Daut Dauti

Njerëzit që janë të popullarizuar nuk do të thot se janë të rëndësishëm. Historia njeh shumë njerëz që kanë qenë tejet të rëndësisëhm, por nuk kanë gëzuar popullaritet dhe respekt sikur disa tjerë të parëndësishëm.
Lawrence i Arabisë është shumë i popullarizuar në botë. Ai është popullarizuar kryesisht për shkak të filmit ‘Lawrence of Arabia’, i cili përndryshe është ndër filmat më të mirë që janë bërë deri sot, dhe së paku për 30 librave që janë shkruar për të. Lawrence ka qenë arkeolog dhe pasi që ishte angazhuar në territorin otoman, shërbimi sekret britanik e ka rekrutuar në vitin 1914. Kur filloi Lufta e Parë Botërore, pasi që ai ishte në shërbim, më 1916 dërgohet në Kairo dhe nga aty merr detyrën për t’i bindur arabët që të ngriten kundër pushtetit otoman, kundër të cilit luftonte Britania e Madhe. Ai nuk ka qenë oficeri i vetëm i dërguar te arabët për këtë qëllim.Por, Al Lawrence, siç e quanin arabët, nuk ka bërë tjetër punë të rëndësishme pos kësaj dhe në atë kohë askush nuk e njihte për këtë gjë.
Lawrence me siguri do të mbetej i panjohur dhe ne nuk do të dëgjonim për të sikur të mos ishte gazetari amerikan, Lowell Thomas. Lawrence u popullarizua pas luftës dhe kryesisht për shkak të inciativës së Lowell Thomas-it, i cili ka qenë korrespondent i luftës. Më 1919 Lowell ka mbajtur një turne të ligjeratave nëpër Britani dhe SHBA duke e lavdëruar Lawrence-in. Ai kishte fotografi dhe pamje filmike të aktivitetit të Lawrence-it në Arabi, dhe kjo gjë atëherë ishte interesante. Dhe, brenda një kohë të shkurtër, Lowrence, nga një arkeolog dhe njeri i zakonshëm i shërbimit sekret ushtarak britanik, shndërrohet në hero dhe yll medial me përmasa ndërkombëtare.
Është një personalitet tjetër britanik që ka bërë punë disa herë më shumë se Lawrence. Ai është Aubrey Herbert, i njohur edhe si miku më i mirë që kanë patur shqiptarët dhe të cilit shqiptarët ia ofruan edhe fronin mbretëror. Por, për Herbertin nuk ka film dhe nuk ka më shumë se 5 apo 6 libra që janë shkruar duke i llogaritur edhe ato që ai i ka shkruar vet. Prandaj, Herbert, njeriu meritor, si shumë tjerë, ka mbetur nën hije.
Në zyrën e shërbimit sekret ushtarak britanik në Kairo, Herbert dhe Lawrence kanë punuar bashk. Madje, ekzistojnë indikacione se Herbert ka qenë epror i Lawrence-it. Kjo ka arsye pasi që Herbert, pos që ishte i shkolluar dhe kishte gradë ushtarake (kolonel), ai ishte edhe aristokrat që dmth kishte lidhje gjithkah në elitën e shoqërisë britanike.
Ekzistojnë dëshmi për një operacion të përbashkët që e kanë kryer Herbert dhe Lawrence së bashku me kolonelin Beach me 29 prill 1916. Komanda ushtarake britanike i ka dërguar këta tre (Herbert me siguri ishte kryesori) në Kut (Irak) që të negocionin me Halil Pashën, komandantin e forcave otomane që e kishin rrethuar garnizonin ushtarak britanik në Basra. Britanikët ishin në gjendje të rëndë dhe para kapitulimit. Në mënyrë që të mos ndodhte kjo gjë, këta tre i ofrojnë Halil Pashës ryshfet 2 milionë funta. Këto para ishin që Halil Pasha të lejonte tërheqjen e 10 000 ushtarëve të rrethuar britanikë. Por, pasha nuk e pranoi ryshfetin dhe misioni i tyre dështoi kurse garnizoni ra nën otomanët dhe britanikët u zunë robër.
Nuk ka tjetër aktivitet të Lawrence-it, kurse ato të Herbert-it gjatë luftës janë me numër të madh. Në Çanakale (Galipoli) ishte gjithmonë Herberti që i negocionte armpushimet. Herberti, pasi që ishte turkofil, gëzonte respekt te turqit dhe për këtë arsye britanikët e angazhonin në çdo rast. Madje, Herbert gjatë luftës (1917) në Zvicër u dërgua në mision për bisedime sekrete me udhëheqësit otomanë.
Nëse librat shkruhen dhe filmat bëhen për meritorët, i pari që do të kishte film dhe libra, do të ishte Aubrey Herbert. Aty do t’i shihnim shumicën e personaliteteve shqiptare, në krye me Isa Boletinin, njeriun e tij më të dashur. Herbert ka qenë aq i rëndësishëm sa që pro otomanët e akuzonin se ky së bashku me Kemal Ataturkun po e ziente qorbën e vdekjes anti-otomane e pro-turke, siç shihet në karikaturën e postuar. Por, ja që për njerëzit e rëndësishëm, e që janë edhe meritorë, ka më pak popullaritet e aspak lavd. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here