Ilaçet e diabetit që përmbajnë semaglutide, që njihen me emrat si Ozempic e Wegovy e të cilat po përdorën si alternativë kundër peshës së tepërt, sipas një studimi të ri mund të shkaktojnë verbëri.

Ky studim ka gjetur se njerëzit që përdorin ilaçe kundër diabetit, si Wegovy apo Ozempic, me recetë të mjekut, kundër peshës së tepërt, kishin më shumë se katër herë më shumë gjasë të zhvillonin një sëmundje të syve të njohur naion, shkruan The Guardian.

Naion është çrregullim si pasojë e të cilit arteriet që furnizojnë syrin me gjak bllokohen. Ky çrregullim mund të çojë në humbje të të parit si pasojë e mungesës së oksigjenit në nervin optik.

Studimi që u bë në Universitetin e Harvardit e që u publikua në Jama Ophthamology, ka analizuar të dhënat e 16.827 pacientëve të spitalit “Mass Eye and Ear Harvard”, të cilët morën trajtim për një përudhë prej shtatë vjetësh.

710 pacientë që u përfshinë në studim, patën diabet të tipit 2, 194 prej të cilëve u është dhënë semaglutide.

Në studim u përfshinë edhe të dhënat e 975 pacientëve të tjerë që kishin mbipeshë, 361 prej të cilëve u është dhënë semaglutide.

Personave të përfshirë në studim që patën diabet të tipit 2 e që iu është dhënë semaglutide, naion iu është shkaktuar 17 herë më shumë kur u krahasuan me gjashtë të tjerë që merrnin ilaçe të tjera kundër diabetit.

Brenda tri vjetësh, 8.9 për qind prej këtyre njerëzve që përdornin semaglutiden kishin naion, krahasuar me 1.8 për qind të atyre që përdornin tjera ilaçe.

Studimi gjithashtu ka gjetur se personat me mbipeshë të cilëve iu është dhënë semaglutide kishim më shumë se shtatë herë gjasa të prekeshin nga naion, se sa ata që përdornin ilaçe të tjera.

Brenda tri vjetësh, 6.7 për qind të njerëzve që përdornin semaglutide, iu zhvillua sëmundja naion, kur u krahasuan me 0.8 për qind të atyre që përdorën ilaçe të tjera kundër peshës së tepërt.

“Gjetjet tona duhen të shihen si domethënëse, ndërkohë që studime të tjera do të nevojiten për të ekzaminuar këtë çështje, ky informacion, të cilin nuk e kemi pasur më herët, duhet të përfshihet në diskutimet pacient-mjekë, sidomos atëherë kur pacienti ka të tjera probleme me nervat optike”, ka thënë profesori i oftamologjisë në Harvard, Joseph Rizzo.

“Pasi ilaçet me semaglutide janë bërë shumë të famshme për humbjen e peshës, ky studim na informoi për efektet anësore që mund të kenë tek të parit, ani pse kjo çështje ka nevojë për studime të mëtutjeshme, efektet anësore të ilaçeve duhet të dihen gjithnjë në mënyrë që të balancohen me përfitimet”, ka thënë profesori Graham McGeown, nga Universiteti Queen’s në Belfast.

Ndërkohë një zëdhënës i kompanisë Novo Nordisk, e cila prodhon ilaçet Ozempic dhe Wegovy, ka thënë se “siguria e pacientit është prioritet për Novo Nordisk dhe se i marrim shumë seriozisht të gjitha raportet që bëhen në lidhje me efektet e ilaçeve tona”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here