“Gazette de France” ka botuar, të shtunën e 20 prillit 1822, në ballinë, shkrimin e bujshëm të gazetës së Nurembergut që hidhte dyshime mbi vdekjen e Ali Pashë Tepelenës.
Bavari.
Nuremberg, 13 prill.
…Na shkruajnë përtej kufijve të Zvicrës : “Sipas disa letrave nga Barcelona, një i huaj i pasur ka mbërritur në Mahon (Port-Mahon, ishulli i Menorca-s), dhe ky i huaj i pasur thuhet se është ish-pashai i Janinës, Aliu i famshëm. Ai ishte në bordin e një anije franceze dhe kishte dy gra dhe një shërbëtor me vete. Bagazhet e tij përbëheshin nga dymbëdhjetë arka me peshë shumë të konsiderueshme. (Kështu që ka të ngjarë se ai mund të ketë lënë në vende të sigurta disa nga thesaret e tij si në bregdet apo në një nga ishujt e Greqisë. Thuhet se ai duket se ka në plan të qëndrojë ca kohë në Mahon.)”
Ne do t’i shtojmë këtij lajmi detajet që jepen për ikjen e pretenduar e të tmerrshmit Ali Pasha. Kur e pa se pushteti i tij po i zvogëlohej deri në pikën e fundit, ai u pajtua me ithtarët (mbështetësit) e tij që ata të bënin sikur po e tradhëtonin.
Ndërsa po negocionte me gjeneralët turq, ai bëri të gjitha përgatitjet e nevojshme për arratisjen e tij, hodhi pjesën më të madhe të thesareve të tij në ujë, por u kujdes për të siguruar një milion ‘sequins’. Pastaj, ai u vesh si një bari turk dhe priti rezultatin e negociatave. Ne e dimë se si ata përfunduan dhe se koka e tij duhej dorëzuar te turqit.
Ata e morën menjëherë; por në vend të kokës së Aliut, ishte ajo e një shqiptari të vjetër që kishte vdekur nga plagët e tij dhe i kishin vënë një çallmë të çmuar. Asnjë nga gjeneralët turq nuk e njihte Aliun fizikisht; kështu që ata u mashtruan lehtësisht dhe, në përputhje me kapitullimin, ata u larguan nga vendi.
Aliu shfrytëzoi këtë moment për të shpëtuar veten e tij; ai arriti për fat të mirë në Butrint (një qytet në Shqipërinë austriake, në kanalin e Korfuzit), dhe u fut atje në një anije që pranoi ta priste. Askush nuk mund të mohojë vërtetësinë e kësaj historie kur e kujton karakterin dinak të Ali Pashait. (Korrespondenti i Nurembergut.)