Daut Dauti
Kordoba e shekullit IX ka qenë e rëndësishme sikur Londra apo Nju Jorku i sotëm. Qyteti kishte plot shkencëtarë, arkitektë, inxhinierë, filozofë, artistë… Për nivelin e civilizimit të Kordobës flet fakti që tregon se ky qytet kishte bibliotekë me mbi një milion libra. Në mes tjerash, qyteti kishte kanalizim dhe ujësjellës, kurse rrugët ishin me ndriçim. Pushteti i Umajadëve kishte shënuar kulmin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor në të cilin jetonin në harmoni (pothuajse të plotë) myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët.
Në vitin 873 në Kordobë erdhi një njeri i cili do ta ndryshonte historinë e kulturës dhe artit jo vetëm në këtë qytet të Andaluzisë, por në tërë Evropën. Ai ishte Ali Ibn Nafi, i cili në histori njihet edhe si Zirjabi (Ziryab), i lindur në Bagdad nga njëri prind kurd, kurse nga tjetri afrikan. Pasi që ishte disi më i murrmë se tjerët, vendasit e quanin ‘Zogu i Zi’. Nafi ishte burrë i pashëm, por doli të ishte një lloj gjeniu i veçantë. Profesioni i tij ishte muzika, por ushtronte autoritet në shumë fusha tjera të jetës. Sapo kishte ardhur në Kordobë e kishte themeluar Konservatoriumin e tij që në fakt ishte shkolla e parë e muzikës në Evropë e cila ekziston edhe sot dhe mbanë emrin e tij.
Me inovacionet që solli, Nafi u popullarizua në tërë shtresat e shoqërisë, që nga pallati mbretëror e deri te njerëzit e zakonshëm, ndër burra e gra. Në mesin e shumë inovacioneve që inicioi, ai e popullarizoi edhe rruarjen e fytyrës dhe qethjen e flokëve të burrave, kurse te gratë përdorimin e kremave dhe ndukjen e qimeve në vendet e panevojshme dhe intime. E futi në përdorim ndërrimin e rrobave sipas sezoneve të vitit dhe kohëve të ditës dhe natës. E prodhoi dhe e futi në përdorim edhe parfumin së bashku me deodorantet tjera për gra dhe për burra. Edhe sot në Evropë dhe gjetiu shitet parfumi me emër të tij si ndër më kualitativët dhe më të shtrenjtët (Ziryab Parfumes). Sipas shembullit të tij filloi të sillej dhe vishej e tërë aristokracia iberiane e më vonë edhe ajo evropiane.
Nafi i popullarizoi edhe disa lloje të perimeve, përfshirë asparagun (Asparagus) dhe ishte i pari që e futi në përdorim shujtën treshe (anglisht: three course meal) ose ngrënien sipas radhës: 1. supën ose sallatën, 2. gjellën kryesore; 3. ëmbëlsirën. E vuri në përdorim edhe pirjen nga gotat e kristalta. Sot, në disa qytete evropiane mund të gjeni restorante elitare që kanë emrin e tij (Ziryab).
Nafi u popullarizua aq shumë sa që gjithkush dëshironte të rrinte me te, të vishej si ai, të fliste si ai, të dukej si ai… Pasi që ishte muzikant, ishte një ‘Super Rock Star’ sikur që sot është, ta zëmë, Mick Jagger. Në fakt, Nafi ishte më shumë se Jagger pasi që shkruante tekste të këngëve, i kompozonte, i këndonte duke ekzekutuar vetë në instrumente dhe ishte i suksesshëm edhe në fusha tjera. Konservatoriumi i tij u popullarizua aq shumë sa që aty vinin për të studiuar nga të gjitha vendet e botës së atëhershme.
Megjithatë, gjenialiteti i Nafit ishte në muzikë. Kur kishte ardhur në Kordobë, me vete e kishte marrë një instrument që në Lindje njihej që nga lashtësia e që quhej ‘Utë’ dhe i cili te ne njihet edhe me emrin ‘Saze’ për ta sjellë për herë të parë në Evropë.
Nafit i kishte pëlqyer shumë një valle e vendasve iberianë e cila më vonë u bë e njohur me emrin flamengo. I pëlqente shumë t’i shikonte iberainet duke vallëzuar nën tingujt e kitarës i cili instrument kishte ardhur po ashtu me arabët. Ai e shtoi edhe utën në përdorim të flamengos. Megjithatë, nuk ishte i kënaqur. I shikonte valltaret dhe vërente se diçka po mungonte. Si gjeni që ishte nuk e ndryshoi vallen, por vendosi t’i ndryshonte instrumentet. Në përshtatje të ritmit të flamengos, Nafi ia shtoi utës edhe një tel, kurse kitarës ia përmirësoi fushat e ndërrimit të tingujve. Me këtë, flamengo u popullarizua edhe më shumë në tërë ishullin iberian dhe mbeti e tillë deri sot që konsiderohet valle kombëtare spanjolle.
Ndikimi i tij nuk u ndal këtu. Kitara dhe uta e vërshuan Evropën. Nëpërmes konservatoriumit e popullarizoi edhe muzikën e trubadurëve e cila e mori dhënë, por më shumë gjeti vend në qytetet bregdetare evropiane.
Nafi, kur vdiq në vitin 857, la pas vete tetë djem dhe dy vajza. Që të gjithë e vazhduan traditën muzikore deri në disa gjenerata.
Shembulli i Nafit flet për fuqinë e një njeriu të vetëm i cili mund të bëjë ndryshime të mëdha në këtë botë. Sot , bota ushqehet, vishet, qethet, rruhet, parfumosët, këndon ose vallëzon sipas Nafit.
(Ky shkrim është i bazuar në programin dokumentar të TV BBC4 që mban titullin: ‘Blod and Gold: The making of Spain’ (Gjaku dhe ari: Themelimi i Spanjës). Autori, Simon Sebag Montefiore, është historian dhe gazetar i njohur britanik)