Kombinimet e vakteve kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në organizmin tonë. Ato ndikojnë si në shëndetin fizik, ashtu edhe në atë mendor. Nutricionisti Altin Joka, në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, shpjegoi kombinimet e duhura dhe ato të gabuara të ushqimeve.

 

 

“Shpesh e shohim ushqimin në mënyrë të gabuar, duke harruar se ai ka ritmin dhe rregullat e veta. Ushqimi është një strukturë e kombinuar me minerale, vitamina, enzima etj. Një ushqim edhe pse i shëndetshëm mund të bëhet i dëmshëm kur kombinohet me një tjetër. Çdo vakt që marrim i jep një sinjal trupit; nëse kombinohet siç duhet sjell balancë, përndryshe sjell ndryshime në tretje, enzimat nuk veprojnë në mënyrë optimale, rritet fermentimi dhe prodhimi i gazrave”, shpjegoi Joka.

 

Sipas tij, kombinimet e gabuara ndikojnë edhe në mikrobiomë, duke pakësuar bakteret e mira në zorrë. Kjo rrit inflamacionin në zorrë dhe rrezikon kalimin e toksinave në gjak. Këto procese, sipas Jokës, ndikojnë edhe në aspektin metabolik, duke sjellë lodhje, rritje të tensionit, rezistencë ndaj insulinës dhe rritje të kortizolit, deri në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme.

 

Rregullat bazë të ushqyerjes

Vakti duhet të jetë i vogël, i thjeshtë dhe pa shumë përzierje të rënda. Vaktet e mëdha, të pasura me yndyrna dhe sidomos kur pas tyre konsumohen ëmbëlsira apo fruta, sjellin rëndim të stomakut.

Kombinimi i bukës me mishin, ëmbëlsirat dhe patatet krijon ngadalësim të tretjes.

 

“Duhet të dëgjojmë më shumë trupin: të hamë ngadalë dhe të ndiejmë lehtësi. Duhet t’i japim kohë tretjes dhe të përtypim ushqimin mirë. Nuk duhet të ulemi në tavolinë kur jemi të nervozuar. Ka raste kur ngrënia në gjendje emocionale të rënduar mund të jetë shumë e dëmshme, madje dhe fatale për jetën”, theksoi Joka.

 

 

Ngrënia e tepërt pa pushim dëmton metabolizmin. Ushqimi nuk duhet të krijojë “kaos” në organizëm. Yndyrnat dhe proteinat e kombinuara gabim sjellin probleme me tretjen dhe fermentimin.

 

 

Duhet treguar kujdes edhe ndaj nivelit të vitaminave, mineraleve dhe hekurit në ushqime. Mikrobioma duhet ushqyer me baktere të mira, përmes fibrave, probiotikëve dhe antioksidantëve.

Kombinimet më të shëndetshme sipas vakteve

 

 

Në mëngjes mund të përgatisni:

Smoothie me spinaq ose lakër kale, mollë, limon, fara chia, vaj ulliri dhe avokado
Avokado me qumësht dhie, kanellë, alga deti dhe kripë deti
Kefir me fruta pylli, bajame, mjaltë, fara chia dhe arra
Lëng panxhari, molle, limoni dhe xhenxhefili
Lëng portokalli me xhenxhefil dhe karrotë
Lëng molle, kastraveci, limoni dhe menteje (i përshtatshëm për stomak me gastrit)
Një drekë e balancuar

 

 

Supë me lëng kockash, vaj ulliri, selino, karrota, patate të kuqe, majdanoz dhe qepë
Supë thjerrëzash me vaj ulliri, limon, hudhër dhe karrotë
Supë jeshile me karrotë, spinaq dhe fara kungulli
Supë me kungull të verdhë, xhenxhefil, mente, karrotë dhe fara susami
Supë pule me karrotë, kopër, gjalpë dhe selino
Supë me borzilok, vaj ulliri dhe hudhër
Bukë e bërë në shtëpi me miell të mirë pa maja, me vaj ulliri dhe shoqëruar me domate, qepë, rigon dhe djathë
Karrota dhe domatja të kaurdisura në vaj ulliri, pasi rritet përthithja e ushqyesve
Tarator me hudhër, kopër, vaj ulliri, arra dhe fara – shumë i mirë për mikrobiomën
Mish me perime (jeshillëqe, patate, karrota dhe kunguj në furrë)
Mish me oriz apo oriz me fasule
Mollë me arra, kanellë dhe kos – ndihmon në stabilizimin e glicemisë dhe uljen e oreksit emocional
Banane me kos dhe gjalpë kikiriku
Kombinimet e gabuara

 

 

Lengjet e frutave miks pa shoqërim me arra apo fara
Supë me bukë të bardhë
Kapuçino me briosh
Pizza dhe hamburger me Coca-Cola dhe patate – rrisin sheqerin, dëmtojnë zorrën dhe krijojnë stres metabolik
Kotoleta të skuqura në vaj
Drithëra mëngjesi me sheqer dhe qumësht
Fruta të thata me çokollatë
Mish me patate të skuqura
Bukë e bardhë me reçel

 

Proshutë dhe sallamra me djathë – rrisin rrezikun kardiovaskular
Ushqim i skuqur me alkool – rrit inflamacionin në organizëm

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here