Mes 544 letrave të sjella në librin “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, një botim i shtëpisë botuese “Erik”, përgatitur nga studiuesi Nasho Jorgaqi, është edhe korrespondenca mes Nolit dhe Enver Hoxhës, një pjesë e të cilave është botuar në të përditshmen DITA.
Në dhjetor të vitit 1942, Faik Konica do të mbyllte sytë. Pak kohë para vdekjes i shkruante Nolit:
“Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë… (shkruar nga dora e Konicës, kjo duket boll e çuditshme, sepse njihet përplasja që Konica e Noli kanë pasur gjatë gjithë jetës së tyre)… Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”,
Botimi jep më pas se si për këtë amanet Noli i drejtohet Enver Hoxhës (me të cilin ka pasur një letërkëmbim të gjatë në vitet 1945-1946): “Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij me nderimet përkatëse si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”.
Por Enver Hoxha nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje.
Më tej lexojmë t’i ketë shkruar Sejfulla Malëshovës: “Bëj përpjekje për të ndjerin Faik se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”.
As Malëshova nuk i ktheu përgjigje. Noli do të ikte nga kjo botë me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij. Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe vetëm në maj 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri.
o.p. / dita