Pellazgët ishin një popull i lashtë, paraardhësit e të gjithë popujve indoevropianë. Për këtë popull antik që përhapi kulturën në gjithë Evropën dihet shumë pak, thuajse asgjë.
Gjuha e këtij populli quhej Pellazgjisht. Këtë e përmend në shkrimet e tij historiani antik Diodorus Siculus (Diodor Siçiliani), i cili jetoi midis viteve 90 – 30 para erës sonë. Diodor Siçiliani shkruan se poetët parahomerikë janë shprehur me këtë gjuhë, pra Pellazgjishten, dhe me alfabetin që përdorej për ta shkruar atë.
Nga i njëjti burim mësojmë se kjo gjuhë është përdorur për të paktën 10 shekuj para erës së re. Më tej, Diodori Siçiliani raporton se ishin pellazgët ata që e sollën të parët alfabetin në gadishullin Italik, si dhe në pjesën tjetër të Evropës, duke bërë sigurisht përshtatjet dhe përmirësimet e nevojshme.
Këto të dhëna i konfirmon edhe shkrimtari romak Plini – i vjetri, i cili jetoi midis viteve 24 dhe 79 të erës sonë. Ndërsa Virgjili në veprën e tij Eneida (Eneida, VIII, V. 62-63) shkruan: “Thuhet se banorët e parë të Italisë sonë kanë qenë pellazgët”.
Nga autorët e lashtësisë mësojmë se, para shkuarjes së grekëve në gadishullin Italik, territori në të cilin ata u vendosën quhej Pellazgji. Burimet e ndryshme nga autorë antik na bëjnë gjithashtu të ditur se grekët mësuan nga pellazgët jo vetëm artin e përpunimit të metaleve, të ndërimit të mureve, por mësuan nga ata edhe mënyrën e të shkruarit, duke përvetësuar edhe hyjnitë e tyre.
Homeri i përmend pellazgët si aleatët e Trojanëve (Iliada, II, 840-843) dhe tregon se Akili iu lut “Zeusit Pellazg të Dodonës” (Iliada, XVI, 223). Homeri i përmend pellazgët edhe si “Popujt e Kretës” (Odisea, XIX, 177).
Mund të vazhdojmë pafund me citime për pellazgët nga autorë të antikitetit, si Pindari, Pausania, Ephorus of Cyme, Hesiodi etj., por pyetja kryesore që lind në këtë pikë është: A ekzistojnë ende pellazgët? Nëse po, cilët janë ata?
Studiuesja dhe antropologia Nermin Vlora Falaski, në librin e saj “Trashëgimia gjuhësore dhe gjenetike”, arriti të deshifronte mbishkrimet antike etruske dhe pellazge. Këto mbishkrime nuk ishin mundur të deshifroheshin me asnjë prej gjuhëve të përdorura në antikitet nga popujt që banojnë në zonat ku ato janë zbuluar, as me greqishten e lashtë, as me latinishten, etj.
Studiuesja Nermin Vlora Falaski arriti të deshifronte mbishkrimet antike pellazge dhe etruske duke përdorur gjuhën e sotme shqipe, ose me saktë dialektin geg të saj. Ky zbulim do të vërtetonte se shqiptarët, pasardhës të ilirëve, janë pasardhësit e sotëm të pellazgëve, njëri prej popujve më të lashtë që jetuan në Evropë.
Më poshtë do te sjellim disa prej mbishkrimeve antike të zbuluara në pjesë të ndryshme të Mesdheut, si në gadishullin Italik, në ishujt e detit Egje etj., të cilat mund të lexohen qartë, edhe sot, duke përdorur gjuhën shqipe.
Mbishkrimi në foton më sipër shfaqet në një sarkofag të zbuluar në rajonin e Toskanës në Itali, zonë e njohur për vendbanimet e lashta etruske dhe pellazge. Pranë qytetit Cortona, në Val di Chiana, ndodhet një kështjellë e shndërruar në një muze arkeologjik. Në këtë muze gjendet edhe një mbishkrim veçanërisht i bukur dhe interesant, në një sarkofag me dekorime floreale.
Mbi sarkofag shkruhet: “O ANIJA Â NAIE IRË LIRI”. Edhe pse gjuha e përdorur është disi arkaike, sepse mbishkrimi është bërë disa shekuj para lindjes së Krishtit, aty vihen re fare qartë fjalët shqip dhe kuptimi i gjithë mbishkrimit është i qartë edhe për lexuesin e thjeshtë që njeh gjuhën shqipe: “Anija është krenari, guxim dhe liri për ne”.
Shkrimi në këtë rast fillon nga e djathta në të majtë. Duhet të kemi parasysh se në periudhën arkaike dhe më herët nuk kishte rregulla të përcaktuara të të shkruarit. Fjalët nuk ndaheshin nga njëra-tjetra me hapësirë dhe mund të shkruhej si nga e majta në të djathtë, ashtu edhe nga e djathta në të majtë.
Por ajo çka vëmë re në këtë mbishkrim është se fjalët janë qartësisht fjalë të përdorura edhe sot në gjuhën shqipe. Zëri foljor â ose âsht përdoret ende në të folurën e Shqipërisë së veriut dhe në Kosovë, pra në zonat shqipfolëse ku flitet dialekti geg.
Nga kjo shprehje vëmë re edhe rëndësinë që kishte anija, pra mjeti i lundrimit, për këtë popull të lashtë. Pellazgët, të cilët quheshin edhe “Popull i detit”, sepse ishin lundërtarë të zotë dhe të lirë, e quanin atdheun e tyre ILIRIA: LIRI (LIR = i lirë), që do të thoshte: “Vendi i njerëzve të lirë”, një vend ky që shtrihej nga Mesdheu deri në Danub.
Fjalët me rrënjën LIR mund të gjenden me të njëjtin kuptim në gjuhët: Pellazgo-ilire (liri), etruske (liri), shqipja sot (liri), italisht (libertà), frëngjisht (libertè), latinisht (libertas), anglisht (liberty), spanjisht (libertad), rumanisht (libertade), portugalisht ( liberdade).
Në Itali, në rajonin e Lacio-s, ndodhet edhe lumi Liri. Pra ky emër është ruajtur gjatë shekujve në vendet e ndryshme të Mesdheut dhe Evropës, me shumë gjasa nëpërmjet zgjatimeve të fiseve të ndryshme ilire, sikurse ishin edhe Etruskët e Mesapët të vendosur në gadishullin Italik.
Në foton sipër paraqitet një mbishkrim ilir, i datuar midis shekujve III-II p.e.s., i cili aktualisht gjendet në muzeun arkeologjik të Durrësit.
Në të shkruhet: “GAI E KAIE IE ANK LENE ITH HRI E TE HAIRE”, pra “Gajret e kjaje je ankth lene ith e hiri e te hajri”. Është e rëndësishme të theksohet se gjuha e këtij mbishkrimi është aq e ngjashme me shqipen e sotme, aq sa bën përshtypje kur mendon se ai daton më shumë se dy mijë vjet më parë.
Në përgjithësi, mbishkrimet më të vjetra janë formuluar nga e djathta në të majtë, dhe nganjëherë vazhdojnë nga e majta në të djathtë, pra në formë boustrofedike, shpesh pa ndërprerje ndërmjet një fjale dhe tjetrës. Megjithatë, ky mbishkrim i Durrësit është i gdhendur nga e majta në të djathtë, gjë që tregon origjinën e tij më të re, kur alfabeti latin, shumë më praktik, ishte përhapur gjerësisht, dhe tani shkruhej gjithmonë nga e majta në të djathtë.
Duke shkuar në kërkim të mbishkrimeve të reja, nga Egjeu në Atlantik dhe më tej në Egjipt e më gjerë, jo vetëm në përpjekje për të zbuluar përmbajtjen e tyre, por edhe për të verifikuar monogjenezën e gjuhëve që mbështetet nga studiues të shquar, në Muzeun Arkeologjik të Athinës është gjendur një gur varri shumë i lashtë, i cili përmban një mbishkrim bustrofedik të shkruar me alfabetin pellazg, i cili ka përmbajtje funerale.
Ky gur varri u zbulua në ishullin Lemnos. Në përgjithësi, çdo përpjekje e bërë për të kuptuar përmbajtjen e këtij shkrimi ka qenë e pasukseshme dhe jo bindëse. Është kjo arsyeja që deri më tani pak studiues janë angazhuar seriozisht për zgjidhjen e kësaj enigme. Ky gur varri i atribuohet shekullit të 6-të para Krishtit, por disa studiues e mbështesin tezën se është edhe më i vjetër.
Ky mbishkrim tërësisht boustrofedik, ku shkronjat “TH” dhe “H” përsëriten vazhdimisht, për të përfaqësuar psherëtimat dhe të qarat, siç do të bënim ne sot me pasthirrmat “AH” dhe “OH”, përmban një vajtim funeral të ndjerë, padyshim për vdekjen e një afërmi, i cili kishte qenë edhe një hero i madh, siç dëshmohet edhe nga krenaria e përsëritur e të gjithë të afërmve të tij në fjalët e mbishkrimit.
Mbishkrimi në këtë gur varri fillon, duke u lexuar nga e majta në te djathtë, me fjalët: “ZI A ZI MARAZ MATH”. Këto fjalë mund të dallohen qartë në krye të mbishkrimit, në pjesën e sipërme të këtij guri.
Përmbajtja e gjithë mbishkrimit, e përkthyer me gjuhën shqipe (përshtatur për tu bërë më ë kuptueshme):
“Zi ah zi,
maraz i madh,
gra të mbuluara me vello të zeza.
Vajtim i solle të afërmve, o i dashur!
Ai është nga fisi ynë, Ah! Oh!
Na u rrëmbye, çfarë fatkeqësie.
Por për çfarë faji, kjo fatkeqësi?
Akull është froni i tij i artë, Ah!
Për famën e tij ishim krenarë, Oh!
Vajtim, zi në mbarë botën,
duke na e marrë, na vranë!
Befas na goditi ky zi, Ah!
Për çfarë faji? Oh!
I afërmi ynë ai ishte,
po pse na goditi me këtë zi?
Në zi, në dëshpërim, Ah!
Na mbytin lotët, Oh!
Ai që bëri të jetojnë pasardhësit tanë,
për çfarë faji, tani, e shuan?
Ah! Oh!
Oh! I artë ishte ai,
i plagosur me thikë, çfarë fatkeqësie,
vuajti aq shumë, në heshtje,
pa nëmur asnjeherë!
Ah! Oh!
Ti farefis na ke vrarë, Oh!
Ti, jetën plot me gjëmba na bëre, Ah, Oh!”
Fjalën “ZI” e gjejmë, ndër të tjera, edhe në këtë mbishkrim të shkurtër, në një guri varri që ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Feltre, në Itali. Në të dallohet mbishkrimi “ZI PA NALE”, pra “Zi pa u ndalur” ose “Zi pa fund”.
Duhet të kemi gjithmonë parasysh se pasuria gjuhësore e popujve është i vetmi arkiv dokumentar i padiskutueshëm, sidomos kur mungojnë prova të tjera, por mbi të gjitha është edhe dëshmia kryesore e krijimtarisë njerëzore.
Disa studiues mbështesin tezën e monogjenezës së gjuhëve, veçanërisht gjatë këtyre 2 shekujve të fundit, kur përparimi i komunikimit u ka dhënë njerëzve mundësinë të lëvizin lehtësisht dhe të kenë kontakte edhe me popullsi në zona shumë të largëta.
Përmendim këtu studiuesit italianë Alfredo Trombetti, Elia Lattes dhe Francesco Ribrezzo, të cilët janë mbështetës të kësaj teze, si dhe të origjinës ilire të popujve italik. Përveç autorëve të lartpërmendur, ka edhe studiues të tjerë gjermanë, austriakë, francezë dhe anglezë që pohojnë origjinën ilire të popujve italik.
Një meritë e veçantë i takon Prof. Zacharie Mayani, profesor në Universitetin e Sorbonës në Francë, i cili në vitet 1970 botoi 3 vëllime voluminoze, në të cilat argumenton se gjuha etruske përkthehet vetëm përmes gjuhës shqipe. Për të verifikuar vërtetësinë e zbulimit të tij, ai studioi gjuhën shqipe, fillimisht në Paris, e më pas shkoi në Shqipëri për ta përmirësuar. Tre vëllimet e botuara nga Mayani titullohen: “Les Etrusques Commencent a Parler”, “Les Etrusques Parlent” dhe “La Fin Du Mystère Etrousque”.
Sidoqoftë, i pari që hodhi dhe përhapi idenë e monogjenezës së gjuhëve ishte Sir William Jones (1746-1794), një orientalist i famshëm, i cili në fund të jetës së tij intensive dinte 28 gjuhë.
Në ditët tona, një mbështetës i rëndësishëm i kësaj teze është prof. Colin Renfrew, i Universitetit të Kembrixhit në SHBA, i cili në veprën e tij “Arkeologjia dhe Gjuhësia” botuar në vitin 1989, shkruan: “Arsyeja kryesore e botimit të kësaj vepre time është të theksoj se arkeologët e viteve të fundit nuk e kanë marrë parasysh siç duhet dëshminë e gjuhësisë për të rindërtuar të shkuarën”.
Në botën tonë ka gjithmonë një horizont përtej të cilit nuk mund të shihet. Për sa i përket lashtësisë, horizonti ynë janë Pellazgët. Duke qenë shpikësit e parë të shkrimit fonetik, nuk mund të mohojmë se kultura e vërtetë fillon me pellazgët, sikurse kemi mësuar nga autorë të ndryshëm të lashtësisë.
Le të marrim disa dokumente epigrafike të gjetura nga Egjeu deri në Atlantik, në të cilat përmenden fjalët pellazgo-ilire: YJ, ARNO, REZE etj.
Në një tempull të qytet-shtetit antik të Apolonisë gjendet një mbishkrim i shekullit të III para Krishtit që flet për yjet (YJ) dhe për një fëmijë (FIMI):
Në të shkruhet “FIMIA HIYNERON HAIRE”, pra “Fëmija hyjnëron hajër”, ose nëse do ta sjellim në një formë më të zhdërvjellët për shqipen sot “Fëmija që iu besua këtij tempulli tani është Hyjnëzuar. Qoftë për hajër.”
Një mbishkrim ilir, i cili dukshëm përputhet me të folurën e shqipes sot, por duke e përqëndruar thelbin e kuptimit të tij.
Një tjetër mbishkrim i zbuluar në qytetin e Durrësit (Dyrrahu), flet për Hyjnizimin (YJNËRIM), i përket shekujve II-I para Krishtit:
Në të shkruhet: “YNOIA BENE TOY HAIRE”, pra “Hyjni, bëne tuajin, hajër”. Në një formë më të zhdërvjellët për shqipen sot: “Hyjnizoje (shpirtin e tij, o Zot), lere t’i takojë dimensionit Tënd. Qoftë për hajër”.
Herodoni shkruan se, para ardhjes së grekëve, territori ku ata u vendosën quhej Pellazgji. Ai shkruan gjithashtu se grekët mësuan nga pellazgët artin e përpunimit të metaleve, të ndërtimit të mureve, si dhe shkrimin, që më pas ata e rafinuan, dhe se deri në zbulimin e latinishtes ai ishte i vetmi shkrim popullor.
Grekët përvetësuan edhe hyjnitë pellazgo-ilire, si DE-MITRA (Dhe = tokë + Mitra = mitra, pra Toka Mëmë), si dhe AFËR-DITA (Afër = afër + Dita = dita), më vonë e quajtur Venus më nga romakët.
Sot në muzetë e ndryshëm të Shqipërisë gjenden epigrafe të shkruara me alfabetin grek, megjithatë përmbajtja e tyre kuptohet jo me gjuhën greke, por me atë shqipe, me përjashtim të disa neologjizmave.
Në Muzeun Arkeologjik të Sienës në Itali gjendet një mbishkrim në një sarkofag, në të cilin përmenden tri fjalë “YJ”, “REZE” dhe “ARNO”. Nga basorelievet që përbëjnë sarkofagun, me personazhet në gjendje meditimi dhe me perëndeshën në qendër, kuptohet se shkrimi ka përmbajtje kozmogonike:
Në të shkruhet: “ARNO . SE N YI NA YE . CUME RESA:”
Nëse e deshifrojmë këtë mbishkrim duke përdorur gjuhën shqipe, kuptimi i tij në një formë më të zhdërvjellët do të ishte: “ Arno (Krijues), nëse në yje na je, sillna rreze”. Dimë gjithashtu se etruskët e quanin veten e tyre RESA.
Sot fjalën “ARNO” e gjejmë vetëm në gjuhën shqipe, por me një kuptim të degraduar nga ai fillestar, në kuptimin e “arnoj”, “arnues”. Megjithatë, të arnosh një gjë të dëmtuar do të thotë “ta rikrijosh atë”, prandaj interpretimi i fjalës ARNO me kuptimin e KRIJUES, si në këtë rast edhe në shumë mbishkrime të tjera etruske, gjen mbështetje të gjerë.
Për më tepër, në rajonin e Toskanës ku edhe ndodhet qyteti i Sienës, kalon lumi Arno. Është botërisht e ditur se qytetërimet kanë lindur, pra janë krijuar, gjithmonë pranë lumenjve të rëndësishëm.
Edhe fjala YJ (yjet) nuk është gjetur në asnjë gjuhë tjetër përveç shqipes, megjithëse kjo fjalë është shumë e përhapur në dokumentet epigrafike të lashtësisë, nga Egjeu deri në Atlantik.
YJ, YJNOR, HYJNËRON janë terma pellazgo-iliro-etruske. Në fakt këto terma gjenden me bollëk në mbishkrimet e këtyre popujve, por sot ata përdoren vetëm në gjuhën shqipe. Nga kjo mund të arrihet në përfundimin se format e ndryshme të YJ mund të jenë me origjinë proto-indo-evropiane.
Ky përfundim mund të arrihet duke marrë parasysh të gjitha gjuhët e tjera indoevropiane që nuk i quajnë yjet “YJ”, por përkatësisht: sanskritishtja (Astra), italishtja (Astri-stelle), spanjishtja (Estrella), Portugeze (Estrema), Anglisht (Stars), Greqisht (Astro-Asteri), Rumanisht (Stea dhe Vedeta), persisht (Setareh), gjermanisht (Stern).
Në gadishullin Iberik gjithashtu ka mbishkrime shumë të ngjashme me ato të Ilirisë dhe Etrurisë, të gdhendura me alfabetin pellago-fenikas, të cilat interpretohen gjithmonë përmes shqipes.
Në Portugalinë e jugut, midis disa mbishkrimeve të tjera të zbuluara në fillim të shekullit të 18-të dhe të pa deshifruara kurrë deri më sot, gjendet edhe një epigraf i gdhëndur mbi një gur varri:
Në të shkruhet: “IA APA YJNORIS NË RO”. I deshifruar me gjuhën shqipe ky mbishkrim do të lexohej “Ja dhashë perëndive në jetë”, ose në një formë më të zhdërvjellët sipas gjuhës së përdorur sot: “Ja kam dedikuar perëndive kur isha ende gjallë”.
Këto, si edhe shumë zbulime të tjera të ngjashme, të mbeshtetura nga shkrimet e historianëve të antikitetit dhe zbulimet e studiuesve të rëndësishëm nga e gjithë bota, mbështesin tezën se popujt e lashtë të pellgut të Mesdheut kishin lidhje mes njëri-tjetrit dhe të gjithë flisnin të njëjtën gjuhë, gjuhën shqipe. Ata quheshin Pellazgë dhe ishin populli që përhapi kulturën në kontinentin Evropian.
_________________________
Copyright © Libohova Post
Ky është artikull ekskluziv i Libohova Post, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “LIBOHOVA POST” shoqëruar me linkun e artikullit original, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr. 35/2016