6.1 C
Pristina
Saturday, January 31, 2026
Home KAFSHËT Fansat i japin lamtumirën pandave të vetme të Japonisë

Fansat i japin lamtumirën pandave të vetme të Japonisë

10
0

Dashamirësit e pandave në Tokio i thanë lamtumirë të dielën dy pandave shumë të dashura, të cilat pritet të kthehen në Kinë, duke lënë Japoninë pa asnjë panda për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh.

Pandat Lei Lei dhe Xiao Xiao, të huazuara në kuadër të programit të ashtuquajtur “diplomacia e pandave” nga Kina, kanë simbolizuar miqësinë mes Pekinit dhe Tokios që nga normalizimi i marrëdhënieve diplomatike në vitin 1972.

Vizitorë të shumtë në Kopshtin Zoologjik Ueno u panë me lot në sy teksa shikonin dy pandat, të vetmet në Japoni, duke ngrënë bambu. Kafshët pritet të largohen drejt Kinës të martën, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy ekonomive më të mëdha të Azisë.

Kthimi i papritur i pandave u njoftua muajin e kaluar, pasi kryeministrja konservatore e Japonisë, Sanae Takaichi, la të kuptohej se Tokio mund të ndërhynte ushtarakisht në rast të një sulmi ndaj Tajvanit. Deklarata shkaktoi reagim të ashpër nga Pekini, i cili e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.

Rreth 4 mijë e 400 persona, fitues të një lotarie online, patën mundësinë t’i shihnin nga afër binjakët katërvjeçarë në kopshtin zoologjik Ueno, ndërsa të tjerë u mblodhën pranë tij, shumë prej tyre të veshur me bluza, çanta dhe lodra me figura pandash.

Sipas profesorit Masaki Ienaga, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Grave të Krishtera të Tokios, largimi i pandave mund të mos jetë domosdoshmërisht politik, por një rikthim i tyre në të ardhmen do të simbolizonte përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Nëse në të ardhmen ka vullnet nga të dyja palët për të përmirësuar lidhjet, është e mundur që rikthimi i pandave të diskutohet”, tha ai për AFP-në.

/tvklan.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here