Në anën e djathtë të lumit Valbona, pranë rrugës që të çon nga qyteti Bajram Curr, për në Hidrocentralin e Fierzës, rreth 5 km. larg këtij qyteti, në fshatin Bujan, ngihet madhërishëm kulla trekatëshe e Heroit të Popullit, Mic Sokoli. E ndërtuar nga fundi i shek. XVIII, kjo kullë guri, që për nga tipologjia i përket banesës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës, sjell deri në ditët tona, jo vetëm vlerat kulturore të këtij tipi banesash, por edhe imazhin e shumë ngjarjeve historike. Kulla, muret e të cilës janë goditur shumë herë nga predhat e pushtuesve të huaj, është një dëshmi e qëndresës dhe pathyeshmërisë së malësorëve trima të Malësisë së Gjakovës. Këtu lindën dhe u rritën breza luftëtarësh e prijës popullorë të kryengritjeve për bërjen e Shqipërisë. Këtu u lind dhe u rrit Mic Sokoli, i cili ra trimërisht e heroikisht, më 20 prill të vitit 1881, në gjatë betejës së përgjakshme: Koshare-Slivovë-Shtime, që zhvilluan forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ushtrisë osmane të komanduar nga gjenerali, Dervish Pasha
Emri i Mic Sokolit ka hyrë dhe ka mbetur ndër legjendat e trimërisë, duke qenë mishërim i idealeve kombëtare çlirimtare të shqiptarëve. Akti i tij heroik, në përpjekje për t’i marrë topat e artilerisë së Dervish Pashës, më 20 prill të vitit 1881, në një vend mes Slivovës dhe Koshares, dhe plasja e gjyles së topit në trupin e tij, bënë që ai të mbijetojë në mbamendjen e popullit së bashku me Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, pastaj Binak Alinë dhe shumë trima të Koshares, Shtimes, Therandës, Drenicës e Rrafshit të Kosovës.
Mic Sokoli kishte marrë pjesë edhe në luftimet e Nokshiqit, për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tuzit e vendeve të tjera të Shqipërisë Etnike. Qysh me fillimin e sulmeve në Nokshiq, për ta thyer mbrojtjen shqiptare në atë pjesë dhe për të hyrë në Plavë e Guci, në luftimet e 4 dhjetorit 1879, Mic Sokolin do ta shohim në radhët e para të asaj beteje, e cila do të shtrihej nga Nokshiqi deri në Velikë, me ç’rast mbrojtësit shqiptarë do t’i shkatërronin plotësisht forcat pushtuese malazeze.
Të dëshpëruar me humbjen e betejës së parë të vitit 1880, forcat pushtuese malazeze do ta përsëritnin sërish sulmin për marrjen e Plavës dhe Gucisë. Nga pala shqiptare, luftimet do t’i udhëhiqte Ali Pashë Gucia. Ndërsa, për guxim të pashoq, edhe kësaj radhe do të dalloheshin trimat nga Malësia, si Mic Sokoli e Ali Ibra. Kurse luftëtarët shqiptarë, të udhëhequr nga trima të tillë, më 8 janar të atij viti, do t’i shkatërronin tërësisht forcat pushtuese malazeze.
Po ashtu, edhe më 22 prill të vitit 1880, Mic Sokoli me bashkëluftëtarë merr pjesë në luftën e Hotit dhe të Grudës, kundër ofensivave malazeze.Me atë rast, luftëtarët shqiptarë korrën edhe një fitore të madhe në mbrojtjen e tokave të tyre, duke i mundur forcat malazeze dhe detyruar ato që të tërhiqeshin, deri në Podgoricë.
Zbardhjes së betejave, në Koshare, Slivovë e Shtime më 20 1 21 prill të vitit 1881 i ka kontribuar jashtëzakonisht zbulimi disa vjet më parë i një dokumenti të konsullatës së Austrohungarisë në Shkup. Dokumentin ku flitet për betejat dhe për Sefë Kosharen e ka zbuluar familja e tij, përshkruhet krejtësisht beteja, por përveç emrit të Sefë Koshares dhe pashallarëve shqiptarë e turq nuk përmendet asnjë emër tjetër i kryengritësve.
Një dokument historik i 23 prillit të vitit 1881 që hedh dritë mbi zhvillimet luftarake në Koshare-Slivovë e Shtime
…Në Divizionin e Parë të kalorësisë e të këmbësorisë, në qendër, përballë Koshares e Slivovës, ishte pozicionuar gjeneral, Ibrahim Pashai me shtatë batalionet e arritura nga Stambolli e Rumelia. Nga ana e sipërme, rreth pyjeve të Perëndimes ishte pozicionuar gjeneral, Osman Pashai, me gjashtë batalione, ndërsa në anën e djathtë, në drejtim të Kosharës ishin pozicionuar forcat e gjeneral Mustafa Pashës. Përveç tre gjeneralëve të njohur të Perandorisë Osmane, në ballin e forcave turke ndodhej vetë, Dervish Pashai, kreu i luftës, i caktuar për ekspeditë, drejtpërdrejt nga Sulltani. Ai kishte pozicionuar dy batalione elite dhe dy bateri topash. Si gjeneral i sprovuar dhe njohës i artit ushtarak, ishte i vetëdijshëm se luftëtarët e lidhjes nuk kishin topa, andaj kishte ndërmend që të sulmonte pikën e madhe të përqendrimit të forcave kryengritëse, me qëllim që të shkaktonte panik te arnautët, trimërinë dhe ashpërsinë e të cilëve e njihte më mirë se çdo komandant tjetër. Po ashtu e dinte se ishin përhapur fjalë se ushtria kryengritëse kishte tubuar 50 mijë luftëtarë. Edhe pse nuk kishte të dhëna të besueshme, për një lëvizje të tillë të trupave, lajmi kishte marrë dhenë dhe ishte përhapur edhe ndër ushtarët turq. Nuk harronte dot se kishte marrë një urdhër të prerë nga Sulltani: “Të shpartallohej lidhja Shqiptare me çdo kusht dhe me çdo çmim”.
Krerët e luftës: Sylejman Vokshi, Mic Sokoli, Sefë Kosharja Ali Ibra, Smajl Hyseni, Ali Hoxha e të tjerë nuk kishin bërë përforcime të veçanta në Shtime, duke qenë se dy pikat e mbrojtjes dhe sulmit takoheshin aty. Popullata e Shtimes dhe e fshatrave përreth ishte dyndur drejt maleve të Topillës, Ranzës, Graiçecit e Jezerës, me qëllim për të mos u shtypur nga forcat ndërluftuese.
Me të aguar 2o prilli i vitit 1881, buritë në kampin turk kishin lëshuar alarmin e fillimit të luftimeve. Kishte filluar lutja me zë e dervishëve dhe më pas kishin jehuar lodrat e curlet me qëllim për të mobilizuar dhe për t’ i trimëruar ushtarët, që ishin radhitur secili në togun e vet dhe çdo tog e bateri në batalionin e vet.
Në kohën kur bateria e topave ishte drejtuar drejt katapultave, Mic Sokoli, Smajl Hyseni, Zeqir Osmani, Sefë Mahmut Kosharja, Jani Çupi, Ramë Kozmaqi, Din Rosha, Dak Mulaku, Ali Muleta e shumë luftëtarë të tjerë ishin sulur mbi topat e artilerisë turke Luftëtarët e Lidhjes, në krye me Mic Sokolin po bënin përpjekje të merrnin topat, apo të godisnin me ta, kur pas disa çastesh kishin shpërthyer mbi kokat e tyre disa predha, që vinin nga Bateria e Dytë e topave.
Në çast, shumica prej tyre ishin larguar dhe ishin futur në istikame. Vetëm dy topa i kishin tërhequr disa luftëtarë, ndërkohë që një predhë kishte hedhur në erë disa prej tyre. Pas pak, kishin pushuar predhat. Ushtria turke kishte filluar të taktizonte duke gjuajtur me topa të kalibrit të madh në disa drejtime, ku mendohej se ishin pozicionuar luftëtarët e Lidhjes.
Në kohën kur kishin pushuar predhat, luftëtarët e Mic Sokolit sërish ishin turrur drejt topave, me qëllim për të marrë disa prej tyre. Shumë nga ata kishin arritur, që gjatë tërheqjes të merrnin predha dhe barot.
Në përpjekje për të marrë topat, ishin vrarë dhjetëra luftëtarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Mic Sokolit iu kishte fiksuar ideja e rrëmbimit të paktën të dy apo tre topave. Në përpjekjen e tij të fundit për ta tërhequr topin e madh, ishte marrë në shënjestër nga një topxhi, nga radhët e forcave turke. Gjylja e topit kishte goditur trupin e bëshëm të malësorit, ndërkohë që nga furia e gjyles, gjymtyrët iu kishin shpërndarë disa hapa më larg. Nga shpërthimi i predhave ishin plagosur edhe dhjetëra luftëtarë cilët në atë çaste ndodheshin afër tij.
Bashkëluftëtarët e Mic Sokolit, Smajl Hyseni bëjnë përpjekje ta marrin trupin e komandantit. Pas pak çastesh pikërisht në vendin ku kishte rënë Mic Sokoli kishin rënë edhe Smajl Hyseni, dy luftëtarë të tjerë nga Llapusha e disa të tjerë nga fshatrat e rrafshit. Trupat e tyre ishin shkapërderdhur nëpër fushën e betejës nga goditjet e gjyleve të topave.
Figura e Mic Sokolit në këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqitet me dimensionin historik, realist në raport me kohën dhe synimet e shqiptarëve për çlirim nga Perandoria Osmane. Ai paraqitet me pamjen dhe fuqinë fizike të trimave të moçëm të Arbrit, të cilët populli i kujtonte si Trima të motit, si kreshnikët e dikurshëm.


