Një njoftim i publikuar në të përditshmen sarajevase “Dnevni Avaz” ka nxitur debate dhe reagime të ashpra në opinionin shqiptar, veçanërisht në diasporë. Sipas këtij njoftimi, anëtarja e Këshillit Bashkiak të New Yorkut nga Distrikti 22 ka bërë të ditur se është miratuar kërkesa që 12th Street në New York, ndërmjet Broadway dhe 31st Avenue në Astoria, të emërtohet: “Ali Paša Šabanagić Way” (Ali Pasha Shabanagiq Way), që është rruga ku ndodhet Xhamia e Ali Pashës, vakëfi i Bashkësisë Islame dhe Qendra Kulturore Plavë–Guci.

Mirëpo, që në fillim kjo histori shkakton dyshime serioze dhe shqetësime të thella. Fotoja e shpërndarë në publik, e cila duket qartazi se është e gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), paraqet emërtimin e rrugës me shkronja sllave/serbe, gjë që është praktikisht dhe ligjërisht e pamundur në New York, ku emërtimet zyrtare të rrugëve bëhen VETËM me alfabetin anglez me shkromja latine

Por, problemi kryesor nuk është vetëm teknik – problemi është shumë më i thellë, historik dhe kombëtar.

Tentim i hapur i pëvetësimit të historisë shqiptare

Ali Pashë i Gucisë është figurë e njohur historike me origjinë puro shqiptare e të padiskutueshme, pjesë e historisë së Plavës dhe Gucisë dhe e vëllazërisë shqiptare Shabanagaj. Çdo tentativë për ta paraqitur atë si figurë me identitet tjetër etnik përbën shtrembërim të historisë dhe përvetësim qëllimkeq kulturor.

Prandaj shtrohet pyetja legjitime dhe e pashmangshme:

Si ka mundësi që komuniteti boshnjak në SHBA t’i japë vetes të drejtën të përvetësojë një figurë historike shqiptare, duke tentuar ta asimilojë Ali Pashë Gucinë dhe ta shkëpusë nga rrënjët e tij shqiptare?

A është kjo thjesht injorancë historike, mungesë e informatave relevante historike apo si duket një strategji e vetëdijshme për rishkrimin e historisë në diasporë, aty ku shqiptarët shpesh mungojnë me reagim institucional?

Heshtja nuk është opsion

Ky rast duhet të shërbejë si alarm serioz për komunitetin shqiptar në New York, në SHBA dhe më gjerë. Heshtja në raste të tilla do të thotë bashkëfajësi. Historia, identiteti dhe figurat tona kombëtare nuk janë pronë e askujt për t’u ricikluar sipas interesave ditore.

Ali Pashë Gucia ishte dhe mbetet shqiptar.
Çdo përpjekje për ta shtrembuar këtë fakt me qellim është fyerje ndaj historisë, trashëgimisë dhe ndaj dinjitetit kombëtar shqiptar.

Portali Plava e Gucia Sot do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe u bën thirrje institucioneve, historianëve dhe komunitetit shqiptar që të reagojnë me argumente, dokumente dhe me zë të fuqishëm, ashtu siç e kërkon e vërteta historike.
Pritet reagimi i duhur, serjoz dhe i argumentuar i institucioneve shtetërore, atyre shkencore e i ekspertëve gjegjes te dy shteteve shqiptare dhe te diaspores sepse tentime te ketilla ka pasur edhe me heret dhe eshte koha e fundit të ndalen njehere e pergjithmonë!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here