Gjergj Fishta vlerësohet si studiuesi më kompetent i temës së gjakmarrjes…

Pikëpamja e Fishtës është: Marrja e gjakut ka qenë një veprim i drejtë, i ligjshëm dhe i dobishëm për gjithë periudhën që Shqipëria ka qenë pa shtet (pra deri më 1912)

Për periudhën e monarkisë, Fishta shkruan: “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër”.

Më tej shprehet se në themel të këtij konceptimi “padyshim asht: ‘gjaku’ – edhe la vendetta” (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Parathanie, Bot. 2001, fq.27,30).

Cilët quan Fishta kundërshtarë të kombit?

Dihet se që nga fundi i shekullit XIX, armiqtë tanë të jashtëm, shovinistët e vendeve fqinje dhe mbështetësit e tyre evropianë, formuluan tezën sipas së cilës, shqiptarët qenkan të paaftë për të krijuar shtetin e tyre, sepse paskan si tipar karakteristik gjakmarrjen.

Fishta e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë këtë tezë. “Duket mirëfillit”, shkruan ai “se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thuhet se kombi shqyptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeveris në vetvedi i pamvarshëm” (fq.32).

Në mbrojtje të tezës së vet, Fishta sjell argumente bindës nga disa shkenca. Nga historia: Ai vë në dukje se ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit “përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, ase (që) nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare” ( fq.30).

Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar.

Sipas antropologjisë, bëhet klasifikimi në pesë shkallë i kulturës e qytetërimit të popujve. Sipas këtij klasifikimi, vendi ynë hyn në shkallën e tretë, që ka si karakteristikë kryesore realizimin e së mirës së përbashkët. Kjo kulturë mund të quhet legjendare ose heroike sepse: “gjithkund zotëron parimi i lirisë, i nderit e burrnisë” (fq.29-30).

Elemente të egërsisë përmbajnë vetëm shkalla e katërt dhe e pestë e klasifikimit. Nga jurisprudenca, Drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate evropiane, qëllimi i të cilave është “me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, përndryshe nuk asht barbar” (fq.31). Si i tillë, ligji kanunor është i dobishëm sepse ka karakter parandalues ndaj krimit të vrasjes.

Si akt individual është konsideruar si vetë-gjyqësi. Një cilësim i tillë është i gabuar, sepse Kanuni ishte ligji i kohës. “Shqiptari pra”, shkruan Fishta, “tue vra gjaksin e vet, nuk ban tjeter veçse me e que në vend nji ligj, qi ai e mban për të drejtë” (po aty). Më tej vazhdon: “… gjaksi i Luigjit XVI, kur i preu kryet… e mbyti pse mendonte se ligja asht e mirë, e arsyeshme… e as nuk thotë kush sot se kje barbar” (po aty).

Për të qartësuar më këtë çështje, Fishta bën një analizë akoma më të detajuar. Personi që ka kryer krimin e vrasjes mund të gjejë strehim në krahinat e tjera, ku në bazë të normës kanunore të “prerjes së mikut” bëhet i paprekshëm. Kjo mund të çojë deri në konfrontimin me armë midis krahinave ose siç thotë Fishta në “luftë civile”. Për të shmangur këtë rrezik, burrat e mençur të kanunit, marrjen e gjakut ia ngarkuan individualisht shtëpisë së viktimës (fq.31). “Këto vendime të Kanunit”, shkruan Fishta, “kanë kenë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit qi ishte Sulltani i Stambollit” (po aty).

Në aspektin psikologjik, pas marrjes së gjakut, Fishta konstaton zhdukjen e çdo kompleksi negativ në marrëdhëniet përkohësisht në armiqësi midis dy familjeve, siç mund të jetë ndenja e urrejtjes. Madje shkojnë deri atje sa të lidhin fejesa e kumari të reja. “Edhe vrasja e gjaksit në pikëpamje psikologjike” shkruan Fishta, “nuk asht nji vendetta, dan edhe prej faktit se dy familjet marrin e apin me njena – tjetren si me të gjitha familjet e tjera të bajrakut, mos tjeter n`at masë sa shtetet e qytenueme t`Europes mbas luftës botnore” (fq.31). Në vazhdim të arsyetimit thekson se “për ne e marrshim punën në pikëpamje psikologjike, unë tham se puna e gjakut … asht rezultat i do mendorjeve qi nuk mvaren prej shpirtit të këtij kombi” (po aty).

Në argumentimin e gjerë të tezës së vet, Fishta i referohet edhe letërsisë antike greke, siç ishte “Iliada” e Homerit. Por, ajo që është akoma më e rëndësishme i referohet edhe Librit të Shenjtë, Biblës (fq.32). Në botimin shqip të Biblës gjejmë të shkruar: “I afërmi më i ngushtë i të vrarit ka për detyrë ta vrasë kudo që ta gjejë (vrasësin)” (Bibla, ECM, 1993, fq.182). Në mbrojtje të bindjeve shkencore që ka formuar, Fishta nuk i bën lak as doktrinës fetare, e cila si zgjidhje të pranueshme për vrasjen konsideron vetëm faljen. Jashtë çdo dyshimi edhe ai do të preferonte faljen, por konstaton se një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme. “Kurrkush ma shumë se unë si kishtar”, shkruan Fishta, “nuk mund ta dënojë punën e gjakut në vedvedi e të marrne si nji fakt të zdeshun prej mendorjeve ndërmjet të cilave ndolli” (fq.30-31). Në gjithanshmërinë e trajtimit të çështjes autori ndalet edhe në faktorët e brendshëm e të jashtëm që kanë kushtëzuar vazhdimin kaq gjatë te ne të fenomenit të marrjes së gjakut.

“Të marrunit e gjakut”, thekson ai, “buron prej mendorjeve të jashtme e prej t`metave të organizimit shoqnuer të nji kombi” (fq.32). Është fjala për pushtimet e huaja shumëshekullore dhe në prapambetjen e përgjithshme, në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit tonë. Vlera dhe rëndësia e studimit të Fishtës bëhet akoma më e madhe për faktin se aty përcaktohen edhe rrugët që duhen ndjekur për zhdukjen e gjakmarrjes.

Në vitin 1933, kur doli në dritë vepra e Gjeçovit, gjakmarrja nuk kishte dalë nga skena. Megjithëse veprim i ligjshëm dhe i dobishëm deri në vitin 1912, tani ishte shndërruar në një fenomen negativ dhe jashtë kohës së vet. Veçse duhet theksuar se kjo nuk ngjiste për faj të saj. Fajtor i vërtetë ishte shteti që nuk i kryente detyrat që i përkisnin. Për zhdukjen e gjakmarrjes Fishta thekson se: “…ligjet për me ken vërtet të dobishme por të drejta e të ndershme do të jenë, do të jenë të gjashme, due me thanë të preme pas pshihes e nevojave të njimendeta të popullit…Kështu kan punue të gjitha kombet e qytetnueme” (fq.24). /Konica/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here