REGJIMENTI SHQIPTAR I NAPOLEONIT.
KOLONELI MINOT, I SHKRUANTE MINISTRIT FRANCEZ TË LUFTËS PËR VESHJEN TRADICIONALE SHQIPTARE: “VESHJA E TYRE, FUSTANELLA ETJ., ËSHTË SHUMË LUKSOZE…”

Regjimenti Shqiptar (Régiment albanais) e kishte origjinën te një regjiment venecian i kaluar në shërbimin francez në vitin 1797, së bashku me një milici shqiptare të ngritur nga rusët në vitin 1799, e cila kaloi në shërbim të Francës kur kjo rimori Ishujt Jonianë në vitin 1807. Më 12 tetor të atij viti Napoleoni miratoi rekrutimin e rreth 3 000 shqiptarëve, shumica prej të cilëve ishin bërë refugjatë për shkak të sundimit të ashpër të guvernatorit osman të bregdetit shqiptar, Ali Pasha i Janinës.

Forca e bashkuar u organizua si Regjimenti Shqiptar më 12 dhjetor 1807, me tre batalione, secili i përbërë nga një shtab dhe nëntë kompani. Megjithë rekrutimet shtesë ndërmjet grekëve, italianëve dhe komuniteteve dalmate vendore, regjimenti nuk arriti kurrë përbërjen e tij zyrtare prej 3 254 vetash.

Një batalion i këmbësorisë së lehtë greke (Greek Foot Chasseurs), i njohur gjithashtu si Pandours de Albanie (“Pandurët e Shqipërisë”), u krijua nga francezët me urdhër të 10 marsit 1808 nga refugjatë shqiptarë dhe grekë që ndodheshin në Ishujt Jonianë pas traktatit të Tilsitit.

951 ushtarët e tij u ndanë në tetë kompani, prej të cilave tre u përcaktuan si kompani elitare. Dy njësitë u bashkuan në një Regjiment Shqiptar të vetëm më 1 korrik 1809, të organizuar sipas modelit francez në gjashtë batalione, me gjithsej 160 oficerë dhe 2 934 ushtarë. Çdo batalion përbëhej nga një kompani elitare dhe pesë kompani fusilierësh.
Regjimenti u shpërnda në garnizone të ndryshme nëpër Ishujt Jonianë. Meqenëse të gjithë ushtarët ishin vullnetarë dhe mund të largoheshin kur të dëshironin, disiplina ishte më e lirshme; madje edhe oficerët udhëtonin rregullisht në pjesën kontinentale për t’u marrë me sherret familjare ose për të siguruar bagëti për furnizimin e garnizonit. Gjakmarrja luante një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare dhe mëritë ndërmjet familjeve apo grupeve etnike shpesh dobësonin kohezionin e njësisë dhe shpirtin luftarak, duke sjellë rezultate të pabarabarta në fushën e betejës.

Kompanitë që mbanin garnizon në ishujt Zante, Kefaloni dhe Itakë, në tetor 1809 luftuan me trimëri, derisa u mposhtën nga forcat britanike që ishin numerikisht më të mëdha. Ndryshe nga kjo, të 34 oficerët dhe të 789 ushtarët e batalionit të dërguar për mbrojtjen e Saint—Maure-së, dezertuan në masë tek armiku, me përjashtim të 13 vetave që ndodheshin në burg. (Shumica e tyre më pas iu bashkuan këmbësorisë së lehtë, “Light Infantry”, të Dukës së Jorkut, të ngritur nga britanikët.)

Pjesa tjetër e regjimentit qëndroi në Korfuz dhe nuk mori më pjesë në luftime. Shkalla e dezertimeve mbeti gjithmonë e lartë; për këtë arsye regjimenti u riorganizua, më 6 nëntor 1813, në një shtab dhe në dy batalione, me gjithsej 47 oficerë dhe 1 204 ushtarë. Këtyre u shtoheshin në mënyrë jozyrtare edhe 1 036 gra e fëmijë, 1 426 dhi, 36 kuaj, një mushkë dhe një lopë.

U hodhën disa propozime për dërgimin e një pjese të ushtarëve në Napoli për t’u bashkuar me ushtrinë mbretërore të Joachim Murat-it, ose për shtimin e 500 shqiptarëve në Gardën Perandorake të Napoleonit, por këto plane nuk u realizuan. (Tre kalorës vullnetarë, “kaluar në kuaj, të armatosur dhe të pajisur sipas mënyrës së të parëve të tyre”, udhëtuan në Paris në vitin 1813 për t’u inspektuar nga Ministri i Luftës; ngjashmëria e tyre me mamelukët bëri që ata të bashkoheshin me skuadronin përkatës të Gardës gjatë fushatës së vitit 1814.)

Pas evakuimit francez të ishullit të Korfuzit, në vitin 1814, regjimenti shqiptar u mor nën kontroll nga britanikët, por u shpërbë shpejt vetvetiu, përpara se të shpërndahej zyrtarisht më 21 qershor 1814.

Ushtarët e këtyre njësive mbanin veshjen e tyre tradicionale shqiptare, të përshkruar nga koloneli Minot në një letër drejtuar Ministrit të Luftës:

“Veshja e tyre është shumë luksoze: një kësulë e kuqe leshi, me një xhufkë ari, opinga me shollë të trashë, gaiterë me ngjyra, një tunikë fustanellë (“tunique fustanella”), një jelek i kuq, i shkurtër, i zbukuruar me kopsa ari me mëngë të hapura deri në bërryl, një brez i gjatë leshi, i kuq me thekë ari dhe një mantel i trashë prej lëkure dhie që nuk lejon depërtimin e shiut dhe që është shumë i dobishëm për kampimin në terren.”
Të gjithë ishin të armatosur me një ose dy pistoleta, një jatagan dhe një armë me kalibër të vogël të stilit turko-ballkanik me tytë të gjatë. Pistoletat kishin një dorezë pothuajse të drejtë dhe ishin të mbuluara plotësisht me zbukurime prej bronzi ose argjendi.

FB: Thënie për shqiptarët
_________________
Titulli: “Napoleon’s Balkan Troops”, Men At Arms, 410.
Autori: Vladimir Brnardic
Illustrues: Darko Pavlovic
Botuesi: Osprey Publishing, 2004

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here