Xhamia është vendi ku ‘takohen’ Zoti dhe besimtari. Prandaj, xhamia daton që nga ekzistenca e njeriut.

Islam Osmani, publicist nga Gjilani, ka botuar një libër për xhamitë e Gjilanit, me titull “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit”, ku ka prezantuar xhamitë dhe imamët, që nga gjeneza e tyre e këndej.

 

“Për të gjitha objektet fetare në Gjilan, të dhëna e dokumente të shumta historike për shqiptarët dhe trojet tona ekzistojnë në arkivat e Turqisë, të cilat janë ende të pashfrytëzuara e të pastudiuara deri më sot”, thotë Osmani.

Ndërtimi i xhamive në trojet shqiptare, në Kosovë e posaçërisht në territorin e Anamoravës, fillon nga fundi i shekullit XIV, sidomos në fillim të shekullit XV, me ardhjen e turqve në Kosovë, menjëherë pas Betejës së Kosovës, në vitin 1389.

 

 

Në bazë të gojëdhënave, ndër xhamitë e para në këtë trevë (Gjilan) është ajo e fshatit Dobërçan, që daton nga viti 1422 (1526) e të cilën e dogjën dhe e shkatërruan deri në themel pushtuesit serbo-sllav.

Përpos saj, xhami të vjetra qindravjeçare janë edhe xhamia Atik në Gjilan (1606), xhamia e Pogragjës (1620), ajo e Pidiqit (1645), e Malishevës (1730), e Bresalcit (1735), e Përlepnicës (1750), e Stançiqit (1750), e Sllakovcit (1770), e Verbicës së Zhegovcit (1782), e Muçibabës (1783) etj.

Numri më i madh i xhamive të ndërtuara në territorin e komunës së Gjilanit, 21 sosh, janë të kohës së Perandorisë Osmane.

Xhamia e Sllakocit njihet si ndër xhamitë më të vjetra në komunën e Gjilanit. Sipas gojëdhënave, që xhemati i kësaj ane i ruan brez pas brezi, xhamia e Sllakocit, është ndër tri të parat në Kosovë.

 

 

Sipas tyre, xhamia e Sllakocit është ndërtuar në të njëjtën kohë me xhamitë në Gërmovë të Vitisë xhaminë e Llapit në Prishtinë.

Në bazë të shënimeve, këto tri xhami i bie të jenë ndërtuar disa dhjetëra vite pas Betejës së Kosovës (1389).

Sipas gojëdhënave, ndër banorët e hershëm të Sllakocit kanë qenë çerkezët e ardhur dikur para katër shekujve në këtë vend, të cilët e ndërtuan dhe xhaminë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here