Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.

Teatri i Bylisit është një nga monumentet më të mëdha të kësaj qendre arkeologjike, i cili është ndërtuar në fillim të shekullit të 3-të para lindjes së Krishtit dhe ka një kapacitet prej 7500 vendesh, që do të thotë që ka qenë një nga veprat më të mëdha të kohës. Një nga mozaikët e zbuluar një vit më parë në qytetin antik Bylis, daton në shekullin VI. Parku arkeologjik Bylis është një nga sitet unik në Shqipëri, për densitetin e lartë të monumenteve me mozaik.1 nga 2 

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, kalaja e Petrelës, Tiranë, kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

HISTORIKU I QYTETIT ANTIK TE BYLISIT

Qyteti Ilir i Bylisit i vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal dikur shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha, e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m, i cili ende sot ruhet relativisht mirë. Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse. Nga shekulli IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, ku përmenden teatri, stadiumi, depozita e ujit, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot. Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit.

Nga ai shkëlqim i së shkuarës, spikasin rrënojat e teatrit 7500 vendësh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit. Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike. Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin, ai ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek III p.K. Për ndërtimin e teatrit është zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Edhe nga stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri. Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta.

Gjatë shekullit V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri. Deri më sot janë zbuluar disa të tilla, si brenda mureve rrethuese të qytetit, ashtu edhe jashtë tyre.

Rruga Press

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here