Muranat e monumentit të kultit të hershëm kristian, që flasin për shkatërrimet sistematike në Ulpianë (Justiniana Secunda) nga politika ditore (1966, 1995)!
Shumë monumente të kultit të krishterë, gjurmët e të cilave heshtin dhe ruhen edhe sot në Kosovë, bashkë me “mitin e Betejës së Kosovës”, kanë shërbyer që nga shekujt e shkuar dhe shërbejnë edhe sot e gjithë ditën si dëshmi, jo vetëm për të arsyetuar “djepin e serbizmit”, por janë edhe burim dhe “arsyetim” qënsor i agresionit serb, jo vetëm në Kosovë. Për t’u arsyetuar kjo, janë shpikur edhe teza extrashkencore, që ndërlidhen me detyrën dhe të drejtën e identitetit kombëtar serb. Këtej, “treva që ruan identitetin kombëtar është një e drejtë e pakontestueshme, e cila nuk mund të shkëputet as nga populli, as nga shteti”. Mbi këtë bazë, të udhëhequr nga politika e ditës (nga monumentet e kultit paleokristian dhe nga ato të hershme kristiane të shek. V-XI, që i kishin shpëtuar shkatërrimit), është ndërtuar koncepti proserb, respektivisht ortodoks serb i një numri impozant të monumenteve të kultit, për çka edhe treva e Kosovës, sipas tyre, ruan vlera të jashtëzakonshme.
Shembull mbresëlënës për këtë dukuri të shëmtuar të shkatërrimeve sistematike të monumenteve të kultit nga politika ditore ruajnë edhe muranat e mbetura të një kulti monumenti të kultit të Ulpianës nga shek. IV-VI (shiko foton e postuar). Ky monument i kultit, që kishte mbijetuar termetin katastrofal të vitit 518, gjatë shek. XX (Mbretërisë Jugosllave dhe Jugosllavisë Komuniste) kishte pësuar disa herë.
Nga burimet e ruajtura (të shkruara e materiale), pjesën e madhe të këtij monumenti të kultit e kishte “shkelur“ rruga “moderne” e fshatit të Graçanicës, ndërsa pjesa që kishte mbijetuar do të viktimizohet sërish (më 1995) nga kova e eskavatorit milosheviqian, e cila hapte sigurtë kanalin nga stacioni i pompimit të ujit në Çagllavicë për në Graçankë. Kanali në fjalë ka kaluar kryq e tërthorë nëpër Ulpianë, një déjà vous nga viti 1966!