Xhamia e Sinan Pashës, perla e Prizrenit u bë cak i pushtetit serb. Një episod është edhe ai i verës së vitit 1924 kur u synua të rrënohej. Aksioni për shkatërrimin e xhamisë filloi me rrënimin e hajateve të xhamisë në praninë e inxhinierit Vanglelov, për çka shpërtheu një protestë në rrugë në krye me myftiun Rrystem Shporta. Në saje të rrëmujës në rrugë para xhamisë u vra inxhinieri Vangelov. Autoritetet serbe arrestuan myfti Rrystemin, që u dënua me 20 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë
Viti 1924 kishte domethënie për dy qytete me traditë, Prizrenin dhe Shkupin, pra qendra e parë dhe e dytë e Vilajetit të Kosovës, që ishin cak për ndryshime urbanistike dhe demografike të pushtetit të ri serb që i shpallte dy qendra të Serbisë mesjetare, që tani u quajt “Serbia e jugut”. Me këtë frymë, pushteti serb godiste e rrënonte simbolet e kulturës vendase në emër të planeve të reja urbanistike, gjë që i shtynte shqiptarët të bënin rezistencë politike e juridike për mbrojtjen e objekteve të tyre. Kështu, viti 1924 shënoi në Shkup rrënimin e Xhamisë së Burmalisë ose “Bukuroshen e Shkupit” buzë Vardarit për ta ndërtuar në vendin e saj “Shtëpinë e Armatës” që sa më shpejt të ndryshohet pamja e Shkupit.
Sa për Prizrenin, që vuajti shumë gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës I Botërore (1914-1918), popullsia shqiptare u sfidua shumë në ato vite duke e përjetuar shumë keq fatin e monumenteve kulturore. Kështu, Noel Malcom në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër” citon një raport të konsullit austriak nga janari 1914 që tregon se nga 32 xhami të qytetit, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla. Kuptohet, ky pushtim dhe keqtrajtim i xhamive të Prizrenit i preku thellë ndjenjat e popullsisë shqiptare.
Nga ana tjetër, në emër të urbanizimit të ri të qytetit, që filloi qysh nga 1913, tani u rrezikuan shumë shtëpitë tradicionale dhe monumente të kulturës në qytet. Kështu, pushteti serb me nxitim shkatërroi kompleksin e Mahmut Pashë Rrotllës me gjithë konakët, xhaminë dhe medresenë, si dhe shumë monumente të tjera duke përfshirë Shkollën e Mesme dhe Normalen që ishin në oborrin e Xhamisë së Sinan Pashës.
Beteja në mbrojtje të Xhamisë së Sinan Pashës
Xhamia e Sinan Pashës (e ndërtuar më 1615) ishte perla e Prizrenit dhe monument shumë simbolik për popullsinë vendase, ndaj u bë cak i pushtetit serb, sepse me shkatërrimin e këtyre simboleve të qytetit thyhej shpirti i popullsisë dhe shtyhej për t’u shpërngulur për në Turqi.
Megjithatë, rezistenca kundër rrënimit të xhamisë u shndërrua në një betejë juridike pasi që Kisha Ortodokse Serbe kërkoi të rrënohej Xhamia e Sinan Pashës dhe t’i kthehej trualli Kishës gjoja se kjo xhami u ndërtua me gurët e Manastirit të Arkangjelit të shenjtë afër Prizrenit. Kjo betejë juridike vazhdoi deri në fund të vitit 1940, kur Gjyqi i Qarkut në Prizren shpalli vendimin e prerë për rrëzimin e xhamisë pasi që u konsiderua pronë e Kishës serbe. Mirëpo, procedura vonoi pak deri në prill të vitit 1941 kur u shpartallua Mbretëria e Jugosllavisë dhe Prizreni u ngjall në kuadër të Shqipërisë etnike 1941-1944.
Në të vërtetë për këtë betejë rreth Xhamisë së Sinan Pashës, që në saje të Hasan Kaleshit u demaskua më 1972 legjenda serbe për shkatërrimin e manastirit që të ndërtohej xhamia, kam botuar diçka në këtë Shtojcë para disa vjetësh. Por tani është rendi të prezantohet figura e myftiut të Prizrenit, Rrystem Shporta, i cili doli në krye të demonstratave për të mbrojtur Xhaminë e Sinan Pashës dhe u burgos shumë vjet nëpër burgje në Kosovë, Serbi dhe në Bosnjë.
Një jetë nëpër burgje
Rrystem Shporta (1864-1937) mund të konsiderohet një ndër figurat më të shquara të Prizrenit gjatë sundimit serb e jugosllav 1918-1941 qoftë si patriot ose si njeri i kulturës që dinte disa gjuhë dhe la një bibliotekë të pasur që përfshinte disa vepra të tij. Ai, si i tillë, meriton që sivjet të përkujtohet 160-vjetori i lindjes nga Arkivi i Kosovës, që posedon disa vepra të tij origjinale.
Vërtet, të dhënat për këtë figurë ishin të pakta deri më 2010, kur Resul Rexhepi dhe Sadik Mehmeti botuan librin e tyre “H. Rrystem ef. Shporta: Jeta dhe vepra (1864-1937)”. Por mund të thuhet se edhe ky libër nuk u hetua dhe nuk u prezantua sa duhet saqë Rrystem Shporta të përfshihet në elitën patriotike dhe kulturore në Kosovë gjatë viteve 10-30 të shekullit XX.
Rrystem Shporta u lind në Prizren në një familje me origjinë nga rrethi i Kukësit, që kishte një han të njohur në Qafë Pazar, saqë ajo rrugë u quajt “Rruga e Shportajeve”. Në Prizren kreu mësimet e para te mësuesi Abdulhalimi efendiu, i cili u internua nga administrata osmane, kurse studimet do të kryente në Medresenë e Mehmet Pashës në Prizren më 1896. Po atë vit shkoi në haxh dhe u kthye me një bibliotekë të pasur në gjuhët arabe, turke dhe perse, që do të pasurohej më vonë duke treguar nivelin e tij kulturor me ato vepra që i shkroi qoftë në liri ose në burg.
Ai më vonë do të fillonte punën në Medresenë e Mehmet Pashës si ligjërues i gramatikës arabe. Ndër studentët e tij ishte poeti Vejsel Xhelaludin Guta (1905-1986), i cili ruajti traditën e poezisë shqipe me alfabet arab në Kosovë deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Më 1917 u emërua myfti i Prizrenit, që e vazhdoi me ndërprerje deri në arrestimin e tij më 1924. Pas arrestimit të tij, një nga ish-studentët e tij (Nysret Galibi) u bë myftiu i Prizrenit.
Rrystem Shporta u bë myftiu në kohën kur Prizreni ishte nën pushtimin bullgar, i cili mbahet mend në popull si “vitet e zisë së bukës” kur njerëzit vdisnin prej urisë, kurse më 1918 u kthye pushtimi serb me mbulesë të Mbretërisë së SHS-së. Pushteti i ri tregoi dhëmbët menjëherë në emër të modernizimit të qytetit duke përgatitur një plan të urbanizimit të Prizrenit që do të ndryshonte pamjen e tij. Për këtë qëllim, pushteti angazhoi dy arkitektë serbë, arkitektin ushtarak, toger Momir Kuronoviq dhe arkitektin Dushan S. Milosavleviq, të cilët e hartuan planin e ri urbanistik të Prizrenit deri në fillim të 1924-tës. Ndërkohë, para së të aprovohej plani u aktivizua edhe inxhinieri nga Beogradi Ivan Vangelov për ta rrënuar Xhaminë e Sinan Pashës. Aksioni për shkatërrimin e xhamisë filloi me rrënimin e hajateve të xhamisë në praninë e inxhinierit Vanglelov, për çka shpërtheu një protestë në rrugë në krye me myftiun Rrystem Shporta. Në saje të rrëmujës në rrugë para xhamisë u vra inxhinieri Vangelov.
Si pasojë, autoritetet serbe arrestuan myfti Rrystemin me akuzë që ai e pagoi për vrasjen e inxhinierit Vangelov, për çka më 25 korrik 1924 u dënua me 20 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë, gjë që u ndie keq në popull pasi ajo ditë qe fundi i Ramazanit dhe nata e Bajramit të Madh. Megjithatë, kjo protestë në rrugë para xhamisë vlente, sepse rrënimi i xhamisë u ndal dhe kaloi konflikti tani në gjyq.
Dënimi i myfti Rrystemit ishte i rëndë, sepse ai jetoi nëpër burgje të ndryshme, por kurrë nuk u thye. Kështu, së pari u dërgua në burgun e Prizrenit, ku mbeti 1.368 ditë sipas fjalëve të tij, kurse më pas u dërgua në burgun e Shkupit, për të kaluar atje 277 ditë, e prej andej në burgun e Nishit, ku qëndroi 893 ditë. Më në fund, pjesën më të madhe e kaloi në burgun e Zenicës në Bosnjë, ku mbeti atje deri në fund të marsit 1935, kurse u kthye i rraskapitur në Prizren më 1 prill 1935. Kuptohet, pas asaj jete nëpër burgje, myfti Rrystemi nuk qëndroi shumë dhe vdiq më 5 tetor 1937.
Qëndresa e myfti Rrystemit nuk ishte vetëm në jetën publike, por edhe në këto burgje, duke pasur kujdes që ta ruante dinjitetin dhe të vazhdonte me shkrime të ndryshme. Punimi i tij i parë “Trajtesë për durim” ishte në burgun e Prizrenit, ku qëndroi 1.368 ditë siç shënoi në fund të trajtesës, pra duke treguar durim të madh në përballje me pushtetin që e burgosi. Megjithatë, ai u trajtua dhe respektua vetëm në ato vjet të burgut në Zenicë. Kështu, ai vazhdonte atje profesionin e tij si mësimdhënës, por tani duke mbajtur mësim besimi për myslimanët në burg. Me punën e tij, si dhe me njohjen e tij me imamin e xhamisë së Sejmanit, Osman Shestiqi, ai u bë emër i njohur në Bosnjë. Në ditën e lirimit ai u prit te porta e burgut nga një grup në krye me imam Osmanin, prej nga shkoi në Sarajevë dhe u prit atje prej figurave të njohura të Bashkësisë Islame. Siç duket, ai la në mesin e tyre përshtypje të mira, saqë me vdekjen e tij u botua në Sarajevë një nekrolog nga Mehmet Hanxhiqi, një nga figurat më të njohura boshnjake të asaj kohe, në të cilin thuhet: “Me vdekjen e tij, Prizrenin dhe rrethinën i ka gjetur një humbje e pakompensueshme”.
Respekti për myftiun Rrystem Shporta, në 100-vjetorin e burgosjes së tij ose me 160-vjetorin e lindjes, do të ishte rast që të prezantohen veprat dhe biblioteka e tij personale me dorëshkrime të vlefshme, si dhe me ribotimin e librit të vitit 2010 me përditësimin e tij në bazë të dokumenteve dhe të shtypit të kohës në lidhje me rezistencën e shqiptarëve kundër pushtetit serb për ta ruajtur Prizrenin e vjetër që e kemi tani./koha.net