Jusuf Osmani

ÇKA SHKRUAN GAZETA “OBZOR” E ZAGREBIT,
E VITIT 1923 PËR BANJSKËN

Banjska shtrihet në bregun e majtë të Ibrit, 10-12 km në veriperëndim të Mitrovicës. Është vendbanim me burime uji të nxehtë mjekues dhe për pije. Ky vendbanim dikur ishte qendër ekonomike e kulturore e kësaj treve, e sidomos për fshatrat që gravitonin rreth saj.
Deri në vitin 1912 në Banjskë ka jetuar vetëm popullata shqiptare. Kështu, në vitin 1903 kishte 73 shtëpi shqiptare.

Prej vitit 1912 dhe deri në vitin 1923 popullsia shqiptare e Banjskës filloi të emigronte në Turqi. Kështu, vetëm në vitin 1923, Banjskën e braktisën 54 shtëpi shqiptare. Shumica e popullsisë të shpërngulur prej Banjskës u vendosën në qytezën Evrengjik të Turqisë.

Në shkrimin e gazetës “Obzor” të Zagrebit nr.303, datë 4 nëntor 1923 thuhet: “Siç njoftojnë nga Mitrovica, ditëve të fundit po vërehet lëvizja e madhe për shpërngulje të popullatës së atjeshme myslimane për në Turqi. Në dy fshatra myslimane, p. sh., u kanë shitur serbëve të atjeshëm tërë pasurinë e tundshme dhe të patundshme.

Në ato fshatra nuk do të ketë më myslimanë, por vetëm serbë. Për myslimanët e varfër, të cilët nuk kanë mjete financiare për shpërngulje, kujdeset një këshill i veçantë. Për disa ditë në komunën e Banjskës myslimanët në 6 fshatra të mëdha dhe 12 lagje do të shesin tërë atë çka kanë.

Kinse këtë lëvizje për shpërngulje të myslimanëve në Kosovë po e udhëheqin disa myslimanë këmbëngulës nga Mitrovica, të cilët, siç po thuhet në Beograd, kanë marrë instruksione të veçanta nga Stambolli”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here