Përmbi zâ qi lshon bylbyli
Gjûha shqype m’ shungullon;
Permbi érë qi jep zymbyli
Pá da zêmrën m’a ngushllon.
Ndër kómb’ tjerë, nder dhéna tjera
Kû e shkoj jeten tesh sá mot,
Veç per tý m’ rreh zêmra e mjera,
E prej mállit derdhi lot.
Njikto gjuhë qi jam tui ndie
Janë të bukra me temel;
Por prap kjo, si diell pá hije,
Per mue t’ tanave ju del.
Edhè zogu kerkon lisin
Mbî shpi t’artë ku rri me mbret;
E shtegtari dishron fisin
Permbî vênd qi s’âsht i vet.
O Shqypni e mjerë Shqypnija,
Plot me burra e trima plot
Ti ‘j dit’ ishe; por lumnija
Qi ké pasun nuk â sot.
Nen njat tokë qi t’a shklet kâmba
Zân e t’ moçmeve veshtrò:
Per bij t’ tashem, porsi e ama
E t’koritunve, gjimô.
Nâm e zâ, qi kishe, t’treti,
E veç turpi e mârrja t’mbloj;
Per lumni veç kóre t’ mbeti
Qysh se fara e mirë mbaroj.
Por gazmô ndër gjith kto t’vshtira
Përsè endè s’sharrove kret;
Diçka t’mbet nder atò t’mira
Mbas dý mij e mâ shum vjet.
T’ka mbêt gjuha qi po ndîhet
N’ fush e n’mal qi ti zotnon;
Gjith kû hija ê jote shtrîhet
Kû shqyptari zân e lshon.
Prej Tivarit e n’Preveze
Nji â giûha e kómbi nji;
Kû lêshon dielli njato rreze
Qi veç toka e jote i di.
Kû n’ breg t’ Cemit rritet trimi
Me zbardhë, Shqype, zânin t’ând,
E kû i Drinit â burimi
Qi shperdahet kând e kând.
Geg’ e Toskë, malci, jallija
Jân nji kômb, m’ u da s’ duron:
Fund e maje nji â Shqypnija,
E nji giuhë t’ gjith na bashkon.
Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime
Nder kto vllazen shoq me shoq:
Kush e dán me fjal’ e shkrime
Ça natyra vetë perpoq.
Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
Si i bíj’ kjé qi pá prind mbet;
Per t’huej t’mbâjshin dhénat tjera,
S’ t’kishte kush per motrë t’vet.
Kúr nji burrë u çue n’Austri
E me sy gjithkund t’kerkoj:
Gustav Meyer-i âsht êmni i tij,
Êmni i burrit qi t’madhnoj.
Porsì dielli tui flakue
Shperdán terrin qi na mbëlon,
Njashtû Meyer-i tu kërkue
Kah ké dalë po ta difton.
T’difton motrat, t’difton fisin,
Neper shekuj fluturim
T’çon njatjè ku luftnat krisin,
Kû â kap’ Roma e Iliri shqim.
Njikto t’ thotë (e ti se dishe)
Janë t’bijt t’tú qi pate mot:
Këta janë burrat qi ditë kishe,
Êmnit t’ând me i dalun zot.
Nën qytet qi mâ vonë çili
Kómbi i yt luftár mâ pak,
Kû ish mbret at-botë Bardili,
Shum anmiku dérdhi gjak.
E njat tokë qi jé tui gzue
E ké xanë tesh sá mij’ vjet;
Shqyptarija qi mbet mbëlue
Sot nën dhé, edhé shqyp flet.
Flet me rrasa, flet me sênde
Kû lumniën e vet e shkroj;
Por kerkush s’i di këto vênde
E harrimi t’tana i mbëloj.
Por gjithnji nën kâmbë po ndihen
Burrat t’tú qi toka i mbëlon,
E nën dhé kocîjt perzihen
Si arë grun’ kúr éra lëshon.
Don’ m’ u çue e t’ gjith per s’mbarit
Me u pri nipave mb’ nji cak:
Don’ me t’ bâ si ké kenë s’ parit,
T’ ndérës me kapë t’ lumnueshmin prak.