Pozita gjeografike e Shkodrës , e rrehuar nga ujrat, me liqen, det e lumenj , njëri prej të cilëve lumi Buna është i lundrueshëm , i ka dhënë mundësi këtij qyteti të lashtë e me tradita të gjithanshme që dikut të jetë dhe një qendër lundrimi .Lidhur me këtë vlerë, ndonëse të harruar të Shkodrës, Gazeta” Pjacë “po publikon shkrimin e etnologut të shquar hkodran Rrok Zojzi,, shkruar më 1968 , lindur me lundrimin në Shqipëri.
Për traditat e lundrimit detar të popullit tonë është shkruar disa herë dhe është hapur njëfarë traseje për studime më të thella, por për traditat e lundrimit në ujra të mbrendëshme të vendit tonë është shkruar shumë pak.
Vendi i ynë, përveç një bregoreje të gjatë detare ka edhe një sasi të madhe ujrash të mbrendëshme që në formë lumejsh e përshkojnë kryq e tërthor e në forme liqejesh. Rrjeti lumor i Shqipërisë me përjashtim të Bunës, për shkak të rrjedhjes së rrëmbyeshme, nuk është i përshtatshëm për lundrim.
Vëmendjen tonë po e përqëndrojmë mbi liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës që e lidhë atë me det, pse këto formuan në çdo kohë të historisë një nyje me rëndësi lundrimi të mbrendëshëm.
Jo më larg se 50 vjet më parë, aq sa arrin kujtesa e jonë, sipërfaqja pasqyrore e liqenit të Shkodrës nxiente prej mjeteve të vogla të lundrimit. Me qindra e qindra sule, take dhe lundra, me atë siluetën e thjeshtë dhe elegante të tyre, me ato përpjestime të harmonishme, shkëputeshin dita ditës prej brigjeve të ndryshme rreth liqenit dhe merrnin sipërfaqen e tij. Disa ngarkuar me rrjeta e kariqa, pa zbardhur drita niseshin për peshkim; disa të tjera cipë në cipë me prodhime të fshatrave përreth niseshin që në orët e para të mëngjezit, për transport; të tjera, plot me udhëtarë, kalonin skelë në skelë të bregut. I tërë peshkimi, transporti e komunikacioni i fshatrave Shirokë, Zogaj, etj. i krahinave Krajë, Ljare, Shestan etj. bëhej mbi ujë. Në këto fshatra e krahina as nuk njihej peshkimi prej toke; as nuk kishin rrugë në mes të tyre për komunikacion e transport tokësor. Veçanërisht të martave në darkë dhe të mërkurave në mëngjez, që në Shkodër ishte ditë pazari, dilnin këto mjete lundrimi nga skelet e ndryshme rreth liqenit, dhe tufa, tufa nga 7-8 bashkë, në karvan njëra tufë mbas tjetrës, zbritnin në Shkodër për treg.
Mjeti i lundrimit ishte i domosdoshëm për banorët e bregut të liqenit ashtu si kali, gomari apo qerrja për fshatrat e tokës. Nuk kishte kuptim një shtëpi pa mjetin e saj të lundrimit. Këto mjete lundrimi shpesh i punonin vetë, por kishte raste edhe që i porositnin ndër zejtarë në fshat apo në treg. Ne bregun e Bunës pranë tregut të Shkodrës ishin në rresht punishtet e mjeteve të lundrimit.
Interesante janë format e këtyre mjeteve krejt origjinale dhe paraqitja estetike e tyre shumë e bukur.
Në mes të kësaj mori mjetesh lundrimi të Liqenit të Shkodrës ruhen disa vija të përbashkëta në forma dhe vetëm dimensionet e tyre ndryshojnë. Simbas madhësisë populli i ynë i ndan në tri kategori: sule, shkalla më e vogël, take, shkalla mesatare dhe lundër më e madhja. Sulja ka një gjatësi mesatare prej 5-7m e mundësi transporti gjer në 15kv; take-ja gjatësi deri në 10m e kapacitet gjer në 45kv: lundra, 15-20m e gjatë dhe fuqija bajtëse gjer në 100kv.
Tradita e lundrimit në liqenin e Shkodrës pati një burim te lashtë historik. Në brigjet e liqenit të Shkodrës ilirët e vjetër patën punishtet e mjeteve të tyre të lundrimit dhe sipërfaqen e tij si palestër stërvitjeje për aksione të mëdhaja e të largëta. Edhe gjatë Mesjetës së vonë, banorët e brigjeve të liqenit, ardianët, e mbartën qëndrën e mbretërisë së tyre nga Kotorri në Shkodër, sepse këtu gëzonin kushte më të mira për zhvillimin e lundrimit.
Liqeni i Shkodrës, si vend, i hapur dhe i rrethuar me lëndë të nevojshme për ndërtimin e anijeve, i ndihmonte shumë në këtë drejtim. Nga ana tjetër, i futur mbrenda dheut dhe i lidhur me anë të Bunës me det, paraqiste kushte shumë të favorshme strategjike pse mjetet e huaja nuk mund të hynin për t’i shqetësuar në punën e tyre. Në brigjet e këtij liqeni, ndërtohej në qetësi ajo fuqi e madhe që më vonë pushtoi Adriatikun. Punishte të mëdhaja anijesh lulëzonin rreth liqenit. Aty shquheshin mjeshtrat e ndërtimit të tyre. Ndër të tjera, përmendet Genci, i cili dha të punoheshin 54 lembe përnjëherë. Filipi i Maqedhonisë mori prej këndej mjeshtra të dalluar për të ndërtuar 100 lembe për flotën e tij. Mjetet ilire te lundrimit që ndërtoheshin këtu dalloheshin si mjete të lehta e të shkathëta, që përdoreshin me lehtësi të madhe dhe lejonin manovrime taktike në shpejtësi e befasi. Edhe gjatë Mesjetës, liqeni i Shkodrës, qe një bazë e rëndësishme lundrimi.
Sikundër në kohë të lashtë që lundrimi në Liqenin e Shkodrës nuk kishte vetëm karakter transporti dhe komunikacioni por edhe karakter ushtarak e luftarak, ashtu edhe në Mesjetë, si na e dëshmon Barleti në librin e tij «Rrethimi i Shkodrës» dhe Becikemi, lundrimi e ruante gjithënjë këtë karakter. Në përshkrimet e tyre të luftës kundra turqve, vihet në dukje ndihma e madhe që i dhanë «mjetet e lundrimit vendase ushtrisë e popullit të rrethuar në keshtjellë.» Ditë për ditë, thotë Barleti, nga liqeni vinin me lundra e barkë në shumicë, shqiptarët që banonin rreth e përqark atij liqeni e duke kaluar nëpër Bunë suleshin si rrufeja mbi shatorret e barbarëve dhe bënin kërdi duke i shkaktuar dëme të mëdhaja. Disa i vrisnin, disa i zinin rob dhe u merrnin kuajt e plaçka të tjera. Kjo ndodhte sidomos natën ku armiku hante prej tyre grushta më të fortë».
Një kapitull me rëndësi për historinë tonë, shkruan banorët e rrethit të Liqenit të Shkodrës me traditën e tyre të lundrimit. Kjo traditë që buroi nga kohët më të lashta të historisë sonë, vazhdoi e pandërprerë gjer në ditët tona duke u përmbledhur sipas rastit.
Ndryshimet që pësuan këto mjete lundrimi nga koha e lashtë në të mesmen e nga ajo në të sotmen është vështirë për t’u gjurmuar pse na mungojnë të dhënat. Për lembet ilire na ndihmon pak numismatika pse në paret ilire paraqiten edhe figurat e mjeteve të tyre të lundrimit. Për Mesjetën gjer sot nuk kemi asnjë të dhënë. Për të ndjekur procesin historik të zhvillimit të tyre detyrohemi të bëjmë krahasimin e të lashtës me të sotshmen. Nga ky krahasim gjejmë analogji të mëdha në mes të lundrave ilire e të suleve, takeve dhe lundrave të sotshme.
Ndër kohët e vona, e gjer në ditët tona duke qenë tepër afër qytetit, mjetet e lundrimit ruajtën karakterin e tyre ekonomik.
Mjetet e vjetra të lundrimit – si mjete transporti – ngelën jashtë përdorimit. Atyre u ngeli vetëm funksioni i peshkimit, që kryhet me sule të vogla, kurse taket u bënë më të rralla dhe lundrat u zhdukën fare.
Rrok Zojzi, 1968