Në vitin 2024 astronomët presin që një objekt qiellor i quajtur T CrB, në Kurorën Boreale, të rritet në shkëlqim për disa ditë dhe më pas të kthehet në gjendjen e tij origjinale. Ai ndodhet në galaktikën tonë në një distancë midis 2600 dhe 3130 vite dritë nga ne. T CrB është një sistem yjor me dy yje, i përbërë nga një xhuxh i bardhë dhe nga një gjigant i kuq.

Rreth xhuxhit të bardhë gjendet një disk i përbërë kryesisht nga gaz hidrogjeni i cili rritet ditë pas dite falë “aftësisë” së xhuxhit të bardhë për të tërhequr, për shkak të forcës së tij të lartë gravitacionale, material nga gjigandi i kuq. Disku i grumbullimit bie ngadalë, në formë spirale drejt sipërfaqes së yllit dhe periodikisht, afërsisht çdo 80 vjet, me arritjen e një mase kritike. Shndërrimi i papritur i energjisë kinetike të gazit në disk në nxehtësi shkakton një shkrirje bërthamore të hidrogjenit, i cili prodhon shkëlqim të madh për yllin, në një fenomen i cili bën që vetë ylli të përkufizohet si një “nova”.

T CrB ka një histori shumë interesante. Ishte viti 1217, kur një murg gjerman, Abbott Burchard, vëzhgoi qiellin me yje drejt jugperëndimit dhe vuri re një yll, normalisht të zbehtë, që shkëlqente me një intensitet të pazakontë. Ai yll vazhdoi të ishte veçanërisht i ndritshëm për rreth një javë. Burchard, kreu i Ursberg Abbey në atë kohë, e regjistroi atë në analet e tij. “U pa një shenjë e mrekullueshme,” shkroi ai, duke shtuar se objekti misterioz në yjësinë Kurorën Boreale “shkëlqeu me dritë të madhe” për “shumë ditë”.

Sipas studimit të disponueshëm në arXiv.org, astronomi Bradley E. Schaefer, nga Universiteti Shtetëror i Luizianës, ka argumentuar se ai yll që “shkëlqeu” në një mënyrë kaq anormale mund të ishte vërtet T CrB.

Nëse konfirmohet, zbulimi do të jetë vërtet me interes të madh, sepse fenomeni është dokumentuar shkencërisht vetëm dy herë në kohë shumë afër nesh: në 1866 dhe në 1946. Një vëzhgim i tretë është bërë në 1787 nga astronomi Francis Wollaston, por ky është një përshkrim joshkencor dhe nuk konsiderohet i vlefshëm nga të gjithë. Thuhej se takimi i radhës do të jetë në vitin 2024. Astronomë të tjerë kanë pyetur veten se si mund të jemi të sigurt që Burchard ka zbuluar T CrB dhe jo ndonjë fenomen tjetër qiellor, siç është një supernova (një yll që shpërthen në fund të jetës së tij) ose një kometë.

Schaefer përjashtoi mundësinë e një supernova, duke argumentuar se nëse Burchard do të kishte vëzhguar një ngjarje kaq të dhunshme, ajo do të kishte lënë pas mbetje që do të ishin ende të dukshme sot.

Por në Kurorën Boreale nuk ka mbetje supernova. Një mundësi tjetër është që murgu të ketë vënë re një kometë, edhe sepse sipas një kronike nga manastiri i Shën Stefanit në Greqi, një e tillë ishte e dukshme në fillim të atij viti. “Shumica e murgjve të kohës ishin të njohur me kometat, kështu që nuk ka gjasa që Burchard të mos kishte përshkruar praninë e një bishti dhe të kishte bërë një gabim të ngjashëm” thotë Schaefer.

Tani ka një pritje të madhe për shpërthimin e radhës, atë të vitit 2024, që duhet të ndodhë në fund të vitit. Ndërkohë, studiuesit do të vazhdojnë të gërmojnë në arkivat e vjetra për të rindërtuar historinë e T CrB, në mënyrë që një kronologji e detajuar të lejojë parashikime më të sakta rreth sjelljes së ardhshme të yllit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here