nga Bledi Filipi

Nuk e di por përditë dhe më shumë më përforcohen thëniet e Fishtës dhe Konicës për botëkuptimin, mentalitetin dhe brendinë tonë si shqiptarë. Përse? Sepse ne jemi shpërthyes atje ku nuk duhet dhe heshtim atje ku është për t’u ngritur zëri në qiell të shtatë!

Këto tri ditë mediet dhe portalet u uzurpuan nga njerëz që flisnin a shkruanin me fjalë fyese për një shkrimtar të ndjerë tashmë. Ky fenomen nuk shfaqet për herë të parë, pasi edhe kur shkuan atëbotë D.Agolli dhe N.Jorgaqi, u hap thesi i leksikut të urrejtjes, duke shprehur mllef dhe lumë fjalësh për ata që duam, s’duam, na dhuruan letërsi të mirëfilltë.

I njëjti fenomen i ulët ndodhi edhe këto ditë për Kadarenë… Nuk arrij ta kuptoj se si i hyjmë detit me këmbë, pra, pa ditur not. Disa shprehen se Kadareja i paska shërbyer sistemit diktatorial, disa thonë se ka pasur dorë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 (sqaroj këtu se qe Konsulta e Prishtinës ideatorja e këtij kongresi) e të tjerë e shpien mllefin deri te bindjet e Kadaresë për përqafimin e besimit mysliman[i] nga shqiptarët (ku dhe unë kam rezervat e mia dhe i kam shprehur vite më parë, ashtu siç ia shpreha edhe Krajës para një viti). Por nuk është e udhës këto ditë të zbrazet ky mllef i panevojshëm.

Disa shkojnë deri atje sa theksojnë se Kadareja paska ulur dhe kritikuar veprën dhe personalitetin e Atë Gjergj Fishtës. Deri këtu jemi në rregull, por, nëse Fishta do të ishte gjallë, a do ta duronte këtë lumë sharjesh? Absolutisht jo! Pasi ata kolosë dinin të kritikonin, diskutonin dhe debatonin, por edhe të respektonin.

Vetë Fishta, të qe gjallë e të dëgjonte këta “të gjithëditur”, do t’u hynte me bastunin e tij e do t’ua bënte kurrizin më të butë se barkun!

Gjatë këtyre ditëve kur mbarë kombi përcolli në banesën e fundit Kadarenë dhe vende të Evropës e të botës e ndanë me ne dhimbjen për këtë humbje, disa nga ne shqiptarët marrin gurin dhe fillojmë të gjuajnë.

Kjo është një gjë që na tregon të vegjël. Aq të vegjël, saqë, nuk gjendet fjalë në leksikun e shqipes për ta vendosur si epitet. Ndaj, me të drejtë karakterit të shqiptarit ADN-në ia ka bërë më së miri Konica, por nuk e shoh të udhës ta citoj këtu.

Veprën dhe qëndrimet e Kadaresë do të jetë koha që i vlerëson, kritikon a i rrëzon. Ajo nuk toleron!

Sa keq kur këtij lumi i hynë edhe disa hoxhallarë a besimtarë. Mendoj se një besimtar a teolog i vërtetë e di më së miri që nuk duhet të nxjerrë fjalë mllefi për një të vdekur. Nuk i takon as një besimtari a teologu të japë verdiktin se a e fiton a jo xhenetin i ndjeri. Askush më së miri veç Krijuesit të Gjithësisë nuk e di atë gjë.

Këta teologë a besimtarë (Shqipëri, Kosovë, RMV) të cilët zgërdhiheshin me këtë vdekje, ose bënë statuse a komente mllefuese, a s’më thonë, i kam rixha, a janë mbledhur ndonjëherë të marshojnë a solidarizohen për vëllezërit myslimanë në Palestinë, të cilët vuajnë dhe ku u shuan gra, pleq e fëmijë!? Përse druhen? Nga kush?

E di që pyetja do të mbetet retorike.

Nuk e bëj këtë shkrim si avokat mbrojtës i Kadaresë, aspak! E bëj si shqiptar, si dashamir i letërsisë, si besimtar, se nuk ndihem mirë kur kemi kaq mllef brenda vetes dhe e nxjerrim aty ku nuk duhet.

Sa i përket Kadaresë dhe veprave të tij, duhet ta pranojmë se ka lexueshmëri të lartë ndër shqiptarë dhe të huaj, por shijet janë të ndryshme. A i kanë shërbyer ato vepra atij sistemi? Por diçka duhet ta kemi të qartë: të bëje letërsi në kohën e diktaturës komuniste ishte të luaje me kokën tënde dhe të mbarë fisit. Sot mund të flitet lehtë për atë kohë, por ata që e kanë vuajtur në kurriz, e dinë më mirë.

Do të sjell një shembull këtu dhe do të shohim se si fshikullon shkrimtari: Për shkak të aluzioneve të hapura kundër regjimit komunist, në mars 1982 u thirr në mënyrë urgjente një plenum i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë, si Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Aty romani “Pallati i ëndrrave” u dënua ashpërsisht, kurse Kadare u akuzua se në roman kishte futur aluzione kundër regjimit komunist në Shqipëri, duke i thënë që ishin në dijeni se Pallati i Ëndrrave ishte në fakt Komiteti Qendror i PPSH-së. Pos të tjerash, autori u akuzua se kishte bërë sulme të fshehta ndaj sistemit socialist dhe izolimit të Shqipërisë. Si rrjedhojë, romani u ndalua. Prej një arrestimi të mundshëm autori shpëtoi falë njohjes ndërkombëtare.(AQSh)

Ndaj, është kritika ajo që ka fjalën e fundit, janë familjarët që i ndjeri u ka lënë dorëshkrimet a kujtimet, është botuesi i tij, të cilët me kohën do të na ofrojnë çaste të viteve të fundit të shkrimtarit.

Bibla ka një shprehje: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin…!” e Kur’ani: Thotë Profeti s.a.w.s.: “Besimtari nuk është mallkues, as akuzues, as banal dhe as gojëlig.”

Si Bibla dhe Kur’ani shprehen qartë për ata që janë besimtarë.

Prej këtu, shihet qartë se këto ditë qenë pikërisht ata që mbanin afër që vollën vrer, ndërsa ata që në gjallje e patën kritikuar, heshtën që të flasin kur duhet.

Ka dhe një sërë servilësh dhe të pafytyrësh që deri dje e ngrinin në qiell, e këto ditë shpërthyen si kërpudhat pas shiut.

Nga këtu, dua të them se kjo kastë që na udhëheq për tridhjetë e ca vjet, nuk është gjë tjetër veçse pjellë e komunizmit që aq shumë “e shajnë”.

Katovica[ii] e paska dhënë rezultatin! Kjo gjuhë urrejtjeje të duket si ajo e viteve ‘44-‘88, e cila u gjallërua dhe më e egër me “demokratët” e rinj të pas –‘90-s, të cilët nuk kanë ndryshuar.

Isha i vogël kur u ndryshua sistemi dhe kujtoj se si i erdhën gjyshit të ndjerë, duke i thënë: “Ti D.F. ke qenë me shkollë, partia të privilegjoi, tashmë është radha e demokratëve. O kalo me ne, o do heqësh të zitë e ullirit!”

Pasi ikën, gjyshi i mllefosur na tha: “E po t’ëmën jo! Ky palaçua, spiun që ka çuar në Spaç qindra njerëz, më flet për demokraci!”.

Që atëherë na porosiste, derisa dha frymë: “Me këta mos u përzieni! Janë më keq se atëherë!”

Tashmë që jam i pjekur, e shoh se i ndjeri paska pasur të drejtë. Para komunizmit fisin e quajtën kulak, pas tij komunist! Kush? Ja, këta që sundojnë në çdo institucion dhe fusin hundët ku të mundin.

Si përfundim, Kadareja shkoi, la pas një vepër që lexohet ndër shqiptarë dhe botë. A ka gjëra me të cilat nuk pajtohemi? Po! Por, siç e thashë më lartë, koha do të sitë çdo gjë.

Ndërsa, ndonjë sojsëzi, i cili mendon se po shkruaj se dua të mbroj Kadarenë, po i them se botërisht ia shpalos dokumentet se sa ka qenë komunist (sot demokrat i flaktë), pasi kam fakte nga gjyshi (nga ana time mëje) se si e spiunonte farefisin. E në fund ia hoqi maskat para popullit i ndjeri gjysh.


[i] Këtu kam parasysh ndërhyrjen e historianit Kristo Frashëri për debatin Qose-Kadare mbi identitetin kombëtar, i cili në librin e vet vendos pikat mbi “i”. “ … të dy, si Qosja dhe Kadareja janë të mëdhenj, njëri në krijimtari tjetri në kritikë. Porse mbi identitetin kombëtar u takon të shprehen historianët, gjuhëtarët sociologët.” f.5

[ii] Servet Pëllumbi rikonfirmon “Katovicën”. Dy vjet pas publikimit të një dokumenti, që sipas tij, ishte faksimile e skeletit të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike për trashëgiminë e pushtetit komunist të Fatos Nanos dhe Sali Berishës, ish-kryeparlamentari vjen me një libër të plotë rreth këtij debati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here