Nga Shaban Murati
“… Natyrisht në Shqipëri misioni diabolik fondamentalist i konvertimit të shqiptarëve në “fenë e të parëve” kanë konsensusin e heshtur të shtetit shqiptar, i cili urren çdo gjë shqiptare, nga shpirti e deri te territori, dhe është dakord ta bëjë Shqipërinë një lëmsh në planin shpirtëror.”
Shprehja diabolike “feja e të parëve”, që qarkullon aktualisht nga misionarë dhe grupe të sponsorizuara fanatike fetare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk është me origjinë shqiptare. Ajo nuk është dëgjuar dhe as përmendur kurrë nga Rilindja jonë Kombëtare në shekullin 19, që hodhi bazat e shqiptarizmit dhe të patriotizmit, që kemi sot si komb. Nuk është dëgjuar dhe as përmendur kurrë nga patriotët dhe shtetarët shqiptarë në shekullin 20 deri në ardhjen e demokracisë. Me hapjen e shoqërive shqiptare pas rënies së komunizmit në fund të shekullit 20, kur vërshuan idetë liberale dhe investimet e huaja, u fut dhe kjo shprehje e koncept në rrjetet e shoqërive shqiptare, që u konkretizua me planin fondamentalist dhe me përpjekjet e organizuara diabolike për konvertimin e detyrueshëm fetar të shumicës dërrmuese të popullsisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, në emër të kthimit në “fenë e parëve”, ose me saktë në fenë e organizatorëve dhe financuesve të këtyre misionarëve të rij fetarë në trevat shqiptare në Ballkan. Dhe jo rastësisht nuk përmendet kurrë se feja e parëve tanë ilirë ka qenë paganizmi. Në shekullin 21, me degradimin e vlerave dhe të trashëgimisë kulturore të Rilindjes Kombëtare, po gjen një përhapje dhe sponsorizim më të gjërë kjo rrymë fetare fondamentaliste.
E përsëris se kjo shprehje dhe ky plan fetar fondamentalist i kthimit të shqiptarëve në të ashtuquajturën “fe të të pareve” nuk janë shqiptare. Këtë e vërteton fakti i thjeshtë se kjo lëvizje e organizuar nga jashtë e konvertimit të shqiptarëve në “fenë e të parëve” nuk ndodh në shtetet ortodokse si Serbia, Greqia apo Mali i Zi. Askush, as edhe një zë i vetëm nuk i ka kërkuar shumicës dërrmuese ortodokse në këto shtete ballkanike që të konvertohen “në fenë e të parëve” të tyre, ku ishin para se të bëheshin ortodokse.
Natyrisht në Shqipëri misioni diabolik fondamentalist i konvertimit të shqiptarëve në “fenë e të parëve” kanë konsensusin e heshtur të shtetit shqiptar, i cili urren çdo gjë shqiptare, nga shpirti e deri te territori, dhe është dakord ta bëjë Shqipërinë një lëmsh në planin shpirtëror. Mos harroni se kemi një shtet, që shpall në OKB në vitin 2024 projektin idiot vetëshkatërrues të krijimit të një “shteti sovran bektashi” në territorin e Shqipërisë. Shtet për një tarikat apo sekt të vogël të myslimanizmit! Por në Shqipëri janë 12 tarikate të tilla dhe a e imagjinoni Shqipërinë e mjerë që të coptohet me 12 shtete të pavarura tarikatesh brenda territorit të saj. Coptim më të madh nuk kanë ëndërruar as shovinistët më të mëdhej serbë dhe grekë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar.
Është tepër e qartë se kjo shprehje dhe ky plan diabolik synojnë të godasin harmoninë fetare të popullit tonë si trashëgimi e historisë sonë dhe ta përçajnë monolitizmin tonë kombëtar shqiptar. Synojnë sidomos të godasin fenë myslimane të shumicës dërrmuese të kombit tonë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Që kjo shprehje dhe plan diabolik është sponsorizim i jashtëm serb, grek, etj. e vërteton fakti se po financohen përpjekje që ato të shndrrohen në formate grupi dhe madje partie politike. Sado komike dhe donkishoteske të duket një i ashtuquajtur grup apo e ashtuquajtur lëvizje e Deçanit për konvertimin fetar, krijimi i saj është celula e parë e një veprimtarie antikombëtare nga qendra të huaja antishqiptare dhe nga shërbimet sekrete të shteteve fqinjë dhe në rradhë të parë të Serbisë.
Absurditeti nis nga shpikja e konceptit të konvertimit fetar të shqiptarëve në grup. Konvertimi fetar është akt individual dhe personal i vullnetit të lirë të njeriut. Nuk mund të jetë as familjar, as i fisit dhe as i fshatit. Grupin apo organizimin e përbashkët të fshatit apo të krahinës nën një çati fetare e krijon politika dhe shërbimet sekrete. Që është gjithçka e sajuar dhe e sponsorizuar e tregon edhe fakti që disa misionarë fetarë me uniformë bëhen pjesë e spektaklit politik dhe realizojnë pagëzime në grup të disa të konvertuarve.
Shqiptarët duhet të hapin sytë e vigjilencës para koncepteve dhe planeve të tilla diabolike antishqiptare, që i sponsorizojnë Serbia, Greqia, dhe ndonjë shtet tjetër i interesuar. Nuk duhet lejuar që liria personale e konvertimit fetar të përdoret si instrument i qendrave antishqiptare.