Dy paleontologë argjentinas kanë zbuluar fosilet e dinosaurit mishngrënës më të madh të njohur në Argjentinën jugore. Mbetjet e megaraptorit midis 9 dhe 10 metra të gjatë dhe që jetoi 70 milionë vjet më parë, u gjetën në mars 2019 gjatë një ekspedite në jug të provincës Patagoniane të Santa Cruz, pranë akullnajës së famshme Perito Moreno.

Doktori i Shkencave të Natyrës, Fernando Novas, kreu i Laboratorit Krahasues të Anatomisë në Muzeun Argjentinas tha se ekspozimi vjen tre vjet pas punës së mundimshme të nxjerrjes, transportit në Buenos Aires, pastrimit dhe studimit laboratorik që nuk u ndërpre as nga pandemia Covid-19.

“Ishte një kafshë e madhe, bazuar në matjet që kemi marrë dhe krahasimet. Do të ishte një nga megaraptoret më të mëdhenj të dokumentuar deri më sot. Është gjithashtu një nga megaraptoret e fundit që ka banuar në planet përpara zhdukjes së dinosaurëve, rreth 66 milionë vjet më parë”, është shprehur Novas.

Novas ishte ai që në vitin 1996 zbuloi megaraptorin e parë në provincën argjentinase të Neuquén, të tjerë u gjetën më vonë në Australi, Tajlandë dhe Japoni. Paleontologu 29-vjeçar, Mauro Aranciaga, punon së bashku me Novas, i gjeti pjesën e parë të megaraptorit të ri në vitin 2019.

“Kur ngrita rruazën dhe pashë që kishte karakteristikat e megaraptorit, ishte vërtet një emocion i madh sepse po shihja edhe një rruazë gjigante. Me fjalë të tjera, ishte një megaraptor gjigant. Në një farë mënyre përmbusha ëndrrën e një fëmije dhe të një të rrituri, atë emocion për të gjetur një fosil të ri, që e quajtëm Maip”, ka thënë ai.

Emri ka disa kuptime, sipas paleontologut:

“Në kuptimin mitologjik është një entitet i keq që vret atje ku është ftohtë dhe jeton në male. Do të thotë gjithashtu edhe “hija që vdekja lë pas saj”, thotë Novas.

Zbulimi i dinosaurit gjigand “Maip” sapo është publikuar në revistën prestigjioze shkencore “Nature”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here