiti dhe mbështeti kundër tyre sundimtarët sllavë, si Stefan Uroshin e Vojsav Vojnovin, që kishin arsye të shqetësoheshin nga fuqizimi dhe shtrirja e zotërimit të princërve shqiptarë. Përpjekjet për t’i shtrirë kufijtë e principatës drejt jugut, i çuan Balshajt drejt përplasjes me fisnikë të tjerë shqiptarë, Dukagjinët, Zahariajt e sidomos Topiajt, zotër të Arbrit dhe, qysh nga viti 1364, zotër edhe të Durrësit. Përplasja në mes dy principatave më të fuqishme shqiptare u bë e pashmangshme për sa kohë që edhe vetë Topiajt luftonin për të vënë nën kontroll qendrat, që tradicionalisht bënin pjesë në sistemin administrativo-ushtarak të Durrësit, në radhë të parë Lezhën. Në një betejë të zhvilluar aty nga muaji shtator i vitit 1364 Balshajt u thyen nga zotërit e Durrësit dhe vetë Gjergji I Balsha u zu rob. Me ndërhyrjen e Republikës së Raguzës, mike e dy shtëpive fisnike shqiptare, Gjergj Balsha u la i lirë dhe armiqësisë iu dha fund me martesën e Karl Topisë me Katerinën, motrën e Balshajve.
Një qëndresë të fortë ndeshën edhe përpjekjet e Balshajve për t’u zgjeruar në veri të grykës së Kotorrit, dhe sidomos për të pushtuar këtë qytet të fundit. Republika e Venedikut, Mbretëria e Hungarisë, Papati, sundimtarët sllavë të Kanalit, Zaklumjes e të Bosnjës dhe vetë Republika e Raguzës u bashkuan për t’i detyruar Balshajt të hiqnin dorë nga një ndërmarrje e tillë. Në këtë mënyrë, pas vitit 1368 veprimet e vëllezërve Balsha u përqendruan në zgjerimin e zotërimeve të tyre drejt viseve të Kosovës dhe thellë në jug, në despotatin e Vlorës. Duke hequr dorë përkohësisht nga Kotorri, Balshajt arritën një zbutje të marrëdhënieve të tyre me të gjitha fuqitë e interesuara.
Me Republikën e Venedikut Balshajti forcuan lidhjet në fushën tregtare dhe ushtarake. Në vitin 1369 Balshajt shpallën kalimin e tyre në ritin katolik për forcimin e lidhjeve me Papatin dhe me fuqitë katolike të Perëndimit, si dhe në vazhdën e lidhjeve që princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë) kishin me këta të fundit. Një vit më vonë papa Urbani V, duke i pranuar vëllezërit Balsha në gjirin e kishës apostolike të Romës, u rekomandoi atyre peshkopët e porsaemëruar të Arbrit, Pultit, Sardës (Shurdhahut), Lezhës e të Vlorës. Nëpërmjet këtij fakti, kuptohet se Balshajt ishin bërë atë kohë zotër të Vlorës. Rrethanat e zbritjes së Balshajve në Vlorë mbeten ende të errëta. Por është e sigurt që në themel të kësaj ngjarjeje qëndronte aleanca e Balshajve me zotin e fuqishëm të Beratit, despot Andrea II Muzaka, i cili në atë kohë e zotëronte, ose të paktën e kishte nën kontrollin e tij, qytetin e Vlorës bashkë me kështjellën e Kaninës. Aleanca e Balshajve me Muzakajt e Beratit u vulos me martesën e Komnenë Muzakës, vajzës së despot Andresë, me më të voglin e sundimtarëve të Gentës, Balshën II.
Pavarësisht nga mbështetja që gjetën sidomos në gjirin e fisnikërisë feudale, Balshajt hasën në Vlorë edhe në armiqësinë dhe qëndresën e shtresave të caktuara zejtare-tregtare, të lidhura ekonomikisht e politikisht me interesat veneciane. Pas hyrjes së Balshajve në Vlorë, mjaft nga këta përfaqësues të fisnikërisë qytetare dhe bashkë me ta edhe tregtarë venecianë të Vlorës, e braktisën qytetin dhe u vendosën përkohësisht në Sazan e në zotërime të tjera të Venedikut. Kjo ngjarje shkaktoi një krizë të re në marrëdhëniet e Balshajve me Republikën e Venedikut.
Zotërimi i Balshajve në Vlorë u bë nyja e një aleance të sundimtarëve shqiptarë të viseve të Vlorës, të Beratit, të Përmetit, të Ohrit e të Korçës në luftë me princërit e fundit sllavë, trashëgimtarë të Perandorisë së dikurshme të Dushanit, në radhë të parë me mbretin Vukashin, sundimtar i viseve të Kosovës e të Maqedonisë deri poshtë në Kostur. Pas vrasjes së këtij të fundit, koalicioni i krerëve shqiptarë, të drejtuar nga Balsha II dhe nga Andre Muzaka, i mori Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit (1372).
Një përpjekje e Mark Krajleviçit, më 1375, për ta rimarrë qytetin me ndihmën e osmanëve, dështoi. Kosturi mbeti edhe për disa vjet të tjerë nën qeverisjen e vëllezërve Stojë e Teodor Muzaka, djem të despot Andresë dhe kunetër të Balshës II. Tashmë jo vetëm Muzakajt, por edhe familje të tjera fisnike të trevave të Shqipërisë së Poshtme kishin hyrë nën sovranitetin e Balshajve. Këta të fundit arritën, po në fillim të viteve 70, të shtrijnë sundimin e tyre deri në rrjedhën e lumit Mat, duke shkaktuar përsëri pakënaqësinë e Karl Topisë, dhe në Kosovë, prej Prizreni dhe Pejë deri në Kriva Reka (pranë Novobërdës). Në këtë mënyrë, përveç zotërimit të tyre të parë të Gentës, vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë, nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës, Dibrës, Ohrit e Kosturit. Autoriteti i tyre shtrihej në Vlorë dhe, nëpërmjet lidhjeve të vasalitetit apo aleancave familjare, në mbarë Shqipërinë e Poshtme. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës apo te Shpatajt e Çamërisë e të Artës. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeveshqiptare.
Republikat e fuqishme të Venedikut e të Raguzës përpiqeshin të mbanin marrëdhënie të mira me Balshajt. Ato u kishin dhënë atyre qytetarinë e vet. Raguza u paguante atyre haraçin e përvitshëm të Shën Dhimitrit, që dikur ua jepte mbretërve të Serbisë. Tribut të tillë u jepte Balshajve edhe qyteti i Kotorrit. Mbreti serb i Rashës apo ai i Bosnjës u ndodhën shpeshherë në vështirësi përballë fuqisë së princërve shqiptarë të Gentës dhe nuk munguan t’u kërkojnë atyre paqe me kushte shpeshherë të rënda.
Qeverisja e zotërimeve të Balshajve realizohej njëherësh nga tre vëllezërit: Strazimiri, Gjergji dhe Balsha II. Aktet zyrtare firmoseshin njëherësh prej tyre dhe vuloseshin me vulën e përbashkët. Në bisedimet e traktativat me fuqitë e huaja ishin si rregull të pranishëm të tre vëllezërit Balsha. Balshajt nuk kishin një rezidencë të ngulur. Ata lëviznin së bashku ose veç e veç nga Ulqini, në Tivar, në Shkodër e në Vlorë. Për muajt e verës ata shpërnguleshin në rezidencën e tyre verore, që ndodhej në malësinë e Tivarit.
Institucioni i bashkëqeverisjes, që ishte karakteristikë si për Balshajt, ashtu edhe për fisnikë të tjerë shqiptarë, ishte një institucion me rrënjë të thella në traditën e familjeve të mëdha partiakale shqiptare të mbështetur në vëllazëritë. Marrëdhëniet midis vëllezërve rregulloheshin në bazë të moshës. Strazimiri, si vëllai më i madh, kishte gjithmonë privilegjin e moshës në marrëdhënie me vëllezërit. Kur ai vdiq, më 1373, në këmbë të tij erdhi dhe u bashkua me Gjergjin I dhe Balshën II djali i tij, Gjergji II. Emri i tij, si më i riu, në aktet zyrtare përmendet pas xhaxhallarëve. Pas vdekjes së Gjergjit I Balsha, më 1378, Balsha II e mënjanoi nga pushteti nipin e tij dhe mori në duart e veta qeverisjen e gjithë zotërimit të Balshajve.
Balshajt kishin një administratë të tyre në bazë dhe në qendër, të përfaqësuar nga njerëz të besuar me tituj fisnikërie, si protovestiar, vojvodë, logotet etj.. Ata kishin kancelaritë e tyre, me shkrues, noterë, sekretarë, kishin vulën dhe shenjat e tyre dalluese, që shprehnin pushtetin dhe sovranitetin etyre.
Aleanca e përkohshme e Balshajve me Karl Topinë nuk mundi t’i largojë për shumë kohë projektet e tyre për t’u shtrirë në kufitjtë e Arbrit të vjetër dhe në Durrës. Tashmë Principata e Topisë krijonte një ndërprerje të zotërimeve të tyre veriore me ato jugore dhe i ndante Balshajt nga vasalët dhe aleatët e tyre të jugut. Në këtë mënyrë, në vitin 1383, Balsha II u përpoq dhe ia doli mbanë të shtinte në dorë qytetin dhe rrethinat e Durrësit, duke realizuar një ëndërr të vjetër, që qysh në shek. X-XI ishin përpjekur ta realizonin përpara Balshajve edhe princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë). Sundimtari i Durrësit dhe i Arbrit, princi Karl Topia, u detyrua të tërhiqej në kështjellën e Krujës. Balsha II këtej e tutje i shtoji emrit të tij edhe titullin e « dukës së Durrësit » (dux Dyrrachii), duke ringjallur kështu një institucion të vjetër bizantino-venecian. Në këtë mënyrë, zotërimet veriore të Balshajve dhe ato jugore u lidhën midis tyre me një vazhdimësi territoriale, duke krijuar formacionin më të madh mesjetar shqiptar që ishte deri në atëkohë.
Shkëputur nga: (Historia e Popullit Shqiptar – Akademia Shqiptare e Shkencave) /InforCulture.info