Tri anekdota nga mbledhësi i mirënjohur i folklorit Salih Zogiani.
Salih Zogiani njihet si mbledhësi më madh i anekdotës shqiptare në Kosovë. Ka botuar shtatë vëllime të anekdotave shqiptare, njëra prej tyre është e përkthyer edhe në gjuhën angleze. /InforCulture.info
ODA ME DY KIBLA
-Nga libri im “Anekdota Shqiptare 3”-
Në një odë në Dukagjin kishin qenë duke bërë muhabet për partitë
politike, qysh janë duke u kritikuar mes vete, e po e hasmojnë popullin. Dikur
e merr fjalën një plak e po u thotë:
– Ish kanë shku njani mysafir. Nuk e gjan aty t’zotin e shpisë, po nji djalë
t’ri. Dikur, merr avdes mysafiri e po e vetë atë djalin:
-Kah asht kiblja, se po du me u falë?
I kallëzon ai djali, e ky çohet me e falë akshamin.
Masi lidhet n’namaz, hin edhe ni mysafir tjetër. Ai, edhe pse e pa këtë tu’ u
falë, i drejtohet djalit e i thotë:
-Kah asht kiblja, se edhe unë po du m’e falë
akshamin?
Djali ish kanë i meçëm, e drejton n’anën tjetër.
Kur hin n’odë i zoti i shpisë e i sheh ata tuj u
falë, i thotë djalit:
– Çka u ba kështu?
Djali i kallëzon babës qysh e kanë vetë, edhe qysh
u ka thanë ky.
Atëherë plaku i thotë të birit:
– E, more bir, na shqiptarët për inati
t’njani-tjetrit, kurrë nuk jemi falë të tanë me ni drejtim!
(Duhët ta qesim mendjën para inatit S.Z.)
HAJ MEDET ÇKA NA KA GJETË!
- A n e k d o t ë –
Abit Dedia nga Mitrovica kishte pas punuar në Kombinatin “Trepça”.
Si punëtor i mirë, ishte zgjedhur në organet udhëheqëse të Kombinatit. Mbasi del në pension, ia marrin djalin në punë, e mbas një kohe e zgjedhin udhëheqës të Këshillit të punëtorëve. Në atë kohë Kajtaz Rzhana zgjidhet deputet.
Abitit i dukej se në Kombinat nuk po shkonin punët mirë, se nuk ia mbushnin syrin as Kajtazi, as djali i vet. Një ditë, duke biseduar me shokë, Abiti u tha:
Haj medet, kush asht n’pushtet
Kajtaz Rzhana deputet
Djali i jem n’Radniçki savet (në Këshill të punëtorëve)
He kuku për Shalën çka e gjet.
KOKA BA LLUGË E ZABEL
– A n e k d o të –
Një llapjan, duke shkuar rrugës, e zatet një të Drenicës. Duke
ecur bashkë e duke bërë llaf, e pyeti ky llapjani drenicakun: – prej kah je?
– Jam prej Zabelit t’Drenicës, – i thotë ai.
– Po ti, kah je? – e pyeti drenicaku llapjanin.
– Unë jam pej Llugave t’Llapit, – i tha ky.
– Ti, a po ban hajgare me mu, a? – i tha drenicaku.
– Jo, unë s’po baj hajgare, po ti nuk kallëzove
drejt.
Për me i nalë fjalët, i nxorën të dytë
letërnjoftimet e ia kallëzuen njani-tjetrit. Atëherë drenicaku i tha llapjanit
me habi:
– Le, se koka ba krejt llugë e zabel!
(Anekdotë aktuale për situatën që po e përjetojmë S.Z) /inforculture.info