Ka vdekur sot në moshën 74 vjeçare njëra nga këngëtaret më të hershme të muzikës shqipe,Shahindere Berlajolli.Vdekja e saj përbën një humbje të madhe për mbarë komunitetin artistik shqiptar,por edhe për të gjithë dashamirët e muzikës së mirfilltë shqipe,shkruan Inforculture.Info

Ajo,si një artiste me vlera të veçanta la pas vetes një mori këngësh shumë të dashura të cilat ende vazhdojnë të përpunohen e këndohen nga këngëtar të tjerë.

Jeta e Bërlajollit ishte një jetë artisteje e cila i ishte përkushtuar artit për një kohë të gjatë,dhe këtë e kishte të trashëguar dhe e trashëgoi.

Për vdekjen e saj shprehën ngushëllime artistë e krerë shtetrorë.

Ministrja e Kulturës e cilësoi Bërlajollin si një këngëtare që i dha perla muzikës shqiptare.

Njdër tjera në ngushëllimin e saj ajo u shpreh “Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare. Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushellimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve.V.D”.

Bërlajolli do të kujtohet gjithmonë si një ga këngëtaret që i dhanë shumë muzikës shqiptare, dhe këngët e saj do mbeten si vlera të çmuara .

Vdekja e saj është një humbje për komunitetin artistik por edhe për gjithë dashamirët e muzikës së mirfilttë shqipe.

InforCulture.info ju sjellë biografinë e gjerë të Shahindere Bërlajollit:

Arsimin fillor dhe atë të mesëm i përfundoi në qytetin e arsimit dhe kulturës në Pejë, për të vazhduar me normalen e plotë për mësuesi. Rrjedh nga një familje vendase qytetare të vjetër të Pejës, nga babai biznesmen, Mustafë Bërlajolli dhe nga një nënë shumë bujare, Igballe Bërlajolli.

Që në atë kohë familja Bërlajolli gëzonin një reputacion dhe një respekt shumë të veçantë te qytetarët e vendit edhe më gjerë. Shahinderja me shkëlqimin e saj në skenën muzikore të asaj kohe e vulosi edhe më tepër këtë respekt, duke u bërë njëherit artistja më e re dhe më atraktive e Pejës.

Ishte vetëm 13 vjeçare kur për herë të parë debutoi në festivalin e asaj kohe “Mikrofoni është juaji”, event i cili mbahej në Pejë dhe talenti i Shahinderes do të dilte në pah. Prej momentit të parë ajo i fitoi zemrat e publikut dhe u bë e preferuara e publikut pejan, ndërsa më pas sukseset e saj nuk kishin të ndalur në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo u bë artistja e vetme profesionale në moshën adoleshente. Ishte vetëm 13 vjeçare, por kishte një zë prej bilbili dhe shumë origjinal popullor.

Sukseset e saj nga viti ’59 e tutje ishin marramendëse: fituese e pesëfishtë e festivalit më prestigjioz të asaj kohe “Akordet e Kosovës” prej ku doli me performancat e saj dhe hitet e radhës siç janë këngët: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “O bylbyl me pika-pika”, “Hajde dalim moj goce”.

Ajo përfaqësoi vendin edhe jashtë dhe duke sjellë çmimet më artistike. Ndër vite karriera e kësaj ikone kosovare rritej dhe zhvillohej edhe më shumë me pjesëmarrjet e saj e me këngët origjinale. Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, çdokund nëpër botë, ngado që ajo këndonte trofetë ishin pjesë e saj.

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese. Gjatë karrierës së saj 55 vjeçare Shahinderja do të bëhet letërnjoftim me këngët e saj shumë të dëgjuara, zëri i saj unik do dallohej menjëherë që sot e kësaj dite. Publiku i këndon edhe në ditët e sotme këngët e saj me shumë dashuri dhe nostalgji janë: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules”, “Hajde dalim moj goce”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar” dhe shumë këngë të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here