‘Dita e Verës’ e këtij viti në Shqipëri, do të mbahet mend gjatë, pasiqë kjo festë e gjen Shqipërinë me diell dhe nën masa ekstreme për parandalimin e përhapjes së virusit.
Deri tani në Shqipëri janë shënuar 38 raste pozitive, ndërsa pritet që rastet të shtohen.
Përveç Tiranës dhe Durrësit të cilat janë në shtetrrethim prej të premtes në mëngjes, sot janë zgjuar në shtetrrethim edhe Fierin. Vlorën, Lushnjën, Shkodrën. Elbasanin.
KultPlus ju sjell historinë e kësaj feste që daton qysh nga kohët antike.
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa ne disa vende te tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi.
Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan por edhe ne vendet e tjera. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të “Ditës së Verës” njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as institucionet klerikale nuk futnin hundët në kremtime të ashtuquajtura pagane.
Përshkrimin e parë e kemi nga i madhi Faik Konica,Ç’është Dita e Verës? / Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve.Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë.
Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira.Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.(Faik Bej Konica, Botuar më 1911)[1], i cili gati 100 vjet më parë, në kohën e sundimit osman, shkruante me atë stilin e vet elegant. Pershkrimi i dyte u shkruajt nga i madhi Naim Frasheri qe sipas atyre koheve ai shkruante sipas stilit te vet jo elegant por serioz.