Nga: Kastriot Dervishi

Në librin e Sulo Hekuran Dalipajt (komandant i grupit të sigurimit të Enver Hoxhës, njohur për publikun si Sulo Gradeci), 30 vjet pranë shokut Enver (në fakt me gënjeshtër qysh në titull sepse shërbeu 19 vjet në vitet 1966-1985), botuar në vitin 1986, gjen lloj-lloj xhevahiresh. Në fakt, vetë shoku Enver në librat e vet ishte kujdesur ta mësonte popullin se djathi, mishi, pijet etj., ishin të dëmshme për shëndenë. Për këtë arsye, kish vendosur dita të rrepta që u thonin triska apo tollona. Simbolike u bënë në atë kohë çorapet e shokut Enver, simboli i një regjimi brekëgrisurish. Ja çfarë ka hedhur në kartë shoku Sulo për këtë pjesë:

Kohë më parë do të porositeshin disa palë çorape për shokun Enver. U kërkua se ç’modele do të paraqiteshin dhe shoqja Nexhmije na dha një palë çorape të mëparshme. Ato ishin të arnuara!

Reklama

– Pse këto të dërgohen për model? – i tha shoku i ngarkuar.

– Ç’të keqe ka? – ia ktheu ajo.

– Enver Hoxha me çorape të arnuara?! – tha shoku.

Ajo qeshi.

– Mirë, – tha, – s’ka pse të thuhet se të kujt kanë qenë e për kë do të blihen të reja. Por, edhe që të habiteni për këto çorape që i ka mbajtur shoku Enver, s’ka përse. Ai s’i ka mbajtur kështu se s’kemi pasur, apo se s’mund të blinim të tjera. E vërteta është se ai e ka pasur për zakon t’i përdorë gjer në fund e nëse në një vend griseshin pak mund edhe të qepeshin me kujdes. Kjo s’është shenjë varfërie! Është shenjë nikoqiri!

Jo vetëm shoku Enver ishte i këputur fare, por edhe nipat e tij rronin keq e ishin me arna. Në librin e Sulo Gradecit shkruhet jo vetëm për arnat e çorapeve të shokut Enver, por edhe për arnat e nipit të tij, Shpatit. Si shfaqje estradë, në libër paraqitet kështu kjo pjesë:

Shoku Enver zemërohej nësë dëgjonte për ndonjë trajtim të veçantë dhe këto kanë pasur efekte edhe për edukimin e tyre revolucionar, por edhe për edukimin e të tjerëve.

Kjo frymë u transmetua edhe te më të vegjlit, te nipërit e mbesat. Në një nga ditët e gushtit të vitit 1983 kur shoku Enver ishte me pushime në Pogradec, u mblodhën bashkë të gjithë të vegjlit. Shoku Enver i thirri të bënin një fotografi dhe ata rendën. Mirëpo Shpati, që kishte dalë më herët, i kishte pantallonat me arna. Shoqja Nexhmije i tha që të shkonte e të vishej me të rejat, “për fotografi”.

– Lëre të dalë kështu, – i tha shoku Enver, – Le të dalë me origjinalitetin e fëmijës.

Ne, me gjithë kundërshtimin e shoqes Nexhmije e bëmë fotografinë dhe arnat e Shpatit duken që larg. Fotografia shpreh një të vërtetë: Fëmijët, si fëmijë që janë, në jetën e përditshme i mbajnë pantallonat edhe me ndonjë arnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here