Për përkatësinë etnike të Skënderbeut gjenden burime parësore të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të injorohen. Në këtë postim do të përmendim vetëm disa nga këto materiale nga epoka e Skënderbeut të cilat përcaktojnë atë prerazi si shqiptar.

1. Një raport i të dërguarit të Dukës së Milanos i vitit 1454, e quan Skënderbeun “Arbër të krishterë” (“quello Sanderbech…è christiano Albanexe”).

2. Humanisti dhe poeti italian Antonio Bonfini Asculano (1427-1502) e quan Skënderbeun “princ shqiptar” (“Sandorbegum Albanensem Principem”).

3. Edhe venecianët nuk e vunë asnjëherë në dyshim kombësinë shqiptare të Skënderbeut. Më 1464, një senator venecian u shpreh me zemërim për Skënderbeun, se “ne nuk i besojmë fare atij, sepse është arbër, tradhtar dhe i rrezikshëm” (“nuy non si fidamo di luy per niente, perche è Albanese et è traditore et tristo!”).

4. Më 1464, Duka i Milanos, Francesco Sforza, i shkruan një letër Skënderbeut, të cilit i drejtohet me këto fjalë:”Të shkëlqyerit e të fuqishmit zot, si vëllait tonë shumë të dashur, zotit shqiptar Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe”. (“Illustri et potenti Domino tanquam fratri nostro carissimo Domino Georgio Castriot aliter Scanderbeg albanesi”).

5. Në një letër të Jan Antonit, princit të Tarantos më 31 tetor 1460, në fillim të letrës i drejtohet Skënderbeut me këto fjalë:”Jan Antoni, princ i Tarantos, i dërgon përshëndetje Gjergj Shqiptarit!” (“Ioannes Antonius princeps Tarenti Georgio Albano salutem!”). E më poshtë në letër Antoni i drejtohet me këto fjalë Skënderbeut: “Gjaku italian nuk i trembet fytyrës shqiptare!” (nec faciam Albanam timebit Italicus sanguis!”) dhe fyerje tjera të tilla për shqiptarët. Kësaj letre i përgjigjet dhe Skënderbeu, përgjigjen e të cilit do e postojmë dhe në faqen tonë.

Këto ishin vetëm disa nga citimet që bëmë në lidhje me përkatësinë etnike të Skënderbeut, pasi ato janë të panumërta. Shumicën e këtyre mund ti gjeni dhe në librin e historianit P. Xhufi në librin e tij “Skënderbeu, ideja dhe ndërtimi i shtetit”.

📸 Në foto mund të shikoni një portret të Skënderbeut nga Cristofano A. (1552)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here