Një shpërthim vullkanik në vitin 2023 detyroi 3.700 banorë të largoheshin nga qyteti bregdetar Grindavík. Sot vizitorët mund t’u bashkohen tureve të organizuara në qytetin-fantazmë për të parë nga afër fuqinë e natyrës.
Është e vështirë të mos ndihesh i prekur. Çarje të thella përshkojnë asfaltin e butë të parkimeve. Shtëpi me mure të çara qëndrojnë pas barrikadave mbrojtëse dhe flamujve portokalli. Lëkundjet e erës i japin jetë luhatëses së një çerdheje bosh. Në nëntor 2023, qyteti islandez i Grindavík, një komunitet peshkatarësh, u evakuua brenda një nate. Sot, ai është një qytet fantazmë.
Në një parking përballë një supermarketi të braktisur, një ekspozitë fotografike në natyrë nga Sigurður Ólafur Sigurðsson rrëfen historinë në mënyrë tronditëse, duke filluar me mbledhjen e parë emergjente në palestrën e qytetit, kur tërmetet nisën të tronditin zonën.
Shumë shpejt pas kësaj, çarje të mëdha u hapën pranë qytetit dhe llava nisi të rridhte nga një vullkan aty pranë. Shtëpi u shkatërruan, rrugët u deformuan, toka u ngrit dhe u ul. Që nga ndërhyrja e parë e magmës, të paktën pesë shpërthime të tjera kanë goditur zonën.
Fotot e Sigurðsson-it dokumentojnë gjithçka: ekipet e kërkim-shpëtimit në pajisje mbrojtëse përballë flakëve dhe llavës; një burrë që qëndron me gruan në kuzhinën e tij, duke fshirë një lot, duke e ditur se gjasat për t’u kthyer ndonjëherë janë të vogla.
Ky ishte katastrofa natyrore më e madhe që kishte parë Islanda në më shumë se 50 vjet. Një gazetar e përshkroi çarjen 4 km të gjatë që derdhte llavë të shkrirë si “hapja e portave të ferrit”.
Grindavíku ishte i mbyllur për publikun për gati një vit, por u rihap në tetor 2024, duke qenë shtëpi për vetëm disa njerëz që refuzuan të largoheshin, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare. Tani, vizitorët mund të marrin pjesë në ture të udhëzuara për të parë nga afër fuqinë e natyrës.
Kristín María Birgisdóttir, e lindur dhe rritur në Grindavík, sot organizon ture në qytetin e saj të dikurshëm. “Njerëzit bëjnë shumë pyetje për atë çfarë ndodhi, si ka ndryshuar gjithçka dhe si na ka ndikuar,” tregon ajo. “Gjithmonë thonë se nuk është njësoj me ta parë në televizor. Ka një ndjesi mahnitjeje për mënyrën se si funksionon natyra. Por kur sheh se një qytet i tërë është evakuuar për shkak të saj – kjo është një histori tjetër”.
Të ndodhesh këtu ndonjëherë të krijon ndjesinë e “turizmit të errët”, duke vështruar nëpër dritaret pa perde të shtëpive plotësisht të mobiluara që nuk do të banohet më kurrë. Por Birgisdóttir flet me realizëm: “Ishte e qartë se kjo mund të ndodhte, pasi jetojmë mbi pllaka tektonike”, thotë ajo. “Magma një ditë do të dalë në sipërfaqe kur jeton në një zonë shpërthimi, në Shpatin Atlantik të Veriut. Por edhe ekspertët e vullkaneve nuk mund të parashikojnë me saktësi se çfarë do të ndodhë dhe kur”.

Vetëm këtë muaj u publikuan planet për të ardhmen afatgjatë të Grindavík, por në vend të optimizmit, ato theksojnë fuqinë shkatërruese të vullkanit. Dhjetëra shtëpi do të shemben dhe zonat me rrezik të lartë do të shpallen të papërshtatshme për banim. Banorët nuk do të lejohen të rikthehen në shtëpitë e tyre për një kohë të gjatë.
I intriguar nga peizazhi i paqëndrueshëm, i bashkohem një turi të organizuar nga Mountain Guides, që eksploron jo vetëm Grindavíkun por gjithë rajonin përreth të njohur si Reykjanes Geopark. Udhërrëfyesi im, Karl Johansson, tregon se pjesa e vetme e qytetit që nuk u lëkund gjatë shpërthimit ishte porti – një fat për bizneset e peshkimit që mbajnë gjallë këtë pjesë të Islandës. Disa ndërtesa të tjera që mbijetuan përfshijnë bankën, kishën dhe një rreth me gurë antikë, i ngjashëm me Avebury-n në Angli. “Zoti, Odini dhe perënditë e parasë janë siguruar që këto vende të mbijetojnë”, thotë me humor.

Pjesa e Gadishullit Reykjanes është zona më aktive vullkanike në Islandë dhe një nga më aktivet në botë, duke qëndruar mbi pllakën e Mesatlantikut, ku pllakat tektonike amerikane dhe euroaziatike ndahen vazhdimisht. Këto lëvizje shkaktojnë tërmete, çarje dhe shpërthime, dhe që nga viti 2018, janë regjistruar të paktën pesë shpërthime të mëdha dhe mbi 800 tërmete. Rajoni është kaq aktiv, sa vetëm pak javë para vizitës time, një rrjedhë e re llavë u hap, dhe Zyra Meteorologjike Islandeze paralajmëroi për mundësinë e shpërthimeve të tjera deri në fund të vitit.
Në Fagradalsfjall, një udhëtim i shkurtër nga Grindavíku, mund të shohësh nga afër një fushë llave. Nga fundi i luginës, llava ngjan si një det i ngrirë uji, një rrjedhë ngjyrë kafe e errët, pothuajse e zezë, me forma të shtrembëruara që duket sikur janë ende në lëvizje. Ajo erdhi nga një shpërthim i viteve 2021 dhe 2022. Megjithëse duket si shkëmb i ftohtë dhe i ngurtë, në mes të fushës një spirale tymi gri ngrihet ngadalë në ajër – toka ende lëshon nxehtësi. Është tronditëse të kuptosh se sa e “gjallë” është ende kjo tokë. Por Johansson e pranon me qetësi: “Të gjithë ne jetojmë mbi një vullkan këtu në Islandë,” thotë ai. “Jemi mësuar me këtë”.

Disa minuta larg, në Seltún, një tjetër zonë vullkanike aktive, ajri mbushet me aromën e fortë të vezëve të prishura nga pellgjet me baltë që ziejnë. Ky është një nga tre vendet gjeotermale në gadishull dhe monitorohet rregullisht nga shkencëtarët. Një lumë rrjedh përmes kodrës dhe një rrugicë druri ndjek terrenin, i njollosur me ngjyra të verdha nga squfuri. Depositat e argjilës dhe mineraleve i japin tokës nuanca të kuqe, rozë dhe blu-gri – si piktura e një artisti të çmendur. Balta, që zien si një vaskë e nxehtë, lëshon “gromësira” ndërsa flluskat e ajrit shpërthejnë në sipërfaqe.
Përkundër rrezikut, aktiviteti sizmik i Islandës nuk i ka trembur turistët – përkundrazi, e ka rritur më shumë interesin.


