Kulla e Zef Ndocajt, në Kodër Spaç, Mirditë, është një banesë tipike e kullave që ndërtoheshin dikur në zonën veriore të vendit, e shpallur Monument Kulture, Kategoria I. Kjo banesë e fortifikuar ashtu sikurse edhe të tjera të krahinës së Mirditës, kanë veçanti dalluese tiparet e qarta mbrojtëse dhe mënyra e realizimit të tyre.
Qëllimi kryesor i mbrojtjes, i kushtohet që nga trualli, skema kompozicionale e banesës me kthina të vendosura në lartësi, formulimi arkitektonik i jashtëm, futja e shkallëve brenda, porta, streha e çatisë, etj.
Banesat e fortifikuara zakonisht janë ndërtuar në pozicione të mbrojtura ndërsa elementët tipologjike e funksionale si dhe ato konstruktive arkitektonike e dekorative, janë të ngjashme me ato të banesave të fortifikuara të pjesës tjetër të veriut, si Mat, Kurbin.
Kullat në këto anë u ndërtuan dikur nga familje të pasura, e të fuqishme në komunitet dhe numri i kateve të tyre shprehte njëherësh dhe rangun shoqëror.
Kulla mund të ketë tre, katër ose më shumë oda. Atje ku mungon kasollja, oda përdhese përdoret për bagëtinë. Një shkallë e ngushte porsa hyn tek dera të shpie në odën e burrave ose të miqve, e pajisur me oxhak.
Forma planimetrike më të zakonshme e banesave të fortifikuara në krahinën e Oroshit e më gjerë është ajo me qoshe e cila formohet duke i bashkëngjitur volumit kryesor të banesës, një shtojcë. Në kthinat e shtojcës, janë të vendosura nyjet sanitare të kateve.
Banesat e fortifikuara të Mirditës, janë të pajisura me çikma po ndryshe nga çikmatë e Matit e Dibrës nuk kanë dritare, por vetëm frëngji. Siç duket çikmatë e Mirditës e kanë humbur funksionin e ndenjjes dhe janë kthyer vetëm në elemente mbrojtës./ATSH/