Një ilaç i ri, i cili u zhvillua për të ndihmuar sistemin imunitar të gjejë dhe sulmojë qelizat kancerogjene, po tregon rezultate premtuese në provat e fazës së hershme tek pacientët me kancer të pankreasit dhe zorrëve.
Kanceri i pankreasit është një nga llojet më vdekjeprurëse të kancerit, kryesisht për shkak të faktit se diagnostikohet më shpesh në një fazë të vonë, kur shanset për trajtim të suksesshëm janë shumë të ulëta. Shumë pacientë nuk i përgjigjen terapive klasike si kimioterapia dhe rrezatimi, dhe sëmundja vazhdon të përhapet.
Megjithatë, një vaksinë e re e quajtur ELI-002 2P, e testuar në 25 pacientë (20 me kancer të pankreasit dhe 5 me kancer të zorrës së trashë), synon një mutacion specifik në gjenin KRAS, i cili është thelbësor për rritjen e tumorit. Vaksina është projektuar për të njohur dhe sulmuar qelizat kancerogjene me këtë mutacion, duke rritur gjithashtu përgjigjen imune nëpërmjet nyjeve limfatike.
Gjatë fazës së parë të provës, 68 përqind e pacientëve zhvilluan një përgjigje të fortë imune ndaj proteinave të mutuara KRAS. Ata që kishin përgjigjen më të fortë ndaj vaksinës jetuan më gjatë dhe mbetën pa sëmundje më gjatë se të tjerët.
Mesatarisht, pacientët me kancer të pankreasit që morën vaksinën mbijetuan rreth dy vjet e pesë muaj, që është dukshëm më mirë se mesatarja aktuale prej vetëm tre në dhjetë të mbijetuar pas një viti.
Është veçanërisht e rëndësishme që vaksina të mos jetë e personalizuar, që do të thotë se mund të prodhohet në masë dhe të shpërndahet tek pacientët më shpejt, shkruan Skynews.
Studiuesit tashmë po punojnë në një fazë të dytë të provave klinike që përfshijnë një numër më të madh pacientësh me kancer të pankreasit dhe zorrëve. Udhëheqësi i studimit, Dr. Zev Wainberg i Universitetit të Kalifornisë, Los Angeles, i quajti rezultatet “të jashtëzakonshme”.


