Kujtojmë sot me rastin e 115-vjetorit të vdekjes, gjuhëtarin Graziado Isaia Ascoli (1829-1907), i cili njihet si themeluesi i gjuhësisë krahasuese italiane dhe si studiues i të folmeve arbëreshe në Itali.
Kontributet e tij shkencore shfaqen në veprën “Corsi di glottologia”, rezultat i një pune dhjetëvjeçare, ku i jepet formë përfundimtare një fushe që menjëherë u çmua në mjediset më të kualifikuara kulturore. Më 1873, botoi vëllimin e parë të “Arkivit glotologjik italian”.
Në veprën “Studi critici (frammenti albanesi)”- “Studime kritike (fragmente shqiptare)” zhvillon pikëpamjet mbi gjuhën tonë. Kjo vepër u botua në dy pjesë: “Shënime mbi origjinën e formave gramatikore. Sprova për dialektologjinë italiane. Ngulimet e huaja në Itali. Fragmente shqiptare. Zhargonet” (1861) dhe “Sprova e shënime. Sprova italike, indiane dhe greke. Tregues me shënime për të dy vëllimet” (1877).
Veç trajtimit të dukurive të gjuhës shqipe dhe të folmes së saj në kolonitë arbëreshe të Italisë, sjell të dhëna me interes edhe për këngët shqiptare të kënduara nga arbëreshët e Molisës, të panjohura më parë.