Ramazani zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e besimtarëve myslimanë anembanë botës islame. Ata gjatë këtij muaji ushtrojnë njërin prej adhurimeve bazë të fesë islame, të cilin, njerëzimi mbarë, në një formë a në një tjetër, e ka praktikuar që nga njeriu i parë.

Sipas fesë Islame këtë muaj filloi zbritja e Kur’anit në “natën e cila është më e vlefshme se njëmijë muaj”,në këtë muaj poashtu ka ndodhur Çlirimi i Mekës dhe pastrimi i Qabes prej idhujve të politeistëve.

Edhe tek Kosovarët muaji i Ramazanit është muaj që sjellë ndryshime të dallueshme në shtëpinë e gjithsecilit mysliman.Kosovarët pavarësisht situatave që janë ndodhur,kanë vazhduar dhe vazhdojnë ta ruajnë e respektin për këtë muaj të begatë, respek ky i trashëguar ndër shekuj e breza.

Shpresë,solidaritet,qetësi mbizotron në cdo shtëpi muslimane gjatë këtij muaji.

Të ngjan  sikur gjithcka merr kuptim ndryshe nga muajt e ditët e zakonshme.

Agjërimi për muslimanët është diçka madhështore e cila u respektua e u mbajt edhe në kohët më të vështira.Historia na ka mësuar që të vjetrit tanë kanë agjëruar edhe në kohë sëmundjesh,kohë okupimi e kohë lufte.

E kemi të freskët historinë e familjes heroike Jashari,e cila pavarësisht se ishte nën frikën se cdo ditë mund të sulmohej nga armiku, ata nuk e ndalnin agjërimin,e sofra e syfyrit të tyre përmendet në shumë libra historik të pasluftës.

Kjo tregon se sa vlerë të madhe ka e ka pasur gjithmonë Ramazani tek populli ynë.

Muaji i ramazanit përjetohet nga çdo familje shqiptare dhe trajtimi i tij si periudhë e bekuar, në të cilën duhet shprehur një përkushtim e devotshmëri më e madhe nga ajo e zakonshmja, është diçka e zakonshme dhe e njohur.

Mjafton t`u hedhësh një vështrim qyteteve në Kosovë dhe do e dallosh patjetër atmosferën e Ramazanit.

Sa shume breza e breza kanë kaluar dhe ende vazhdon tradita e pitalkave të syfyrit e ifarit.Kur ofron koha e këtyre dy vakteve ,pranë furrave vërshojnë radhë të gjata të njerzve ,secili për një qëllim të vetëm,të arrijnë me kohë të blëjnë bukën e syfyrit e iftarit për t`ua çuar familjarëve që kanë agjëruar.

Pitalka për Ramazan - Opoja.net

Kjo mund të duket e thjeshtë,por padyshim i`a shton hijeshinë këtij muaji të mirësisë.

Njerëzit jetojnë në një atmosferë fetare të mrekullueshme. Morali fetar mbizotëron në jetën e përditshme, njerëzit sillen gjithmonë me edukatë dhe të përmbajtur; bisedat bëhesn më të ëmbla, me zë të ulët e duke treguar respekt të ndërsjellë.

Ifari pastaj sjell ndjenjë të mrekullueshme,kjo jo vetëm për faktin që është koha kur muslimanët që kanë agjëruar mund të hanë e të pijnë,por gjithcka të duket më e magjishme.

Krijohet një atmosferë e veçantë. Të gjitha qytetet, përfshirë tregjet apo bizneset bien në qetësi  pothuajse të plotë.

Në traditën e Kosovarëve ,pritja e iftarit kishte forma të veçanta.Në periudhën e viteve më të largëta ,lajmin e syfyrit e iftarit e sillte rrahja e tupanit,kjo për arsye se jo çdo familje kishte orë.E njejta poashtu ndodhte edhe në syfyr,

Pastaj kur xhamitë u ndërtuan por nuk ishin qenë kaq të shpeshta si tash, fëmijët kanë qenë ata që kanë pritur diku  jashtë të dëgjojnë ezanin ,e ku pastaj me të dëgjuar atë,me gëzim e hare ua kanë çuar lajmin të mëdhenjëve që të bëjnë iftar. E për ata që kanë jetuar ato kohë janë të njohura edhe thirrjet e fëmijëve “Kandil Kandilar, krisi pushka me ba iftar” ,e vrapimet e tyre se kush i pari do arrinte në shtëpi.

 Njerëzit   shtrojnë sofrat me gjithçka të nevojshme për menynë e iftarit, e cila është  më e pasur gjatë gjithë këtij muaji, dhe presin ezanin e iftarit.Kosovarët e kanë në zakon që “prishjen” e agjërimit sic e quajmë në gjuhën popullore ta bëjnë me hurme e llokum.Kjo traditë nuk ka humbur asnjëherë.

Madje dicka tjetër shumë e veçantë është edhe “lëngu i ramazanit” ,ku pa marrë parasysh standardin e jetës ,thuajse secila sofër mban të njejtin lëng i cili shtohet me ujë.

Kur thirreth ezani ata fillojnë ngrënien ,pra pothuajse gjysma e vendit ha në të jejtën kohë,e dashuria e qetësia mbizotëron kudo, pra a nuk është kjo dicka e mrekullueshme.

Qetësia fillon të “prishet” në kohën e teravive, nga pothuajse cdo shtëpi fillojnë të dalin njerëz të cilët nisen drejt xhamive për të falur namazin e teravive ,namaz ky që praktoh=kohet gjatë muajit të bëkuar.

Xhamitë mbushen plot, vëmendja për të dëgjuar hoxhollarët është maksimale, përshëndetjet mes njëri tjetrit janë plot mirësjellje e dashuri. Fëmijët shoqërojnë  prindërit në xhami, herë falen e herë zhvillojnë ndonjë lojë pas së cilës shpeshherë harrohen  deri afër syfyrit.

Të rinjët duket sikur lënë mënjanë gjithë punët tjera e përditshmëritë e tyre dhe përkushtohen në veprimtari të mira për të cilat besojnë që do shpërblehen.

Ceremonitë që zhvillohen me rastin e këtij muaji arrijnë “kulmin” në Natën e Kadrit, e cila është sintezë e përmbledhjes së gjithçkaje që i kushtohet Ramazanit.Sipas mësimeve fetare Islame pikërisht në këtë natë kishte zbritur libri i shenjtë i muslimanëve Kurani.

Kjo natë ani pse nuk mund të dihet me saktësi se kur në të vërtetë është,ajo në “Vaktinë e ramazanit” është e caktuar në njërën nga 10 ditët e fundit të Ramazanit.Kësaj nate i shtohen thuajse dyfish përkushtimet e mirësitë nga besimtarët islam.

Gratë Kosovare kujdesen që në këtë natë t`i shtojnë begatinë sofrës së tyre, me qëllim të respektimit të natës së madhe të Kadrit.

Kjo natë trajtohet si festë, e cila i paraprin festës tjetër të madhe që është Fitër Bajrami.

Jemi dëshmitarë të kohës kur në muajin e Ramazanit njerëz vullnetmirë shtrojnë iftare për shumë njerëz, çojnë ushqim në familje nevojtare,e japin më shumë se muajt e zakonshëm.

Të krijohet përshtypja se ekziston njëlloj gare kush të japë e të kënaqë sa më shumë fukarenj. Mbizotëron motoja: “Atij që jep, i shtohet pasuria”,e kjo padyshim që është thënë gjithmonë ndër breza.

Ramazani duket sikur i bën njerëzit të reflektojnë më shumë e të mundohen të jenë më të mirë në sytë e njerëzve e të Zotit.

Tradita do vazhdojë,e Kosovarët do përjetojnë edhe shumë muaj tjerë Ramazani.

Ky që fillon nesër i gjen Kosovarët në periudhë të vështirë pandemie,por që atmosfera e Ramazanit ka filluar të vërehet, dhe në njëfarë mënyre u ka sjellë shpresë për durim e sakrificë.

Mirëpo traditat këtë ramazan do i lëmë anash, falja e teravive do bëhet pa xhemat, mbledhjet për iftare nuk do bëhen,por me vullnet ,secili mund të bëjmë mirë e të gëzojmë nevojtarët.Rëndësi ka që të jemi të bashkuar shpirtërisht,dhe tia lehtësojmë njëri tjetrit sfidat që na ka sjellë pandemia.

Qëndroni në shtëpi, ruani veten e familjet tuaja, por mbi të gjitha ruani vlerat njerëzore dhe lutuni që bota të shohë ditë më të mira se këto./Përgatiti,Ardiana Zeqiri/InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here