Ndjesia e përzierjes së stomakut apo në rastin më të keq, të vjellës gjatë një udhëtimi me makinë, është një nga kleçkat më të mërzitshme të organizmit njerëzor.
Ka nga ata që i adhurojnë udhëtimet e gjata me veturë, veçanërisht në shoqërinë e një libri të mirë. Ka dhe nga ata që vetëm ideja e një udhëtimi të gjatë me veturë, i bën që t’iu përzihet stomaku.
Por ndonëse shumë prej jush mund ta kenë provuar këtë ndjesi, të paktë mund të jenë ata që e dinë nga çfarë shkaktohet dhe sipas neuroshkëncëtarit Dean Burnett, është i gjithë faji i “trurit tonë idiot”.
Siç shpjegon ai, është puna e talamusit që të interpretojë të gjithë sinjalet që trupi i dërgon.
Zakonisht, kur jemi në lëvizje edhe muskujt janë në lëvizje, sytë vështrojnë distancën që përshkojmë dhe nëse nuk e dini ende, mbështetemi edhe tek censorët e balancës në veshin e brendshëm. Këta janë tuba të vegjël të mbushur me lëng dhe lëvizjet në këtë lëng na tregojnë se ku po shkojmë.
Falë këtyre tubave ne mund të kuptojmë nëse jemi me kokë poshtë apo nëse jemi me shumë shpejtësi, duke qenë se ky lëng i bindet ligjeve të fizikës.
Por kur jemi në makinë, talamusi merr sinjale të ngatërruara. Muskujt janë në qetësi ndërkohë që sytë e shikojnë se jeni në lëvizje, shkruan Anabel. Dhe pastaj është edhe lëngu në veshin e brendshëm, që tundet në tubat e vegjël sepse në fakt jemi duke lëvizur.
Të gjitha këto sinjale së bashku nuk mund të jenë korrekte (për talamusin) dhe e vemja gjë që shkakton këto sinjale të ngatërruara, është helmimi. Dhe për të eliminuar helmimin e mundshëm, gjëja e parë që bën truri ynë është që të nxitë të vjellën.
Prandaj kur udhëtoni, është e këshillueshme që të shihni rrugën në vend që të fokusoheni në diçka të palëvizshme si libri apo celulari, pasi në këtë mënyrë, i bëni trurit të kuptojë që realisht jeni në lëvizje.