Qazim Bej Vlorës i refuzohet mundësia e jetesës në Shqipëri. Enver Hoxha i ndërpret pensionin patriotik, pavarësisht të kaluarës së tij personale, ku përveç faktit që ishte i biri dhe këshilltari i Ismail Qemal Vlorës, bartte dhe një veprimtari të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut, ashtu si edhe vëllau i tij që ishte futur në burgun e Tiranës me akuzë tepër banale. Komunistët atij i kishin rezervuar një shuplakë e llahtarshme. Dhe, pikërisht atij do t’i refuzohej mundësia e jetesës në Shqipëri.

Kjo, sipas autoriteteve komuniste të porsaardhura në pushtet, mund të arrihej fare thjeshtë, jo duke e shpallur publikisht dhe zyrtarisht “NON GRATA”, por ashtu siç u veprua në të vërtetë, që, në mënyrën më arbitrare, ndaj tij u krye veprimi më monstruoz që mund të mendohet. Iu ndërpre pensioni simbolik patriotik, që i ishte akorduar që nga qeveria e Lushnjës e drejtuar nga Sulejman Delvina.

Atë pension të cilin i biri i Ismail Qemal Vlorës e kishte të vetmen mundësi jetese, nuk kishin guxuar t’ia ndërprisnin as qeveritë e kohës së luftës të cilësuara “kuislinge”, pavarësisht se shtëpia e tij e ndodhur afër burgut fashist, ishte kthyer në një bazë tepër aktive e lëvizjes çlirimtare.

“Të gjitha qeveritë e mëparshme shqiptare, – thotë nipi i të bijës së Ismail Qemal Vlorës, Orhan Zershati, – e kanë njohur statusin e tij si djali më aktiv i Ismail Beut dhe i kishin akorduar atij një pension të mirë, por mbas çlirimit, ky pension iu hoq”.

Një fakt të tillë të ndërprerjes së pensionit e konfirmon edhe Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit, i cili deklaron, “Qazimi, siç thashë pak më parë, përfundoi në Strugë, për faktin se këtu i hoqën çdo mundësi jetese sa erdhi në pushtet qeveria komuniste e Enver Hoxhës, pension që i jepej si fëmija i një patrioti të madh të Shqipërisë”.

Jetonte mes skamjes dhe urisë në zemër të kryeqytetit – i ishte mohuar i gjithë aktiviteti patriotik

Askush nga Tirana zyrtare nuk e përfillte më të birin e Ismail Qemal Vlorës, të cilin i ati e kishte pasur në krahun e tij të djathtë.
Ndërsa Ismail Qemal Vlora ishte kthyer në simbol për gjithë shqiptarët në mbarë botën, Qazim Vlora në qendër të kryeqytetit, ashtu si vëllai dhe dy motrat, jetonte mes skamjes dhe urisë. Meditimi tashmë i ishte kthyer në natyrë të dytë.

I kishin mohuar gjithçka. I kishin mohuar deri dhe aktivitetin e luftës nacionalçlirimtare, ku gjithë familjen e kishte angazhuar kundër pushtuesve nazifashistë, të cilët dikur i kishin helmuar të atin vetëm se luftonte për mëvetësinë e kombit të tij shqiptar. Revolta shpirtërore për këtë shpërblim nga bashkëkombësit e vet po e brente pamëshirshëm.

Por çfarë thotë për këtë për njerkun e tij, pra vetë djali i bashkëshortes së Qazim Bej Vlorës, Edip Ohri. “Ai ishte shumë i pakënaqur dhe tmerrësisht i revoltuar – dëshmon Edip Ohri – duke thënë që unë që kam kontribuar kaq shumë për Pavarësinë e Shqipërisë së bashku me babën tim, ndërkohë që mora pjesë aktivisht në luftën antifashiste aq sa edhe shtëpinë e kthyem në një bazë të fuqishme të luftës kundër pushtuesit, të më bëjnë këtë skandal dhe të më sjellin këto vuajtje që nuk i meritoj. Sepse në të vërtetë shtëpia jonë gjatë gjithë viteve të luftës ka qenë një bazë e rëndësishme e saj duke bërë që në të të strehoheshin ilegalë të rëndësishëm si Ramize Gjebrea, Kristo Themelko, Nako Spiru e shumë e shumë të tjerë.

Pra, ideja dhe revolta e tij e papërmbajtshme ishte te mendimi që analizonte duke thënë që unë që kontribuova familjarisht për çlirimin e Shqipërisë, ndërkohë që Enver Hoxha nuk mi njeh këto merita dhe nuk më jep atë që më takon si gjithë të tjerët, pensionin për të jetuar.

Ka qenë me të atin në Peruxha kur u përdor helmi në ushqimin e tyre 
Edhe Qazim Bej Vlora mori dozën e helmit, por falë moshës së re arriti të mbijetojë

Pas gjithë këtyre, Qazim Bej Vlorës nuk i kishte ngelur as një mundësi për të siguruar jetesën. E vetmja mundësi për të dhe familjen kishte qenë ai pensioni simbolik, të cilin tashmë ja kishin refuzuar. Kjo për faktin se mosha e tij disi e thyer dhe gjendja e rëndë shëndetësore për pasojat që kishte prej helmimit që kishte pësuar bashkë me të atin në Peruxha të Italisë, ku arriti të mbijetojë vetëm falë moshës së re, e bënin të pamundur punësimin e tij.

“Qazim Beu më ka shpjeguar personalisht – tregon në vijim të dëshmisë së tij për njerkun e vetë Edip Ohri – që në momentin kur është helmuar babai i tij, ishte në Peruxha të Italisë. Sa e mori ushqimin është helmuar dhe momentalisht është rrëzuar, menjëherë shkumëzoi dhe situata kaloi në një gjendje të tillë që ishte e kotë ndihma.

Në pak çaste ai gjeti vdekjen. Por në atë moment është helmuar dhe i biri i tij, Qazim Bej Vlora, i cili nuk i ndahej në as një çast të atit dhe që më vonë do të bëhej njerku im, pasi do na vdiste babai dhe do na linte në mjerim gjë që na u gjend dora e Qazimit që do na rriste me edukatë dhe përkushtim të veçantë.

Dhe Qazim Beu ka vuajtur gjatë gjithë jetës së tij nga ai helmim i rëndë. Kishte shumë probleme me stomakun gjë që ia dilte vetëm duke mbajtur një kujdes shumë të fuqishëm, pra një dietë shumë të fuqishme për arsye të helmimit që pati së bashku me babën e tij”.

Një dëshmi të tillë për punën e helmimit e vijon edhe vetë Orhan Zarshati, që është nip i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemal Vlorës. Ai thotë: Qazim Bej Vlora, në momentin e helmimit të të atit u helmua gjithashtu edhe ai. Pra u helmuan të dy. Por ai e kaloi. Falë moshës së re, e mposhti.

Ndërsa Ismail Qemal Vlora, si i moshuar që ishte nuk mundi ta duronte dot efektin e helmit, ndërsa Qazimi ishte i ri, më i fuqishëm prandaj dhe e duroi dhe e kaloi atë me shumë rrezik. Pra shpëtoi për fatin tonë të mirë. Këtë fakt të atij momenti tragjik unë e di direkt nga babai im që ja ka treguar personalisht nga daja i tij Qazim Bej Vlora.

Nën irritimin revoltues takoi me insistim kryeministrin Enver Hoxha

Pas situatës së krijuar në familjen e Qazim Bej Vlorës ku nuk kishte si të jetonte dhe me se të jetonte aq më shumë që ai nga helmimi që kishte pësuar as mund të bënte dot as një lloj pune vendosi të shkonte te kryeministri Enver Hoxha.

Ai me mendimin e tij ishte i vendosur se nuk mund të lejonte një përdhosje të këtillë. Duhej kërkuar mundësia dhe e drejta për të jetuar në vendin e tij. I ati kur kishte mbyllur sytë nën shkumëzimin e verdhë të helmit të rëndë i kishte pëshpëritur “Nuk ju lash dot pasuri, por ju lash pasurin më të madhe, Shqipërinë. Shqipëria……, Shqi….”.
Edhe atë moment tepër interesant për të birin e Ismail Qemalit, ku pas takimit me Enver Hoxhën do të protestonte duke braktisur përfundimisht Shqipërinë për të cilën ishin robtuar familjarisht një jetë të tërë, Edip Ohri tregon:

Njerku im si mendoi gjatë në shtëpi dhe e bloi me vete gjendjen që i kishin faturuar pushtetarët e rinj komunistë, shpërtheu në mënyrë të menjëhershme duke thënë se do të takonte patjetër kryeministrin.

Pas kësaj kërkoi me ngulm që të takohej me Enver Hoxhën si kryeministër, edhe u paraqit në zyrën e kërkesave për ta takuar. Në kërkesën e parë që bëri për tu takuar me Enver Hoxhën si i biri i Ismail Qemal Vlorës, Enver Hoxha nuk e pranoi. Tha me siguri që ky ka ardhur për të kërkuar pensionin duke iu drejtuar adjutantit të tij, i thuaj që nuk jam këtu. Unë këtë e kam marrë vesh nga shoku im me të cilin ishim oficerë dhe që quhej Moisi Elezi. Ai në atë kohë ishte edhe adjutant i Enver Hoxhës.

Ai, pa e ditur që unë e kisha pasur njerk të birin e Ismail Qemalit, shumë vite më vonë kur isha komandant i aviacionit shqiptar më tregoi për ditët kur njerku im, pra i biri i Ismail Qemalit kërkonte takim me Enver Hoxhën dhe Enver Hoxha nuk i kthente përgjigje pohuese. Enver Hoxha i tha Moisiut që i thuaj se nuk jam këtu. Ndërkohë që më mbrapa, siç ju thashë, unë isha bashkë me Moisiun në kursin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ai e kujtonte si diçka të veçantë ngjarjen.

Ai e fillonte bisedën mes hollësive të përditshme, por që atë rast e kujtonte me mburrje duke përmendur disa hollësira që ja e kam njohur djalin e Ismail Qemal Vlorës dhe e kam njohur në këto rrethana. Por gjithnjë pa e ditur se çfarë e kisha unë Qazim Beun. Nga ai mësova gjithçka se tregonte fill e për pe gjithë historinë prandaj edhe jam shumë i qartë se çfarë ndodhte në zyrën e Enver Hoxhës kur Qazimi kërkonte takim. Herën e parë nuk e priti Enver Hoxha, pastaj herën e dytë djali i Ismail Qemalit kërkoi me ngulm që të takohet. Më në fund kur Enver Hoxha pa ngulmimin e tij tha “Le të vijë”.

Por edhe Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit për këtë moment të takimit të Qazim Bej Vlorës tregon: Po, e kam dëgjuar edhe këtë fakt që xhaxhai i tim eti, Qazimi, i ndërpritet pensioni pas viteve ’45, dhe Qazimi arrin ta takojë, i ka shpjeguar dhe i ka kërkuar se përse ishte bërë një padrejtësi e tillë ndaj tij kur ishin të detyruar t’ia jepnin pensionin.

Po ashtu edhe Orhan Zarshati, Nip i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit dëshmon: Po, mbas çlirimit ai, mesa di unë, ka kërkuar të takohet me Enver Hoxhën edhe është takuar edhe më vonë duke i thënë dhe duke i shpjeguar atij që kam marrë pension patriotik gjatë gjithë qeverive shqiptare të mëparshme dhe së fundmi i ka kërkuar që t’i rikthehet si një e drejtë shumë e ligjshme që i takonte si për meritat e të atit ashtu dhe për kontributin e tij, por ishte e kotë kundërshtimi dhe reagimi i Enver Hoxhës dukej se kishte formën e pandryshueshme.

E ndërsa në lidhje me momentin e bisedës së tij me Enver Hoxhën, Edip Ohri, djali i bashkëshortes së Qazim Bej Vlorës shton atë çka ai e dëgjoi nga vetë goja e njerkut të tillë si u kthye nga zyra e Enver Hoxhës.

Ai tregon: Qazim Bej Vlora si shkoi te Enver Hoxha, ne prisnim në shtëpi me padurim se çfarë do të arrinte se prej tij prisnim të jetonim se situatën e kishim tepër të rënduar. Ai hyri në zyrën e Enverit dhe i tha “Shoku Komandant, jam i biri i Ismail Qemalit. Deri tashmë unë kam marrë një pension patriotik i cili nuk është ndërprerë gjatë gjithë kohës që nga Qeveria e Lushnjës. Por tani çuditërisht më është ndërprerë.

Ju lutem shumë, unë kam një familje që ka marrë pjesë aktivisht në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, kam marrë dhe unë pjesë. Shtëpia ime ka qenë bazë e luftës. Kam kontribuar edhe unë aq sa kam mundur. Por përveç kësaj, jam edhe i biri i Ismail Qemalit.

Të ardhura të tjera nuk kam. Me punë nuk jam i punësuar. Ju lutemi shumë të më rilidhet pensioni që u ndërpre. Por përgjigja e Enverit ka qenë taksative dhe e prerë duke i thënë “Nuk ju takon pensioni”. “Por unë jam, – i tha ai, – djali i Ismail Qemal Vlorës!?”. “Kushdo që të jesh, – ia ktheu Enver Hoxha, – nuk të takon”.

Qazim Bej Vlora i drejtohet Enver Hoxhës: Hiqe portretin e babait tim, Ismail Qemal Vlorës, nga zyra juaj

Por edhe te zyra e Kryetarit të Qeverisë, Enver Hoxha, ku kishte shkuar të kërkonte të ruante dinjitetin e të atit të tij, portreti i të cilit sundonte sfondin kryesor të Zyrës, nuk gjeti as shpresë dhe as respekt, por veç refuzim absolut për të rimarrë pensionin.

Ajo bisedë e parë dhe e fundit me kryeministrin e vendit të tij në orët e fundit të qëndrimit në Shqipëri, u mbyll me një shpërthim të jashtë natyrës së tij me thirrje urdhëruese ndaj Enver Hoxhës, i cili nuk meritonte të mbante portretin e të atit në zyrë.

Pikërisht për këtë moment të pabesueshëm të historisë së Shqipërisë komuniste, ku i biri dhe bashkëpunëtori më i afërt i Ismail Qemal Vlorës, i ka kërkuar Enver Hoxhës të heqë portretin e të atit nga zyra e vet, e dëshmojnë pasardhësit e tij të cilët e kanë të konfirmuar apsolutisht.

Kështu, Edip Ohri e mësoi në atë çast kur ai u kthye në shtëpi nga zyra e Enverit, dhe vendosi të braktisë Shqipërinë në mënyrën më të revoltuar, ndërsa Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djali i vogël i Ismail Qemalit, ka mësuar nga babai i tij për atë situatë të xhaxhait të vet. Konkretisht, EDIP OHRI që siç e përmendëm jo rastësisht gjatë gjithë prononcimeve të tij që është pikërisht djali i bashkëshortes së Qazim Bej Vlorës tregon: Kur njerku im Qazim Bej Vlora mori mohimin e padiskutueshëm nga Enver Hoxha, atëherë ky i nervozuar i tha: Zoti Kryeministër, këtë fotografinë e babait tim që e mban në zyrën tënde nuk e meritoni ta mbani juve.

Hiqeni përderisa ju nuk ndihmoni në momente kaq të vështira fëmijët e tij! Paskëtaj erdhi menjëherë në shtëpi i revoltuar dhe i tha nënës sime “Bëju gati se do të ikim menjëherë nga Shqipëria”.

Po e njëjta dëshmi vjen edhe nga Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djali i vogël i Ismail Qemalit kur tregon: Siç më ka treguar im atë për xhaxhain e tij, kur Qazimi ishte para Enver Hoxhës në zyrën e këtij të fundit dhe pa se Enver Hoxha nuk kishte ndërmend t’ia plotësonte kërkesën për pensionin dhe pasi u bind që ai ishte koshient për heqjen e tij, i thotë që, “fotografinë e tim eti s’ke të drejtë ta mbash atje, sepse një njeri që nuk respekton fëmijën Ismajl Qemal Vlorës, detyrimisht nuk ke respekt as për të atin”. Fakt shumë i trishtë ky.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here